Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Rrjedhja e dezinformatave në Ballkanin Perëndimor

Analiza e re e titulluar “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor”, botuar nga Fondacioni Metamorfozis shpjegon lidhjet midis ndikimeve të huaja malinje dhe aktorëve vendas që përdorin dezinformatat për të destabilizuar rajonin dhe penguar integrimet euroatlantike.

Raporti bazohet kryesisht në gjetjet e projektit Qendra kundër Dezinformimit e Ballkanit Perëndimor: Ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes Gazetarisë Mbikëqyrëse që mbulon periudhën janar – dhjetor 2022. Projekti mbështetet nga Mbretëria e Holandës dhe zbatohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut dhe partnerët e tij nga rajoni: Qendra për Tranzicion Demokratik nga Mali i Zi, organizata botuese mediatike Sbunker.net nga Kosova, Shoqata Qytetare “Zašto ne” (Pse jo) nga Bosnja dhe Hercegovina, Faktoje.al – një shërbim për verifikimin e fakteve nga Shqipëria dhe ISAC – Qendra për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë nga Serbia.

Hulumtimi tregon se, nga njëra anë, dezinformimi dhe propaganda mund të diskutohen në kontekstin e kërcënimeve të jashtme për funksionimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë në rajon, në tërësi dhe individualisht në çdo vend të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, konfirmon se aktorët e huaj nuk janë aktorët e vetëm keqdashës. Aktorët e huaj keqdashës kërkojnë dhe gjejnë subjekte politike vendase, individë dhe organizata që janë të gatshme të marrin pjesë në krijimin dhe përhapjen e narrativave të rreme për qëllimet e tyre egoiste.

Sa i përket Kosovës, ekipi i Sbunkerit vlerëson se shpërndarësit më të mëdhenj të lajmeve të rreme dhe dezinformatave janë zyrtarët shtetërorë serbë. Deklaratat e tyre shpesh krijojnë panik dhe tension me qëllim që të alarmojnë bashkësinë ndërkombëtare për kinse arbitraritetin e Kosovës mbi serbët.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë rezultuar të jenë një strategji shumë e dobishme edhe për Federatën Ruse, e cila nuk ka rreshtur së tentuari që ta çimentojë ndikimin e saj në rajon. Rusia ka shfrytëzuar çdo krizë politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe çështjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës për t’i arritur qëllimet e veta në Ballkanin Perëndimor; të riafirmojë “vëllazërinë sllave” me Serbinë dhe të largojë vëmendjen e BE-së dhe NATO-s nga Ukraina. Në disa raste, që nga pushtimi në Krime në vitin 2014 deri te agresioni i gjithanshëm rus mbi Ukrainën në vitin 2022, Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë manipuluar të vërtetën mes “operacioneve speciale ruse në Ukrainë” dhe ndërhyrjes së NATO-s kundër ish-RFJ-së në vitin 1999. Përhapja e narrativave të rreme mbi këto tema është një instrument rus për ta shtrembëruar realitetin dhe përpjekje për të justifikuar agresionin.

Raporti rekomandon masa për të luftuar dezinformimin dhe propagandën në çdo vend individual të Ballkanit Perëndimor dhe në rajonin në tërësi. Konsiderohet thelbësore që çdo vend i Ballkanit Perëndimor të krijojë ekipe kombëtare multidisiplinare për të krijuar strategji kombëtare për t’i luftuar ndikimet e huaja keqdashëse. Hapi i parë duhet të jetë rritja e edukimit qytetar, zhvillimi i edukimit medial dhe ndërtimi i aftësive të të menduarit kritik. Është me rëndësi të madhe për çdo vend të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet qeverisë, biznesit, sektorit të shoqërisë civile, kompanive të teknologjisë dhe konsumatorëve, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi i publikut për llojet e ndryshme të kërcënimeve të dezinformimit, si dhe të forcohen kapacitetet për t’i identifikuar dhe t’i ekspozuar ato.

https://metamorphosis.org.mk/en/izdanija_arhiva/geopolitical-perspective-of-disinformation-flows-in-the-western-balkans/

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.