Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Vendosja e simboleve të Kosovës në objekte komunale cilësohet provokim nga disa media serbe

Heqja e billbordeve me simbole dhe fotografi të personaliteteve serbe e ruse në veriun e banuar me shumicë serbe, si dhe vendosja e simboleve zyrtare të Kosovës në objekte komunale, ka nxitur reagimin e disa mediave serbe.

Mediumi serb “Novosti” ka publikuar një artikull me titull: “PROVOKIM I RI NË ZUBIN POTOK: Policia e Kurtit ka vendosur tabela ‘Republika e Kosovës’. Artikulli i njëjtë është publikuar edhe nga: Kurir.rs, Vesti Online, Naslovi.net.

Foto: Kurir.rs

Në përmbajtje të artikullit shkruhet se më parë në atë vend kishte një tabelë me mbishkrim cirilik, që ishte thyer në gusht të vitit 2023. Edhe kryetari i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zubin Potokut, që operon me sistem të Serbisë, Srđan Vuloviq, e ka quajtur mesazh tjetër për serbët se autoritetet e Prishtinës nuk i duan në Kosovë.

Vendosja e simboleve në objekte komunale është obligim ligjor, i cili deri para datës 23 prill 2023 nuk është zbatuar në komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, pasi në këto komuna ka udhëhequr Lista Serbe, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës. Mirëpo, situata ndryshoi pas zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë për herë të parë në këto komuna. Megjithëse me legjitimitet të kontestuar, ata u zgjodhën pasi Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023.

Ndër vendimet e para të kryetarëve shqiptarë ishte vendosja e flamujve të Kosovës në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut. Në kundërshtim të vendosjes së kryetarëve në objektet komunale, pati protesta të dhunshme, ku u sulmuan policë të Kosovës, ushtarë të KFOR-it, si dhe gazetarë.

Disa ditë para se të vendosej tabela e Republikës së Kosovës në Zubin Potok, autoritetet ndërmorën aksion për largimin e simboleve dhe fotografive të liderëve serbë e rusë, të cilët që nga paslufta kanë qenë të vendosur në komunat veriore. Pjesë e aksionit ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Në lidhje me heqjen e shenjave ruse dhe serbe në Kosovë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një video-mesazhi, tha se billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve si Putini e Vuçiqi janë të papranueshme në Republikën e Kosovës. “Ne jemi një vend demokratik, i përcaktuar qartë për vlerat perëndimore, andaj nga sot në asnjë cep nuk do të lejohen simbolika të diktatorëve apo të vendeve të cilat janë agresore në raport me Kosovën dhe ekzistencën e saj”, ka thënë Sveçla.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, paralajmëroi se aksionet e tilla do të vazhdojnë me largimin e simboleve dhe shenjave të tjera të cilat nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.