Kam gati dy vite pa ty. Më është dashur gjithë kjo kohë ta marr guximin të shkruaj për ndarjen tonë, nga frika se përmallohem e të kërkoj sërish. Ndarja jonë ndodhi pa ndonjë tragjedi, por unë nuk i shpëtova mundimeve dhe vuajtjeje që i bart me vete edhe sot. Nuk e di në do të jemi më bashkë ndonjëherë, megjithatë shpresoj që këta rreshta të jenë hera e fundit që të kujtoj.
Ajo që ne kishim nuk ishte dashuri e pastër. Ti gjithmonë më kërkoje të paguaj për shoqërinë tënde, kurse në shkëmbim m’i plotësoje nevojat e mia. Sa më shumë kohë kalonim bashkë, aq më shumë rritej mvarësia ndaj teje dhe ashtu vazhduam bashkë për plot 18 vite. Nuk të lija dot. Ti ishte gjithmonë pranë meje. Kur isha i vetëm. Kur ecja gjatë. E sidomos kur kisha brenga shumë.
Unë e dija sa e dëmshme ishte ti. Edhe mjekët më këshillonin të të largohem. “Përveç vetes tënde,” më thoshte mjeku, “ajo do të shkatërrojë edhe familjen dhe miqtë e tu përreth, prandaj ndaju sa më parë!” Unë megjithatë refuzoja. Në një takim tjetër mjeku më ofroi edhe mundësinë që të fillojë terapi menjëherë pas ndarjes që ta kem sa më të lehtë fazën e tranzicionit, mirëpo përkundër dëshirës që kisha, më mungonte vullneti dhe lidhja ime vazhdonte.
Më tej, lidhja mes nesh ishte tmerrësisht e kushtueshme. Edhe pas gjithë atyre viteve që ishim bashkë, ajo asnjëherë nuk ishte në disponimin tim nëse unë nuk paguaja shuma të majme. Ajo nuk ishte prostitutë, pa marrë parasysh faktit se ishte si reklamë vitrine dhe e gatshme të shkojë me këdo që ofronte shumën që kërkonte. Pra, përveq dëmit shëndetësorëajo më shkaktonte edhe dëme financiare, mirëpo unë prap refuzoja të mendoja ndarjen. Ajo kishte krijuar një varësi në mendjen time dhe unë tani vazhdoja të paguaja çmimin që të isha afër saj derisa ajo nuk kishte as edhe simpatinë më të vogël për mua. Shkurt, varësia tejkalonte gjithë arsyen e shëndoshë që të qëndroja me ty, e unë megjithatë vazhdoja.
Rreshtat e mësipërm tregojnë vetëm si erdhëm te ndarja, por jo për arsyen e vërtetë. Prandaj, në pjesën tjetër do të mundohem të shkruaj se si u gjendëm këtu. Ndoshta, pjesa tjetër do të jenë frymëzues që të tjerët të mos jenë viktimë e një lidhje si e imja. Ndoshta do të jenë frymëzim për ndarjen e gjithë atyre që janë në një lidhje të tillë.
Përkundër vuajtjeve, unë e dija që duhet ta përfundoj këtë lidhje. E kuptova që nevojitej një përkushtim i madh të largohem nga ajo. Dhe ashtu ndodhi. Vendosa dhe u ndamë.
Deri atëherë, lamtumirë cigare!
Me mall dhe aspak dashuri,
Dimali