Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

“Birdman”-i, perverti i Martin Eden-it

Filmi: Birdman

1.

“Birdman” është film i vitit 2014 i regjisorit të njohur meksikan, Alejandro González Iñárritu. U nominua në nëntë kategori për çmimet “Oscar” të vitit 2015. Bashkë me “The Grand Budapest Hotel”, më së shumti nominime. Fitues në katër syresh, më së shumti, po aq sa “The Grand Budapest Hotel”, sërish. Ngjarja e filmit bën fjalë për personazhin Riggan Thomson, një aktor teatri, dikur me famë, por tash i obsesionuar pas rikthimit në piedestalin e lavdisë.

Riggan-i (Michael Keaton) kishte arritur kulmin e karrierës dhe të famës dikur me rolin e “Birdman”-it, njeriut-zog, në një film me nam me rolin kryesor të “Birdman”-it superhero, por që me kohë ishte harruar, siç ishte zvetënuar edhe fama e Riggan-it. Tërë kohën atij i flet në vesh “Riggani tjetër”, personazhi i “Birdman”-it, njëfarëlloj ndërdije e tij e ndrydhur. Ia tërheq vëmendjen mbi dështimin e tij në karrierë dhe në jetë. Kjo e nxit Riggan-in që me çdo kusht të kthehet në aurën e shkëlqimit të tij të dikurshëm përmes shfaqjeve në një nga teatrot e tij në Broadway. Dhe për këtë është gati të bëjë çmos. Bëhet vetë aktor, regjisor e drejtues i teatrit. Iu sulet kritikëve të artit. Përzgjedh e refuzon me arrogancë aktorët. Xhindoset pse aktorët tjerë po fitojnë vëmendje më shumë se ai vetë.

Më në fund i vjen fama. Pak nga “flirti” që bën me komercialen, me rrjetet sociale e atë që e kërkonte publiku (ndonëse pa qëllim, i rastis të ec nëpër rrugë lakuriq, duke marrë famë në Twitter e në lajme), e pak nga suksesi i shfaqjes së tij “What We Talk About When We Talk About Love” (“Për çfarë flasim, kur flasim për dashurinë?”), ku, ndër të tjera, krejt në skenën e fundme, pjesën e vetëvrasjes ai tenton ta kryej me një armë të vërtetë. Shpëton, nuk vdes, dhe shërohet në spital. Fama e tij e kishte arritur veçse kulmin. “Birdman”-in që i pëshpëriste në ndërdije e lë pa fjalë. Tashmë Riggan-i kishte arritur famën dhe ai s’kishte ç’të thoshte. Por, sheh zogjët e vërtetë nga dritarja, del në dritare, niset nga ta dhe… kur kthehet e bija e tij në dhomë, ai s’është më aty. Ajo buzëqesh. Filmi përfundon.

Iñárritu edhe më parë njihej me filmat e tij socialë dhe fatalistë, sidomos me “Biutiful” (2010). Dalja e “Birdman”-it u prit mirë edhe nga audienca e kinemave edhe nga kritikët e filmit. Richard Brody tek “The New Yorker” do ta cilësonte filmin si ‘godardian’, edhe pse pa thellësinë dhe mjeshtërinë e filmave të Jean-Luc Godard-it. Kurse, Manohla Dargis në “New York Times” do ta krahasonte personazhin kryesor të filmit me Ikarin e mitologjisë antike greke dhe me fluturimin e tij të famshëm.

Filmi i Iñárritu-s është pleksje filozofike e kotësisë së suksesit komercial. Është filozofi e përpjekjes së njeriut drejt plotënisë. Filozofi amerikan, Stanley Cavell, thotë se kinemaja, sikurse filozofia, merret në mënyrë inherente me skepticizmin dhe shtjellon shqetësimet e e njëllojta sikurse të filozofisë. Edhe “Birdman”-i, sado cekët, ngrit shumë pyetje filozofike (“Të ngritësh pyetje është më e rëndësishme se të japësh përgjigjie”, thotë një personazh i filmit “Le Petit Soldat” të Godard-it) mbi komodifikimin e trupit, mbi profesionin e aktorit (kur Lesley e pyet Laura-n: “pse s’kam fare vetëresekt”, ajo i përgjigjet: “sepse je aktore”), mbi marrëdhëniet babë-bijë, mbi dekadencën, nihilizmin, individualizmin, skepticizmin, injorancën, etj.

2.

Jack London-i, i mbiquajtur si një prej mohikanëve të fundit të demokracisë në letërsinë amerikane, shkroi më 1909 romanin e tij “Martin Eden”, ku shtjellon jetën e një personazhi, një proletari që ëndërron të bëhet shkrimtar i madh, veçanërisht për t’i lënë mbresa Ruth Morse-it, vajzës që e donte. Ai bën gjithçka në jetë, shet e jep me qera çdo gjë vetëm e vetëm që të kishte të holla për t’ua dërguar shtëpive botuese dorëshkrimet e tij. Ato refuzohen një pas një. Njëjtë siç refuzohet edhe ëndja e tij për t’u bërë shkrimtar i madh e kësisoj edhe gjasat që të pëlqehej nga Ruth-i. Por, pas shumë vitesh e pas shumë faqeve të romanit të London-it, ndodh e papritura. Një nga dorëshkrimet e tij pranohet, botohet dhe merr dhenë anembanë vendit. Ai më në fund është bërë i famshëm.

Por, tani që Ruth-i i kthehet, ai nuk e pranon dashurinë e saj. Ai nuk e pranon më as famën që fitoi. Pështirosej nga veset e shoqërisë snobiste. E neveriste tani edhe paraja edhe fama. S’po arrinte ta shijonte atë për të cilën ishte përpjekur me aq sfilitje. Dhe ja si përfundon romani, teksa ai kridhet nga varka ku po lundronte në det: “Atëherë duart dhe këmbët zunë t’i lëvizin ngadalë dhe pa fuqi. Po tashti s’ishin më në gjendje t’i vinin në ndihmë vullnetit për të jetuar, që i bënte të lëviznin e të përplaseshin rreth e rrotull. Në atë çast ndodhej tepër thellë dhe ato s’mund ta ngrinin më kurrë mbi sipërfaqe. I dukej sikur po lundronte nëpër një det të pafund vegimesh… Vetëm kaq kuptoi! Kish rënë në një humnerë të errët. Dhe, sa e kuptoi këtë, e humbi vetëdijen për gjithmonë.”

3.

Sikurse tek Riggan-i, edhe fundi i Martin Eden-it të shëmbëllen më shumë me një fund aq të dashur e të lakmueshëm sesa me një vetëvrasje. Që të dy kishin përbuzur të mirat materiale dhe famën e një “Société du spectacle” në kondita tëhuajsimi dhe me nihilizëm po kërkonin një shkallë më të lartë vetëkënaqësie, një të atillë në amshim.

Por ku dallojnë “Birdman”-i dhe Martin Eden-i? I pari e ka provuar një herë famën dhe në fund e kupton kotësinë e saj, lufton me instiktin e tij egoist (lexo: ndërdijen “Birdman”). I dyti ngarend pas saj tërë jetën dhe në fund e kupton se s’po ia vleka në atë shoqëri ku komodifikohet gjithçka, edhe qenia. Pra, “Birdman”-i është një përmbysje e Martin Eden-it. Është lexim i mbrapsht i tij. “Birdman”-i dhe Martin Eden-i janë pervertja, çoroditja, përmbysja e shoqi-shoqit. Janë i babëzituri dhe i iluminuari. I pari lakmon famën për lavdi. I dyti kërkon kërkon famën për dashuri. I pari vdes për famë; i dyti bëhet i famshëm për të vdekur. Por që të dy këta personazhe janë, siç e thoshte më vonë vetë London-i për romanin e tij, një “goditje ndaj individualizmit”. “Individualizmi është fasadë prapa së cilës fshehet dështimi për të arritur një sens individual identiteti”, shkruante Erik Fromi tek “Shoqëria e shëndoshë”. Një gjendje depresioni ku trupi është i gjallë, por nuk ndien hiçgjë. Një paaftësi për të ndier, një vdekje e shqisave. E kundërta e tij – lumturia si eksperiencë e të jetuarit në mënyrë produktive dhe zbulesë e vetvetes; si përjetim i tërësisë që nuk zbulohet dot në pasivitetin e internalizuar. Këtu qëndron kuintesenca e këtyre dy veprave artistike – arti është kulmim pasionant drejt lumturisë dhe jo neps konsumerist për egon.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.