Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Bota, aty ku çështjet personale dhe çështjet politike konvergojnë

Vallëzimi i zjarrtë i Norës në mes të shkretëtirës me një melodi nostalgjike të së kaluarës që përfundon filmin Bota (Iris Elezi & Thomas Logoreci, 2014) krijon një imazh shumë të ndikueshëm që gjallërisht kap imagjinatën e spektatorëve, i ndjek dhe i çliron ata në të njëjtën kohë. Imazhi i saj në lëvizje – pikërisht si një flutur, si krijesa më e bukur – në këtë peizazh të izoluar në sfond, e bën Botën dëshmitarin e gjallërisë së shpirtit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Kjo është mënyra në të cilën regjizorët Elezi dhe Logoreci zgjodhën të përfundojnë filmin e tyre Bota, një film rreth humbjes, dashurisë, jetës, dhe tradhëtisë, një film që kujton tragjeditë dhe traumat e së kaluarës, mbijeton gjendjen e së tashmes, dhe beson në një të ardhme shpresëdhënëse. Ky është një film që ka të gjithë inteligjencën e nevojshme për të krijuar një tregim frymëzues përmes personazheve, peizazhit dhe muzikës, një konvergjence dinamike, intriguese dhe përjetësisht komplekse. Në vijim do të diskutoj filmin në lidhje me karakterizimin, stilin, dhe shqetësimet tematike dhe do të analizoj elementet që e bëjnë atë jo vetëm një homazh ndaj trashëgimisë sonë kulturore – veçanërisht ndaj traditës e muzikës, letërsisë, dhe kinemasë – por gjithashtu e bëjnë të qëndrojë si një letër dashurie drejtuar të kaluarës.

Në aspektin e karakterizimit, filmi përmban dhe përzien tri gjenerata aktorësh që ndërveprojnë me njëri tjetrin dhe përshkruajnë me kujdes një tregim të sinqertë për jetën bashkëkohore në Shqipëri ashtu siç ajo është prekur dhe formuar nga e kaluara tronditëse. Filmi me krenari paraqet zonjën Tinka Kurti në një interpretim të jashtëzakonshëm si Noje, nga një artiste e madhe të traditës tonë të skenës dhe ekranit. Ajo ka kontribuar performanca dhe interpretime interesante dhe të rëndësishme gjatë karrierës së saj të gjatë, si në teatër ashtu edhe në kinema, bukuria dhe shkëlqimi i të cilave është e qartë se i rezistojnë kohës. Në filmi Bota luan edhe aktori Artur Gorishti i cili është i njohur dhe admiruar për talentin e tij siç është shfaqur në filma si për shëmbull Dora e Ngrohtë (Kujtim Cashku,1983) dhe Eja (Piro Milkani, 1987). Me rolin e tij si Beni në Bota aktori tregon një qëndrueshmëri të vitalitetit të tij në kohë që meriton lavdërimin e spektatorëve. Në mënyrë të ngjashme, Flonja Kodheli dhe Fioralba Kryedhima interpretuan me besnikëri dhe realitet dy personazhet kryesore të Julit dhe Norës. Juli është një introvert dhe për pjesën më të madhe të filmit qëndron pak e largët, ajo është një vajzë që meriton simpatinë dhe konsideratën tonë, në të cilën spektatorët përfundimisht vendosin shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Nora është një vajzë që konvencionalisht mund të quhet mendjelehtë, megjithatë në të njëjtën kohë Fioralba i jep karakterit e saj një dimension human që e shpëton atë nga natyra gjykuese njerëzore. Ajo e arrin këtë përmes përshkrimeve autentike të gjesteve të saj, në mënyrën se si ajo ecën, qesh, vallëzon, dhe dëshpëron në pendim.

Historia e Nojes, Benit, Julit, dhe Norës zhvillohet në fshati i vogël Adriatik i cili është një vend me rëndësi të madhe historike që vazhdon të mbajë shënjat e traditës komuniste deri në ditët e sotme dhe informon rutinën e përditshme të protagonistëve. Ktu ndodhen familjet e zhvendosura e njerëzve të persekutuar që e kundërshtuan partinë komuniste. Në këtë kuptim vendi dhe mjedisi i tij që kamera i kap në imazhe statike, befasuese dhe magjepse, është një karakter i zhvilluar plotësisht në të drejtën e tij, një element simbolik që lidh të kaluarën me të tashmen dhe negocion ndërveprimin e tyre të vazhdueshëm. Pra, vendi ku ‘asgjë nuk ndodh kurrë’, siç sugjeron Juli në një moment, është në të vërtetë një vend ku vetë historia ka ndodhur, një vend që përmban historinë bashkë me njerëzit e saj, këta njerëz që janë ‘të dëmtuar dhe ende të gjallë’. Nga momentet e para të filmit regjisorët kanë bërë një zgjedhje të mrekullueshme në mënyrën se si karakteret prezantohen për herë të parë  brenda narrativës përmes hapësirës që i rrethon ata. Ata na marrin për dore dhe me lëvizje ritmike dhe imazhe të njëpasnjëshme na tregojnë së pari fshatin e vogël në distancë, më pas afrohemi më pranë pallateve që përbëjnë fshatin, dhe më në fund arrijmë në ballkoni i Julit dhe përfundojmë brenda në shtëpi ku ndodhet Noja. Bota i bën homazh historisë të këtij vendi në një mënyre unike, pa përdorur estetikë melodramatike, por thjesht duke mbajtur një aparat fotografik për të dokumentuar realitetin në një realizëm fenomenologjik. Nënkuptohet nga kjo zgjedhje stilistike e hapjes së narativës se filmi bëhet pjesë e veprimtarisë shoqërore dhe kulturore të qarkullimit së tregimeve si një mjet për ruajtjen dhe përkujtimin e historise kulturore. Bota është një tregim, është si një përrallë jo nga e kaluara por për të kaluarën, dhe spektatotët përfitojnë nga pasqyrimi i drejtpërdrejtë dhe i fuqishëm i ndikimit të tij në të tashmen.

Përpos karaktereve të komplikuar, ka edhe disa elemente të caktuara strukturore në film që kombinohen dhe mundësojnë krijimin e këtij homazhi. Muzika që filmi përdor është po aq e rëndësishme sa peizazhet dhe personazhet, në mënyrën se si ajo kombinohet me referenca ndaj një traditë të kinemasë si ashtu dhe të letërsisë shqiptare për të arritur një pasqyrim nostalgjik gjatë gjithë tregimit. Meloditë e balladave të viteve 1960 zakonisht shoqërojnë Julin në rrugën e saj për në punë ndërsa ajo udhëton nëpër hapësirë dhe vështron rrethinat, pra muzika në këto çashte funksionon si një transmetues midis historisë, vendit, Julit dhe spektatorëve. Apoteoza e kësaj lidhje magjike vjen në minutat e fundit të filmit me kërçimin e Norës i cili, në kundërshtim me skenat e heshtura që hapin filmin, është plot energji. Elementet vizuale dhe aurale e kësaj skene finale kombinohen dhe prodhojnë një efekt ekstatik dhe ndihmojnë në funksionimin terapeutik të procezit kompleks të tregimit që tani po arrin në fund. Ky proces i ofron spektatorëve mënyra alternative për të kuptuar dhe ri-imagjinuar të kaluarën, dhe për t’u pajtuar me të në një përpjekje për të jetuar të tashmen pa pendim ose dhimbje.

Në lidhje me referencat ndaj traditës kinematografike, mbas prezantimit e Julit dhe Nojes, filmi kalon tek Nora dhe na e prezanton atë në dhomën e saj të gjumit murret e të cilës janë të dekoruar me fotografi të figurave femërore të traditës tonë kinematografike, një traditë në të cilën Elvira Diamanti dhe personazhi i famshëm i saj Marigo nga filmi Përrallë nga e Kaluara (Dhimitër Anagnosti, 1987) mban një vend qendror, gjithashtu dhe në dhomën e Norës. Filmi zbulon haptazi ndikimet e tij kulturore dhe përsëri dëshmon ndërthurjen ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes.

Si përfundim, me karakterin e gjeneralit i ushtrisë së vdekur i cili është klient i përditshëm në kafene Bota ku Juli punon, filmi i referohet veprës letrare të Ismail Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur, një roman i botuar në Tiranë në 1963, dhe në të cilin Dhimitër Anagnosti bazoi filmin e tij Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989). Romani bën fjalë për një gjeneral italian i cili shkon në Shqipëri për të kërkuar eshtrat e ushtarëve italian që ranë në kohën e pushtetit (madje në një skenë Noja duket e ulur në dhomë duke ndjekur skena nga filmi i adaptuar). Në të njëjtën mënyrë, gjenerali i filmit Bota përfundimisht zbulon eshtrat e të jëmës të Julit pikërisht në kampin ku kafeneja Bota qëndron, dhe e gjen Julin për t’i zbuluar asaj gjithë të vërtetën se si e ëma e saj Alba ‘u ekzekutua për veprimtari armiqësore kundër partisë dhe shtetit’. Për herë të parë Juli kupton se kushëriri i saj Beni ka përfituar nga shpërblimi financiar për njerëzit e ekzikutuar dhe Nora, e cila është shtatzënë me fëmijën e Benit, ka qenë në dijeni për këtë. Pikërisht kjo njohuri, zbulimi i kësaj të vërtete e shtyn Julin të largohet nga ky vend në kërkim të një jete të re. Pra, qe transformimi i saj nga një vëzhguese në një pjesëmarrëse aktive që shkaktoi ikjen e saj.

Në nivel personal dhe kolektiv, vjen në këtë moment katarza qe spektatorët kanë pritur. Pra, patosi i traumës dhe i historisë përfundon në një rreth të plotë nga i cili Juli, Bota, dhe spektatorët dalin të dëmtuar por ende më të gjallë se kurrë.

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.