Regjisoren Chantal Akerman e takova në nëntorin e vitit që shkoi; isha ftu nga ambasada franceze për të moderu një bisedë mbi punën e saj në kuadër të javës frankofone. Por plani ynë mori kahje tjetër atë mëngjes. Skenës së vogël të Teatrit Kombëtar nuk i gjindej çelësi. Pas një ore telefonatash të pasukseshme, drejtori (i atëhershëm) e theu derën e sallës për nderin tonë. Fatmirësisht veshja e tij semi sportive i mbijetoi operacionit.Tani ishim brenda mirëpo problemet nuk kryheshin – projektori nuk punonte. Drejtori përfundimisht u lodh nga çështjet teknike. Për ndonjë arsye vendosi se të gjitha ngatërresat i kishim shkaktu ne dhe meqë i erdhi më lehtë -më sulmoi mua- sepse nuk e përktheja monologun e tij të dehur të mëngjesit për të gjitha fajet që i kishin organizatorët dhe miqtë ndërkombëtar atë ditë. Unë në fakt ndoshta edhe do ta përktheja, por m’kishte heshtë turpi, sepse Chantal Akerman dhe publiku ishin aty me ne gjatë gjithë këtij cirkusi. Na shikonin.
Sidoqoftë, Akerman nuk lejoi që takimi me publikun të mbyllej hidhët. Na ftoi të gjithëve në kafe pranë teatrit – duke mos e dijtë se kjo është shtëpi e natyrshme e dijes për çdo kosovar. Çuditërisht, kjo ditë me gjithë dramat saj, në kokë më është palu si kujtim i fuçishëm dhe para së gjithash i këndshëm. Ka të bëje me faktin se Akerman shpejt e vendosi një komunikim shumë intim në tavolinë. Filloi me fëmijerinë dhe kjo mbeti temë të cilës iu kthyem shpesh atë ditë. Prindërit e Akerman ishin hebrej polak që mbijetuan Hollokaustin për të vazhdu betejën e tyre në Belgjikë. Akerman herët zhvilloi një lidhje të thellë me nanën e cila shpesh është subjekt në filmat që punoi duke përfshi edhe filmin e fundit No Home Movie (2015). Ishte vetëm 15 vjeçare kur shikoi Pierrot le fou të Jean Luc Godard dhe vendosi se imazhet janë gjuha me t’cilën ajo do të na flasë. Tre vjet më vonë e punon filmin e parë Blow Up My City, e braktisë shkollën e filmit dhe niset për New York. Është fundi i viteve ’60 dhe frymat si Andy Warhol, Yvonne Rainer e Michael Snow e shlirojnë Akerman për të rrëfyer atë që nuk ishte pa në kinema deri atëhere – gruan. Ndërthurja e zanit natyral, kuadrave të gjatë kujdeshëm të organizum dhe grave në ambijente kryesisht të izoluara ku bajnë jetën e tyne jospektakulare të shërbtorit – mbeten ekslorim unik i Chantal Akerman. Këto gra deri në atë moment nuk kanë ekzistu në eknanin e madh sepse ato shkruheshin dhe drejtoheshin prej burrave andaj edhe luanin vetëm në shërbim të personazheve kryesore – burra. Kjo logjikë vazhdon te jetë valide edhe sot.
Me 24 vjet e punon filmin Jeanne Dielman, 23 Quai du Commerce, 1080 Bruxelles (1975) dhe shfaqet me të në Cannes. Aty obzervon Jeanne Dielman, të vejen e një veterani lufte që ka një djalë për të cilin kujdeset. Anatomija e jetës së saj shqyrtohet vetëm brenda mureve të shtëpisë ku jeton. Perditshmëria e Jeanne është repetative. Aty gatuhet shumë, pastrohet shumë, dhe për mbijetesë shitet trupi i saj shpesh. Kjo narrativë na gjen të pa përgaditun sepse ajo duket si çdo nanë e gjyshe elegante e konzervative që e njohim. Andaj kurrë nuk e shohim në shtrat gjatë seksit, e as kur vret klientin e saj, sepse Akerman na lejon të shohim vetëm atë pjesën e jetës së gruas ku nuk ndodhë asgjë. Ky film edhe sot mbetet një prej veprave më të rëndësishme kinematografike në planetë. Gjithashtu shënon fillimin e shikitimt të gruas në film.
Vizita e saj Prishtinës, kryeqytetit që sot ka vetëm një kinema, natyrisht se kaloi ashtu pavërejtur me një incident provincial që fatmirësisht nuk perfundoi me pasoja. Lajmi për vdejkjen e saj këtë javë më gjeti në L.A. ku jo rrallë mendoj për të përderisa e shikoj gruan amerikane në media çdo ditë duke kërku drejtësi në industrinë që e ndërtoi me trupin e saj. Ato sot kërkojnë hapsinën e meritume pas një sheklulli pune ku historikisht paguhen më pak, gjithashtu historikisht nuk kanë gra prapa kameres për të shprishur narrativat tradicionale e formulaike. Nuk e di nëse Akerman ishte zgju shumë herët apo bukuroshet e fjetura të Hollywood’it vonë kuptuan se princi nuk vjen për ti zgjuar ato por është aty për të regjistru edhe një skenë të paharrushme erotike për ekran e cila më gjasë do të shes biletat në kinema këtë vikend. Gratë në Evropë, në anën tjetër, falë Akerman këtë mesazh e morën shumë herët sepse ajo vetëdijshëm intervenoi në logjikën e kujtesës mbi to, duke dokumentu dhe shfaqë jetën që gruaja dhe të margjinalizuarit e tjerë me shekuj nuk e bëjnë në publik.