Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Djepi i kulturës së pashait

Një aparatçik i shtetit, nga ata të shumtët që kostumin elegant e kanë në shpërputhje me nivelin e kulturës, iu afrua para disa ditësh banakut në lokalin ku po e pija kafen e mëngjesit, i etur me gjasë për t’ia treguar pushtetin e tij një banakieri të thjeshtë, e për t’u ndier mirë për veten e tij.

Pa dyshim, aparatçiku ishte i pavetëdijshëm se me sjelljen e tij po e prodhonte një situatë që dikujt mund t’i dukej komike (e që do të bëhej shkas për një shkrim).

“Sindromi i Hitlerëve të vegjël”, e quajnë psikologët fenomenin e njerëzve që kanë fuqi ndaj njerëzve të tjerë por që njëkohësisht (për kushedi se çfarë arsyesh) ndiejnë se gëzojnë mungesë të respektit dhe statusit social. Si rrjedhojë, të tillët e shfrytëzojnë fuqinë për t’u hakmarrë për deficitin e tyre social e për të shfryrë mllef.

E “pata fatin” ta vëzhgoja këtë Hitlerin e vogël të kafenesë teksa me vetëbesim të plotë i thoshte banakierit se koncepti i vetëshërbimit – pra i marrjes së pijes në banak, që është praktikë e lokalit në fjalë – na qenka hiç më pak se i jashtëligjshëm!

Madje, sikur kjo akuzë absurde të mos mjaftonte, aparatçiku ia tregonte banakierit dhëmbët, duke kërcënuar se do ta raportonte lokalin në inspektorat!

Banakieri me mirësjellje i shpjegonte aparatçikut se vetëshërbimi është praktikë e shumë kafeneve në botë (mjafton ta kujtoni psh. zinxhirin më të madh Starbucks).

Por pas çdo sqarimi aparatçiku bëhej edhe më arrogant, sepse në mendësinë e tij autoritare vlen ajo thënia “might is right” (fuqia ka të drejtë).

Përse të mos e mendonte një gjë të tillë?

Fundja, edhe ai si të gjithë ne të tjerët e di se jetojmë në një vend dhe rajon ku forca e dikujt jo vetëm që pranohet dhe legjitimohet gjerësisht, por edhe respektohet dhe nderohet si vlerë!

“Ah, i fortë është ky!”, “Kush o ma i forti?”, “Shumë bos je!” – të gjitha këto thuhen si komplimente dhe me konotacion pozitiv!

I zgjuar me këmbë të majtë në këtë vapë përvëluese, nuk durova pa ndërhyrë në bisedë, meqë edhe isha fare afër këtij personazhi, që ishte komik pikërisht sepse e merrte veten shumë seriozisht.

“Më fal, por cili ligj po thyhet këtu?”, pyeta shkurtimisht.

“Ligji i punës!”, u përgjigj aparatçiku i habitur prej ndërhyrjes, pa dhënë ndonjë sqarim shtesë mbi ndonjë nen konkret (sepse natyrisht nuk ka nen të tillë!), para se të largohej drejt tavolinës së tij, si një “viktimë” e rënduar nga dy shishe të vockla lëngjesh, duke e mallkuar me ofshama faktin se “nuk ishte i aftë për të qenë kamarier!”

Kur e pash se sa traumatike ishte për këtë njeri kjo përvojë e transportimit të dy shisheve, supozova se kjo po ndodhte për shkak kurrë në jetë nuk ia kishte shërbyer vetes as edhe një gotë çaj në shtëpi.

Sepse zakoni i kulturës sonë patriarkale e do që “burrat” si puna e tij të trajtohen si princër e mbretër prej grave të shtëpisë, pa mbajtur pikë përgjegjësie për veten e tyre, deri në moshën e rritur kur, përkundër faktit se janë të paaftë për të qenë përgjegjës për veten, automatikisht me sistemin e Odave marrin përgjegjësi për gjithë shoqërinë.

Dhe natyrisht, vlerat që i mësojmë në shtëpi qysh prej djepit, përfshi edhe ato në lidhje me përgjegjësinë, i praktikojmë edhe jashtë në shoqëri.

Prandaj si mund të presim prej burrave pashallarë që janë të mësuar prej vegjëlisë për të menduar se bota duhet të sillet rreth tyre, apo se forca është e barabartë me drejtësi, që në moshë të rritur të kenë konsideratë për të tjerët, e sidomos për më të dobëtit?

Të tillët natyrisht se do të mundohen që botën ta rrotullojnë rreth tyre me ose pa dëshirën tonë. Dhe këtë gjë shumë prej tyre po e bëjnë prej vitesh. Mjafton të shohim se si paratë e secilit prej nesh i trajtojnë sikur të ishin të tyret, sepse janë të bindur se i meritojnë.

Sa e sa pashallarë të tillë ndodhen sot nëpër zyra shteti dhe e kanë kthyer institucionin në shërbim personal (mos të flasim për ata që janë të paaftë për të bërë diçka edhe kur duan)?

Është e qartë se politika dhe administrata gjithandej në botë i tërheq jo detyrimisht më të mirët e një vendi, por më të uriturit për pushtet – ata që fuqinë e kanë afrodiziak dhe nevojë për vetëpërmbushje. Por të paktën në vendet demokratike që i marrim për model është ndërtuar një kulturë dhe një sistem për t’u kërkuar llogari e për t’i larguar kur ia teprojnë.

Ajo që e bën të vështirë në Europë lindore krijimin e kësaj kulture të frenimit të fuqisë është legjitimimi dhe dominimi i gjërë në popull i mendësisë së pashait apo carit. Sepse shumica jemi pashallarë, kush më i madh e kush më i vogël, dhe mbi ne pranojmë vetëm pashallarë më të mëdhenj (pra më të fortët).

Për shkak të kësaj mendësie ne pas Luftës së Dytë ia hapëm dyert lehtësisht komunizmit dhe diktaturave (“pashallarëve të kuq”, thoshte Kadareja), ndërkohë që perëndimi ndërtoi demokraci funksionale dhe pluraliste. Për shkak të kësaj mendësie ne lejuam që edhe në pluralizëm të prihemi nga pashallarë.

Sepse mendësia pashallare e popullit i jep pashait mandat për të sunduar e jo për të qeverisur. Prandaj në këtë drejtim ne si rajon jemi kulturalisht shumë më afër Turqisë dhe Rusisë sesa Suedisë apo Çekisë.

Është e dobishme dhe e admirueshme që në angazhimet tona publike të marrim shembuj të sjelljes nga rubrikat  “modestia e liderëve skandinavë” apo “dorëheqjet e politikanëve që gabojnë”.

Por shumicën e ditëve duket dëshpërimisht e kotë që ta sfidosh mendësinë e Odës, që në pushtet, ashtu si në shtëpi, parapëlqen baballarë të fuqishëm dhe mbi ligjin (sepse ligj mbi ligjet është interesi i partisë dhe bajrakut).

Ja, i mbajmë prapë nesër zgjedhjet, dhe do të shohim se do të jenë prapë këta të njëjtit pashallarë në krye, dhe do të dëgjojmë nga “të përndriturit” se faji është i liberalizmit të imponuar nga jashtë, e jo i një kulture që nga djepi prodhon burra me autoritet të pafrenuar që nuk njohin përgjegjësi.

Liberalët e kuptuan anën e errët të natyrës njerëzore, pasojat e pushtetit të pafrenuar, dhe, për dallim prej komunistëve që u përpoqën të “ndërtojnë njeriun e ri”,  propozuan krijimin e mekanizmave frenues. Këta mekanizma frenues te ne nuk funksionojnë për shkak të kulturës politike pashallare, prandaj edhe në Ballkan nuk mund të flasim për praktikë liberale përtej mbajtjes së zgjedhjeve formale.

Dihet se çfarë ndodh me pushtetin e pafrenuar. Thonë anglezët: “Fuqia korrupton, por fuqia absolute korrupton absolutisht!”

Fuqia absolute bën që në një ditë të rëndomtë, një aparatçik shteti të sillet si idiot përballë një banakieri, vetëm pse po i prishet lazdrimi i pashait.

Fuqia absolute dhe e pafrenuar u mundëson Hitlerëve të vegjël që dikur të bëhen Hitlerë të mëdhenj.

Fuqia absolute mund të sfidohet, por jo vetëm duke luftuar politikisht me një brez që është i mishëruar me kulturën e pashait, por mbi të gjitha duke i edukuar fëmijët, prej djepit e deri në çdo hap të sistemit arsimor, se ekziston diçka që quhet përgjegjësi individuale, dhe se bota nuk sillet rreth tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.