Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Ekonomia e Kruzosë II: Këmbimi

Në shkrimin e kaluar mësuam se si, duke i analizuar veprimet e Kruzosë së vetmuar në ishull, mund t’i kuptojmë më mirë disa koncepte bazë të ekonomisë si konsumin, rendimentin, kursimin, investimin dhe prodhimin. Kësaj radhe analizës do t’i shtohet një element i ri: këmbimi. Këmbimi është i mundur vetëm nëse ekziston liria për të këmbyer dhe nëse në treg ekzistojnë dy apo më shumë aktorë ekonomikë.

Pse këmbejnë njerëzit? Njerëzit këmbejnë sepse e kanë të pamundur t’i prodhojnë vetvetiu të gjitha gjërat që atyre u duhen. Mendoni për një moment gjërat që i përdor njeriu në përditshmëri: ushqimin, strehën, orenditë e shtëpisë, telefonin, kompjuterin, televizionin, etj., si dhe shërbimet që i merr nga të tjerët: mjekësore, të avokatit, të arkitektit, etj. A e ka të mundur njeriu t’i prodhojë të gjitha këto vetvetiu? Ndoshta disa prej tyre por jo të gjitha. Njeriu i këmben paratë e tij për këto gjëra si dhe anasjelltas, e këmben fuqinë e tij të punës për ato para (të ardhura).

Njeriu këmben sepse e vlerëson më shumë atë që e merr sesa atë që e jep; ndryshe nuk do të kishte arsye për të këmbyer. Personi A që i jep 200 euro në këmbim të një telefoni e vlerëson telefonin më shumë se 200 euro; ndërsa Personi B që e këmben telefonin për ato 200 euro të Personit A i vlerëson ato më shumë sesa telefonin. Më parë Personi A e ka këmbyer fuqinë e tij të punës me Personin C për pagën e tij 400 euro, sepse e ka vlerësuar pagën më shumë sesa fuqinë punëtore kurse Personi C e ka vlerësuar fuqinë punëtore të Personit A më shumë sesa pagën që ia ka paguar.

Ky gjykim ndryshe apo i “kundërt” është i mundur sepse njerëzit i vlerësojnë gjërat subjektivisht. Vlera ekonomike nuk është objektive (e “ngulitur” në objekte fizike) ashtu siç menduan ekonomistët klasikë; ajo është në sytë dhe mendjen e atij që e vlerëson. Vlerësimi ekonomik është gjithmonë rendor: për Personin A telefoni është i renditur më lart se 200 euro, kurse për Personin B 200 euro më lart se telefoni, e për Personin C fuqia punëtore e Personit A më lart se 400 euro.

Vlerësimi ekonomik është gjithashtu margjinal, d.m.th. për një sasi të caktuar, jo për klasën e përgjithshme të mallit. Kur Personi A e vlerëson telefonin më shumë se 200 euro, ai e vlerëson atë njësi specifike të telefonit dhe eurove; jo të gjithë telefonat dhe të gjitha paratë në ekzistencë. Njësoj edhe për fuqinë e tij punëtore: ai është i gatshëm ta japë një sasi të caktuar të fuqisë së tij punëtore për 200 euro, jo të gjithë fuqinë e tij.

Vlerësimi i individit është gjithashtu subjekt i një ligji bazik ekonomik. Ai ligj quhet zvogëlimi i dobisë margjinale. Ky ligj nënkupton që me shtimin e sasisë së një malli, dobia subjektive e mallit për individin zvogëlohet margjinalisht (d.m.th. për çdo njësi). Merreni shembull një sasi uji të ndarë në disa kova. Një individ i ka disa nevoja që në mënyrë rendore mund t’i përmbushë me secilën kovë. Meqë ai subjektivisht vendos që për të nevoja më urgjente është mbijetesa, atëherë ai kovën e parë logjikisht do t’ia dedikojë përmbushjes së kësaj nevoje. Vetëm pasi ta ketë siguruar mbijetesën do të mendojë për nevoja më pak urgjente, siç janë përdorimi i kovës për të gatuar, për t’u pastruar, e kështu me radhë. Kjo nënkupton që çdo kovë e ujit ka dobi gjithnjë e më të vogël për të dhe e kundërta vlen po ashtu: çdo kovë më pak ka dobi gjithnjë e më të madhe. Ky ligj ekonomik vlen për të gjitha mallrat dhe shërbimet, përfshirë edhe paranë.

E gjithë kjo mund të duket e komplikuar por nuk është edhe aq nëse analizohet duke vështruar bashkëveprimet e Kruzosë dhe personit të ri të cilin e takon rastësisht në ishull: Frajdej.

Si do të reagojë Kruzoja kur e hasë Frajdejn? Një mënyrë si mund të reagojë është ta shohë si rrezik dhe t’i vërsulet për ta vrarë, por mundësia e këmbimit mund të jetë arsye për të mos e bërë këtë. Derisa Frajdej u paraqit në ishull, Kruzoja u detyrua që të gjitha gjërat t’i prodhojë vetvetiu dhe rrjedhimisht gama e gjërave që mund t’i konsumonte ishte e ngushtë (ashtu si në shoqëritë rurale). Me ardhjen e Frajdej atij i shtohet mundësia për këmbim që më parë nuk e kishte pasur.

Kruzoja tanimë ka zhvilluar aftësitë e tij të mbledhjes së arrave të kokosit falë shkopit që e ka ndërtuar (kapitalit fizik) si dhe falë kalitjes së aftësive të tij të punës (kapitalit njerëzor). Frajdej, në anën tjetër, nuk e ka as aftësinë për mbledhjen e arrave të kokosit as shkopin. Ai, megjithatë, është peshkatar shumë i aftë. Përveç aftësisë së tij për t’i kapur peshqit e vegjël me dorë, Frajdej di gjithashtu të ndërtojë rrjeta rudimentare nga drunjtë dhe gjethet e ishullit për t’i kapur edhe peshqit më të mëdhenj. Por pas shumë vitesh duke e konsumuar produktin e njëjtë, atij tani i duken më tërheqëse arrat e kokosit. Në anën tjetër Kruzoja është i intriguar nga mundësia për ta konsumuar peshkun të cilin nuk ka arritur ta kapë asnjëherë pas gjithë atyre muajve në ishull.

Të dy pra subjektivisht e vlerësojnë më të dobishme atë që e ka tjetri. Vlerësimi i tyre është margjinal: një sasi e peshkut për një sasi të arrave dhe anasjelltas. Për shkak se të dy kanë kursyer sasi të arrave dhe peshkut mbi nevojat e tyre subjektive, dobia e tyre margjinale për secilën njësi të arrave dhe peshkut është më e vogël se zakonisht. Rrjedhimisht, ata janë të gatshëm për t’i këmbyer ato me njëri-tjetrin. Sasia e arrave dhe peshqve si dhe gatishmëria e tyre për t’i këmbyer (oferta dhe kërkesa) e përcaktojnë çmimin e dy produkteve në treg. Shembull, ky çmim mund të jetë 1 peshk = 2 arra apo 1 arrë = 0.5 peshk, varësisht nga oferta e produkteve dhe kërkesa për to.

Çfarë implikimesh ka pasur futja e elementit të këmbimit në këtë analizë? Ajo ka dëshmuar sesi tregtia ia rritë një individi mundësitë e konsumit. Edhe Kruzoja, edhe Frajdej mund të konsumojnë më shumë produkte, të më shumë llojeve falë tregtisë dhe mund ta rrisin standardin e tyre të mirëqenies. Edhe po të kishte Kruzoja të dy aftësitë, shembull edhe për të peshkuar edhe për të mbledhur arra, përsëri këmbimi në mes tij dhe Frajdej do të ndodhte për faktin se Kruzoja do të përqendrohej në njërën prej punëve që e bën më mirë.

Nga ky mikrokozmos mund ta kuptojmë rëndësinë e tregtisë në rritjen e mirëqenies dhe standardit të jetesës. Aplikimi i këtij mësimi është i njëjtë si në shoqërinë e dy personave si në atë të milionave.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.