Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Gjergj Fishta nuk asht tallash për koshiqa gazetash

Në gazetën “Dielli” (23 dhetor, 2021: https://gazetadielli.com/taralloqja-e-ballkanit/) më rastisi me lexue nji shkrim të nji zotnie mbi Gjergj Fishtën dhe veprën e tij “Taralloqja e Ballkanit”. Çudia e këtij shkrimi nuk ishte ‘kritika’ edhe pse jo kritik letrar z. Adil Fetahu, por ishte licenca që dikush i jep vetes me shkrue për diçka edhe pse jo në zeje të tij. Me qenë lexues dhe kritik janë dy sende të ndryshme, aq ma shumë kur fjala vjen te vepra e Fishtës. Shkrimi i z. Fetahut kishte ardhë për shkaqe aspak të vërteta. Ky zotni ishte ndeshë me “Taralloqen e Ballkanit” mbasi Botimet Françeskane, në Shkodër, botuen kolanën e Fishtës në vitin 2020. Ma saktë, kjo kolanë i ka ra në dorë, siç e thotë vetë, nja dy muej para se me publikue vetë shkrimin. Ndërkohë që T.B. asht botue qysh në 1944 në Hyllin e Dritës dhe të paktën kjo revistë (1913-44) ka ma shumë se nji dekadë që qarkullon e plotë online prej Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër e ma vonë prej Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Zotnia pohonte se meqë nuk kishte ndeshë kund në internet kritikë për këtë vepër, si edhe për “Nikolejdën”, kishte pleqnue me vete se nuk ka kritikë për këto vepra, pavarësisht se e kishte lexue punimin tim në atë edicion mbi satirën e Fishtës. Asht me vend me i thanë z. Fetahut se librat apo shkrimet jo gjithherë janë pjesë e internetit, por ata xanë vend në raftet e bibliotekave, do ma të hollë e do ma të trashë. Për T.B. ka kritikë të botueme, sidomos mbas viteve ’90 (P. D. Gjeçaj, S. Çapaliku, etj.), por autori meqë ka qenë sefte në këtë fushë ka mendue se nuk ka. Ma e bukra asht se, meqë punimi im (Fishta, poet etern) në vëllimin e Satirës së Fishtës (2020) nuk asht kund online, ia ka thanë mendja me e ripërtypë në standard dhe me e qitë shpeshherë njisoj komentin tim mbi satirën fishtiane, ku tue arrnue e ku qepë, e ku kajherë rrofta dreqi tue përmendë edhe termin ‘burlesk’, për të cilin kam folë gjanë e gjatë qysh prej 2010. Për historinë e kritikës mbi Gjergj Fishtën, tash 100 e kusur vjet, ‘burlesku’ asht term krejt periferik. A janë a s’janë pesë vetë që e përmendin nominalisht, ndërkohë që analizat e thellueme mungojnë. Vetë autori i këtyne rreshtave rendit disa publikime të vetat mbi këtë nocion, në bibliografinë në fund të Fishta, poet etern.

Me i marrë përfundimet shkencore të dikujt dhe me i paraqitë si të vetat, natyrisht asht shkelje flagrante për ligjet profesionale dhe ato juridike. Këto të fundit, ndoshta z. Fetahu duhet me i ditë ma mirë. Gjithsesi, plagjiarizmi, motit e kam shkrue, asht simptomë virale ndër akademikë shqiptarë (edhe fishtologë), e jo ma ndër të tjerë që e këndojnë Fishtën sa për eglendisje. Sikur të mos ishte mjaftue me kaq, me nji mijë e sa ka, z. Fetahu ia kishte nisë edhe ‘me heqimue’ në punë të Fishtës, porsi Dijsja e tij. Kesh njifarë oponence të pamotivueme me ato që kishte pohue ‘prof. dr. Lisandri Kola’ në lidhje me shtjellimin e fjalës ‘taralloqe’. Ma së parit, publiku i mêndshëm duhet me e ditë se unë nuk e gëzoj titullin që më ka vû përpara emnit z. Fetahu, por vetëm gradën ‘doktor i shkencave letrare’ (qysh prej 2014) mbi veprën e Gjergj Fishtës. Deri të vijë ajo kohë, kam me pasë ngê boll për prefikse që nuk i lakmoj në këtë fazë të karrierës akademike.

Zotnia në fjalë pohon: “Autori i ‘Hyrjes’ (të gjatë 55 faqe) që iu bënë katër satirave të Fishtës, prof. dr. Lisandri Kola, nga Miçigeni, fjalën “taralloqje” e shpjegon si këngë qesharake e fituesve mbi humbësit në lojën e kapuçave. As ky shpjegim nuk ma mbushë mendjen se në rastin konkret “Taralloqja e Ballkanit” ka këtë kuptim, duke pasur parasysh qëllimin shpotitës, me konotacion politik, që Fishta iu bënë mbretërve të Ballkanit të asaj kohe”. Në krye të herës, unë nuk po kam dert (jo pasha bukën!) pse nuk po ia mbushi mendjen atij, por halli asht se as Fishta nuk ia ka mbushë mendjen. Po ta kishte ulë pak mustakun z. Fetahu, përnën vijë të fletës, në fusnotën përkatëse të punimit, shkruhet: “Shih: Fj. e Bashk. “Torollacé, ia, vf. Canto buffo dei vincitori su i vinti nel giuoco dello delle berette”; Fialuer i Rii i Shcypés, Perbâam préie Shocnîiet t’Bashkimit, Shkoder, 1908, f. 460.

Pra, shpjegimi i fjalës ‘taralloqe’ në Fjalorin e Bashkimit, ekziston tash rrumbullak 112 vjet, edhe pse fishtologëve shqiptarë u ka shpëtue, siç e kam thanë për rastin e Gjeçajt. Fishta, tue qenë anëtar i Shoqnisë Bashkimi, ka mundësi se e ka futë vetë me dorë të djathtë në fjalor dhe nuk ka lanë shteg për keqkuptim aspak. Mandej, krejt çka mohon z. Fetahu në citimin e masipërm, konfirmon krejt çka kam thanë unë dhe përligjë burimin ku i jam referue. Po e bie edhe njiherë të plotë citimin tim mbi këtë poezi satirike: “Vetë titulli torollaqe [referue simbas fus. 67], don me thanë kangë qesharake e fituesve mbi humbësit në lojën e kapuçave. Nuk gjej pajtim me pohimin e P. Daniel Gjeçajt, i cili shprehet se ‘Vetë emni «Taralloqja», do të thotë «marroqja e Ballkanit» të ep me kuptue se vepra asht një farë parodie, në të cilën marrin pjesë kryetarët e Shteteve të këtij gadishulli, ku hyn dhe vendi ynë’. Nuk kemi të bajmë as me terma ekuivalentë, lokalistë-satirikë, të pellgut të Shkodrës (si torollicë) e torollaqe nuk asht as femnorja e fjalës torollak, që nënkupton simbas FGJSH nji person ‘të trashë nga mendja, budalla’. Me sa duket, përpiluesve të Fjalorit gjatë diktaturës shqiptare kjo fjalë u ka shpëtue pa e integrue hajnisht prej leksikut fishtian (e ma gjanë atij gegë), 45-6.”

Tue pasë parasysh veç çka ka përblue në krye të vet, ia ka nisë edhe me tjerrë dikah kah etimologjia, por mandej asht ndalë pse nuk i kanë dalë kurrqysh llogaritë në shpjegim, sepse Fjalorët që ka konsultue zotnia kanë qenë barabar si me qenë tue hapë pusin me gjylpanë. Kjo gja dëshmon se amatorizmi, sado vullnetmirë, nuk i vlen nji lexuesi as sado modest. Nëse asht puna sa me mbushë koshiqat e gazetave shqiptare (qoftë edhe “Diellin” në Diasporë), asht e parakuptueshme që Fishta nuk asht i njejti tallash. Redaksia e gazetës do të kishte qenë e mbara me e lexue vetë para se me publikue shkrimin e z. A. Fetahut, bile me ia ndreqë disi gabimet drejtshkrimore që na e pat lanë peshqesh stalinizmi shqiptar tash 50 vjet. Paj mos me i pa’ ardhë marre editorit, ishte dashtë me u këshillue edhe me ndonji studiues të Fishtës, a shtëpinë botuese të cilës i referohet zotnia i artikullit, për cilësinë e shkrimit sado pa synime kritike edhe pse e mohon nji kritikë (ekzistuese!) mbi T.B.

Tash morali i thjeshtë i kësaj historie asht se ndër shqiptarë asht ba rrugë me folë e botue mbi veprën e Fishtës pa asnji parakusht profesional, tue e damtue në tanësi profilin e këtij Poeti, dhe tue prû nji shembull jo të përshtatshëm për ata që shtypin bulat e gishtave për xham të celularit. Publiku duhet me u edukue me materiale serioze dhe me persona që janë të vaditun në fushën e letrave dhe të specializuem në studimet mbi Gjergj Fishtën (në këtë rast). Dëshira dhe vullneti me folë mbi punët e Fishtës nuk janë kritere të mjaftueshme për me u konsiderue për publikim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.