Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Gjuhëreja politike orwelliane: 2 + 2 = 5

Çdo regjim totalitar apo autoritar ndërton një fjalor adekuat për nevojat e tij. Në romanin ‘1984’ George Orwell, përmes personazheve të tij, tregon qartë dhe thjeshtë natyrën manipulative të këtyre regjimeve. Në këto regjime, Gjuha e Vjetër përmbyset dhe ndërtohet një Gjuhë e Re (ose Gjuhëreja) përmes së cilës gjuhë thjeshtëzohet realiteti. Në Oqeani, në vendin ku e vendos kontekstin e romanit autori, shkatërrimi i fjalëve të vjetra është një gjë e zakonshme, për faktin se çdo fjalë e ka të kundërtën e saj brenda. Siç thotë Orwell, ‘fjala e ka brenda vetes të kundërtën e saj. Le të marrim fjalën “mirë”, për shembull. Në qoftë se kemi fjalën “mirë”, ç’kuptim ka të kemi fjalën “keq”. “Jomirë mund të shkojë po aq mirë, madje edhe më mirë, pasi ndryshe nga tjera krijon të kundërtën e saktë të fjalës “mirë”. Në Gjuhërenë e këtij regjimi më nuk do të ketë nevojë për fjalë të panevojshme si “i përsosur”, “i shkëlqyer”. Meqenëse çdo vit do të hiqen fjalë nga gjuha e vjetër, qëllimi kryesor i Gjuhëresë është ngushtimi i hapësirës së mendimit deri në zhdukje. Nuk do të ketë nevojë fare për mendim. Mendimi i shëndoshë do të konsiderohet krim, prandaj në Gjuhëre instalohen, pos tjerash, fjalë krejtësisht të reja, si, fytyrkrim, ndalkrim, bardhëezi, joperson, mendimi i dyfishtë, Polici e Mendimit, krimmendim.

Për shembull. në Gjuhërenë e Oqeanisë, me fytykrim nënkuptohen të gjitha ato mimika në fytyrë që shprehim mosbesimin ndaj Partisë. Çdo ankth i pavetëdijshëm ose i vetëdijshëm që shprehej përmes fytyrës është i dënueshëm. Për të parandaluar çdo rrëshqitje eventuale, çdo mendim të rrezikshëm, kërkohej vetëdisiplinim i rreptë. Kurdo që mendimet e rrezikshme shfaqeshin në tru, gjëja e parë që bënin njerëzit në këtë regjim është t’i ndalnin në mënyrë instiktive këto mendime heretike. Kjo aftësi, në Gjuhëre, për t’i vetëkontrolluar muskujt e trurit që prodhonin mendime heretike quhej ndalkrim. Për të ndalur këtë krim, njerëzit brenda këtij regjimi jo vetëm që duhej të besonin, por edhe ta dinin, se e zeza është bardhë dhe të harronin njëherë e përgjithmonë se dikur e zeza mund të ketë qenë e zezë dhe e bardha e bardhë.  Procesi i vetëdijshëm përmes së cilit bëhet “zotërimi dhe pranimi i dy mendimeve të kundërta në të njëjtën kohë”, quhet mendim i dyfishtë.  Madje vetë mendimi i dyfishtë shprehet përmes mendimit të dyfishtë, për shkak se ky i fundit nuk e ka të njëjtin kuptim si në gjuhën e vjetër. Pushteti mbahet pafundësisht vetëm falë ushtrimit të mendimit të dyfishtë. Momentin kur njëherë e mirë e kontrollon mendimin e njerëzve përmes Policisë së Mendimit, nuk ekziston më kurrfarë realiteti i jashtëm objektiv. Kjo situatë prodhon një tip të njeriut që është joperson. Jo qytetar. Kjo është forma se si përmes kontrollimit të gjuhës, kontrollohet shoqëria. Vdes mendimi.

Lind partishmëria. “Partishmëri”, thotë Orwell, “do të thotë të mos mendosh – mungesë e nevojës që të mendosh. Partishmëri është pavetëdija”. Pra, ajo që është e aftë të mendoj; është vetëm partia e cila është “tru kolektiv dhe i pavdekshëm”. Realiteti është realitet partiak. Nëse diçka është e vërtetë këtë e di vetëm partia. Realiteti shihet përmes syve të partisë, dhe jo përmes mendjes individuale, por përmes mendjes kolektive partiake. Prandaj, armiku më i madh i njerëzve që jetojnë në Oqeani është sistemi i tyre nervor. Që kalkulon. Që logjikon. Në sistemin e ri politik, për të cilin flet Orwell, herezia e herzive është logjika dhe mendimi i arsyeshëm. Njerëzit janë të detyruar të pranojnë se dy dhe dy bëjnë pesë. Këtu, Ministria e së Vërtetës (realisht Ministria e Propagandës), inxhinjeron çdo fakt i së kaluarës. E kaluara falsifikohet. Dëshmitë zhduken. Librat, pikturat, statujat, rrugat e së kaluarës rishkruhen, ripikturohen, ridizajnohen, riemërtohen. Pra, nuk ekziston kurrfarë realiteti objektiv, pos asaj që prezanton partia. Meqenëse e kaluara zhduket dhe avullohet nga Partia, masat nuk kanë kurrfarë pike referimi të së kaluarës që ta kuptojnë se po shtypen. Këtu rreptësisht ndalohet krahasimi. Sidomos me të kaluarën.

Partia i eksiton njerëzit. Ju çet jargët jashtë. Krevati i vetëm ku derdhet krejt energjia e adhuruesve të Partisë është krevati i Partisë. S’ka nevojë për ndonjë krevat tjetër. Nuk kanë nevojë për seks. Partia punon përmes neurlogëve të saj që ta eleminojë orgazmën. Këtu promovohet dashuria e pastër vetëm për partinë.  Kjo dashuri nuk duhet të ketë asnjë konkurrent tjetër, qoftë bashkëshorte apo fëmijë. Art, as letërsi, as shkencë. Meqenëse njerëzit janë të privuar nga seksi, krejt epshin e tyre seksual  duhet ta drejtojnë drejt adhurimit të liderit. Ja çfarë shkruan Orwell për këtë dashuri dehëse ndaj Partisë, “kur bëjnë dashuri njerëzit harxhojnë energji, pas aktit lumturohen dhe nuk duan t’ia dinë për asgjë. Partia nuk e duron dot këtë ndjenjë. Ajo do që njeriu të jetë i mbushur me energji gjatë gjithës kohës. Tërë këto parakalime poshtë e lartë, brohoritje dhe valëvitje të flamujve janë seks i pa konsumuar”.

Në regjimet për të cilat flet Orwelli njerëzit nuk kanë bindje individuale. Mendimet individuale persekutohen përmes Policisë së Mendimit. Nëse dikush rastësisht merr guximin me mendu ose me përdorë Gjuhën e Vjetër, e cila gjuhë është armiku kryesor i Partisë, atëherë mundësisa që të avullohesh nga historia është e madhe. Për dallim prej regjimeve të tjera të mëparshme ku njerëzit digjeshin në furra drunjsh për bindjet e tyre por pa i ndryshuar ato dhe lavdia mbetej përgjithmonë tek viktima, në regjimin e ri, njerëzit pranonin çdo gjë (madje edhe 2+2 =5), dhe pasi të pranonin këtë avulloheshin nga historia pa lavdi. Emri i tyre fshihej nga ekzistenca. Shndërroheshin në gaz. Prezenca e tyre zhdukej në stratosferë. Nëse rastësisht këta njerëz do të mbijetonin, njerëzillëku i tyre do të vritej përgjithmonë. Kurrë, madje veç edhe një herë të vetme, nuk do të ishin në gjendje në buzëqeshnin. Lëre më të dashuronin.

Në esenë ‘Politics and the English Language’, Orwell shpjegon se gjuha politike është e dizajnuar asisoji që gënjeshtrat të tingëllojnë të vërteta, dhe përmes kësaj gjuhe të mbrohet e pambrojtshmja. Kjo është gjuha ku fjalët realisht e humbin kuptimin. Një tip i tillë arsyeton vrasjet. Mbron amoralitetin politik. Shpërblen krimin. Favorizon korrupsionin. Shtrembëron realitetin. Lavdon të keqen. Me fjalë të tjera. Gjuha e dyfishtë është rezultat, pos tjerash edhe i mendimit të dyfishtë. Kjo nënkupton se je i vetëdijshëm se cila është e vërteta, por në mënyrë të vetëdijshme ‘tregon me kujdes gënjeshtra të konstruktura’. Në gjuhën politike, të tilla fjalë mbesin barazia, demokracia, historik, triumf etj. Korruptimi i gjuhës politike çon pashmashmërisht në korruptimin e partive politike.

Në librin Beyond 1984: Doublespeak in the Post-Orwellian Era, Willaim Lutz, ka përmbledhur disa prej eseve më të mira në epokën post-orwelliane. Lutz, duke kombinuar Gjuhërenë dhe Mendimin e Dyfishtë krijon konceptin e Gjuhës së Dyfishtë. Për Linz, Gjuha e Dyfishtë është “një gjuhë e cila nuk e zgjeron por e kufizon mendimin”. Këtu, shprehet Lutz, e keqja duket e mirë, e papëlqyeshmja e pëlqyeshme, përgjegjësia papërgjegjësi. Për ta sqaruar tutje, Metta Winter, bën një dallim mes gënjeshtrës dhe gjuhës së dyfishtë. Dallimi, sipas Winter, është se gjuha e dyfishtë përdor eufemizma, zhargon, sinonime, dhe paqartësi. Përmes tyre fshihet e vërteta. William Lutz, në anën tjetër, rithekson se instrumenti më i rëndësishëm përmes së cilit ndërtohen shoqëritë është gjuha. Kjo e fundit nuk përdoret vetëm  si një mjet komunimikimi apo instrument për t’i dhënë formë realitetit. Gjuha këtu është një armë manipulimi. Kjo logjikë thotë se kur faktet reale janë në konflikt me gjuhën, duhet ta ndryshojmë realitetin dhe jo gjuhën. Në këtë regjim, realiteti objektiv avullohet, Gjuhëreja triumfon. Si instrument kontrolli e manipulimi. ‘Lavdue Qoftë Partia!’

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.