Parë nga Syri i Roland Robertson
Siç edhe dihet gjerësisht sot jetojmë në një periudhë e cila cilësohet dhe njihet si periudha moderne (ose nga disa mendimtarë edhe si post – moderne). Ky koncept duke ju referuar karakteristikave unike brenda kuadrit aktual të vetëvetes përdoret për të bërë një dallim mes kësaj periudhe dhe asaj të mëparshme, pra periudhës së feodalizmit dhe të gjithave të tjerave. Edhe pse është e pamundur të mos pranohet fakti që periudha moderne dallohet nga ato të mëparshmet në shumë aspekte, argumenti themelor mbi të cilin është ndërtuar ky shkrim është se mënyra sesi bëhet kjo ndarje mes periudhash në kornizën e vetë procesit që ndodh dhe zelli i madh i disa mendimtarëve për ta nxjerrë periudhën moderne në qendër të sistemit planetar të vijimësisë historike të periudhave ku njerëzmi ka ecur dhe ku të gjitha të tjerat njihen dhe perceptohen duke u ngrohur nga dielli modern, është një nismë sa e nxituar aq edhe larg zonës objektive të arsyetimit.
Kjo lloj qasje ka bërë të lind një mit të cilin mendimtari i shquar Roland Robertson në artikullin e tij të quajtur Glokalizmi: Hapësira – Koha, Homogjenizmi – Heterogjenizmi e ka cilësuar si miti i Globalizmit. Duke u bazuar në argumentat që ofron ky artikull do përpiqemi të sqarojmë dhe tregojmë se ky mit është vërtetë real dhe se cilat mund të jenë pasojat e tij.
Globalizmi eshte një term që ka një përdorim të gjerë pothuajse në çdo fushë studimi dhe keshtu është bërë një koncept qëndrorë rreth të cilit sillen shume qasje dhe teori të ndryshme shpjeguese të botës shoqërore. Globalizmi gjithashtu është një nga ata koncepte të cilët tingëllojnë dhunshëm dhe kështu krijojnë një zhurmë shqetësuese dhe dystopike për atë që pret fatin e popujve dhe kulturave tradicionale nëpër botë. Në këtë kontekst shumë analistë e kanë parë dhe e shikojnë fenomenin e globalizmit si një makinë shkatërruese për ekzistencën e kulturave dhe popujve tradicionalë, ose e thënë ndryshe në përgjithësi e asaj që është partikulare (vendore). Sipas këtyre analistëve globalizmi është një produkt i kohëve moderne dhe post – moderne.
Globalizmi, që në thelb është afrimi i popujve, kulturave shpirtërore dhe materiale në mënyrë intensive me njëra – tjetrën përbën një problem mjaft të madh sepse ndërkohë që për shtetet e zhvilluara perëndimore sjell përfitime të mëdha në dimensionet ekonomike, politike dhe ato socio – kulturore, për shetet e pazhvilluara ose për ata në zhvillim është një rrezik i madh ekzistencial. Në këtë kuptim, e parë nga kjo qasje kemi një dominim të fuqishëm të kulturës perëndimore e cila ka marrë një karakteristikë universale dhe kështu po shkatrron çdo gjë partikulare. Pasoja më ekstreme mendohet të jetë zhdukja e çdo gjëje partikulare dhe krijimi i një kulture dhe stili të vetëm jetese në të gjithë botën.
Ky fenomen është cilësuar si imperializëm kulturorë. Por a është vërtetë kështu? A jemi vërtetë viktima të një makinerie e cila po nxjerr nga ekzistenca çdo gjë partikulare? Roland Robertson i cili është personazhi kryesorë i këtij shkrimi nuk mendon kështu. Sipas tij, siç e thekson edhe në artikullin që është cituar më lart, pikëpamja sipas së cilës globalizmi që në aspektin kulturor është një tërësi forcash homogjenuese dhe që ka të bëjë me një seri zhvillimesh të cilat ngërthejnë në vetvete fitoren mbi të gjitha forcat e tjera, nuk është gjë tjetër përveç se një pjesë e mitologjisë mbi fenomenin e globalizmit. Sipas tij kjo pikëpamje shpreh se madhësia në këtë kuptim është diçka e mirë, me të cilën duhet të familjarizohemi dhe ajo që është partikulare dhe vetë historia është lënë pas dore.
Madje kjo pikëpamje krijon përshtypjen sikur më parë, përgjatë historisë të gjithë ne jetonim brenda një kuadri unik kulturorë të ndërtuar me mure partikulare, dhe me lindjen e globalizmit muret e këtij kuadri po zhduken me shpejtësi të madhe. Por në fakt e vërteta është se edhe më parë marrëdhënia e elementëve kulturore mes shoqërive të ndryshme ka ekzistuar dhe nuk mund të flitet për elementë tërësisht të pastër. Dhe pikërisht këtu del në pah mangësia e kësaj pikëpamjeje dhe koncepti. Shmangia e partikulares nga optika analizuese çon në një konceptim te mangët dhe shpesh të keqkuptuar të realitetit social.
Sepse siç na e konfirmojnë edhe të dhënat empirike partikularja është akoma e fuqishme dhe ka një rol dhe peshë tepër të madhe në ndërtimin e realitetëve shoqërore. Ne akoma jetojmë në një botë ku shteti komb ka nje rol qëndror në marrjen e vendimëve të caktuara, ku ndjenjat kombëtare ekzistojnë dhe ku njerëzit ndihen krenarë me gjuhën, kulturën, traditat dhe kombin e tyre. Madje ekspozime të këtyre elementëve shpesh janë aq të fuqishme sa mund të çojnë edhe në ushqimin e konfliktëve dhe urrejtjeve ndër etnike. Për të zgjidhur këtë problem dhe për të plotësuar boshllëkun që ka krijuar koncepti i globalizmit, Roland Robertson propozon një koncept tjetër të cilin e quan Glokalizëm. Siç edhe vihet re brenda këtij termi ka një shkrije të konceptit global/e dhe lokal/e.
Sipas pikëpamjes së Glokalizmit ajo që është partikulare ose lokale shkon paralel me atë që është globale ose universale dhe të dyja kanë nevojë për njëra – tjetrën që të mund të ekzistojnë. Një pikë tjetër e cila duhet theksuar është se partikularja nuk është në konflikt me globalen dhe nuk lind apo shfaqet si reagim ndaj dhëmbëve kërcënues të globales. Në këtë kuptim sipas Hannerz, globalja nuk është ndryshe nga partikularja por është thjeshtë një përhapje e partikulares në një sipërfaqe të gjerë të botës sociale.
Madje qenia e saj globale nuk është absolute dhe universale në kuptimin e pranueshmërisë nga të gjithë si e tillë. Ndërkohë që për një pjesë është e tillë për një pjesë tjetër mund të jetë partikulare. Pra kjo qenie është relative dhe jo absolute. Robertson ne fakt e shikon globalen si përhapje të formave ose kornizave të partikulares, por që brendësia mbushet me lloje të ndryshme të saj. Pra në rang global kemi vetëm përhapje të formave dhe strukturave të ndryshme elementësh kulturorë. Në këtë kuadër lindja e konceptit të shtetit komb do ishte e përshtatshme për ta bërë më të qartë mendimin e Robertson-it.
Sipas pikëpamjes së tij edhe pse shteti komb është një koncept dhe realitet social që lindi në Francën e shekullit të 19, brendësia e tij nuk është e njëjtë në çdo vend të botës. Pas lindjes së shetit komb në Francë, forma e tij u përhap kudo në botë duke shkatërruar perandoritë e kohës, por siç e theksuam komponentët që përbëjnë ose që mbushin këtë formë ndryshojnë kudo në botë në bazë të qenies partikulare të kulturave tradicionale. P.sh. gjuha kombëtare e shtetit komb shqiptar është gjuha shqipe, e atij gjerman është gjuha gjermane. Ndërkohë që shteti komb i Iranit drejtohet me teokraci dhe mbizotëron kultura islame, në atë amerikan mbizotëron laicizmi, regjimi demokratik dhe kultura perëndimore. Pra siç mund të shihet edhe pse forma është universale brendësia është e ndryshme.
Shembuj të kësaj natyre mund ti shikojmë edhe në nivel më mikro. P.sh. shpesh në raste festash fetare në reklamat televizive bëhen ulje të produkteve të ndryshme ose këto produkte ndërthuren me elementë të kësaj feste me qëllim nxitjen e sjelljes konsumatore. Një pyetje tjetër që Robertson shtron në këtë pikë është ajo se cila nga këto mbulon tjetrën. Kemi partikularen brenda globales apo globalen brenda partikulares?
Në fakt të dyja janë të mundura. Ndërkohë që në shembullin e parë globalja mbulon partikularen, në të dytën është partikularja ajo që mbulon globalen. Në këtë kuptim mund të thuhet se kjo marrëdhënie paralele e bën të pamundur imperializmin kulturorë dhe argumenton se globalizmi shfarosës nuk është gjë tjetër përveç se një mit. Duam të theksojmë gjithashtu se qasje si imperializmi kulturorë dhe globalizmi nuk janë gjë tjetër përveç se një rizgjim ose rilindje e teorive asimiluese që mbizotëronin para viteve 1960.
Dhe që për këtë arsye brenda tyre mbajnë edhe një potencial të rrezikut për ndezje të konfikteve ndër etnike nëpër botë. Siç Samuel Hunginton e thekson në veprën e tij të titulluar “Përplasja e Qytetërimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror”: Peshorja ndërmjet qytetërimeve po zhvendoset, perëndimit po i bie ndikimi i tij relativ; qytetërimet aziatike janë duke zgjeruar fuqinë e tyre ekonomike, ushtarake dhe politike; Islami po përjeton një shpërthim demografik me pasoja destabilizuese për vendet myslimane dhe fqinjët e tyre, kurse qytetërimet joperëndimore po riafirmojnë vlerën e kulturës së vet.
Madje vazhdon duke theksuar se mbijetesa e Perëndimit varet nga riafirmimi prej tyre se qytetërimi perëndimorë është unik por jo universal. Këtu qëndron dhe rreziku i teorive globaliste. Imponimi i universalizmave dhe vendosja në qendër të botës së kulturës perëndimore si një realitet që pritet të “pushtojë” botën në tërësinë e saj mund të hap rrugën e lindjes së konflikteve ndër kulturore.
Në këtë drejtim shikohet një kthesë e politikave të ndryshme të shtetëve perëndimore të cilat kanë filluar të theksojnë gjithnjë e më shumë bashkëjetesën mes kulturave të ndryshme në një territor të caktuar. Gjithashtu ndërthurja e elementëve të ndryshëm të partikulares me globalen shihen edhe në vepra të ndryshme si seriale, filma, në reklama të ndryshme televizive, në procesin që ndërton fenomenin e modës e deri në mjete të ndryshme teknologjike të cilat strehojnë edhe elementë të kulturave lokale. Të gjitha këto që përmendëm janë të dhëna empirike të cilat na shfaqin një realitet të ndryshëm nga realiteti i supozuar i globalizmit. Po ashtu janë shenja të cilat na tregojnë se partikularja vazhdon të jetojë e shëndetshme dhe mund të bashkëjetojë me çdo formë globale apo element tjetër lokal përreth saj.
Si përfundim duam të theksojmë gjithashtu se ne jemi të mendimit se teoria e glokalizmit që propozon Roland Robertson është një teori e cila përtej kritikave dhe mangësive që mund të ketë në aspektin e gjerësisë së përcaktimit të gjithë shkaqeve të dimensioneve të jetës sociale, në krahasim me globalizmin jep një shpjegim më të plotë dhe më të ekuilibruar të realitetëve shoqërore.
Gjithashtu shpjegimi që i bën realitetit në krahasim me teorinë globaliste duket të jetë më objektiv dhe pa nuanca utopike dhe subjektive. Në këtë kontekst mund të dilet në përfundimin se ndërkohë që globalizmi është një fenomen që dëshirohet dhe që për shkak të kësaj dëshire mendohet të jetë një pasojë e pashmangshme, glokalizmi ka një fuqi më të madhe të shpalosjes së realitetit shoqërorë dhe si rrjedhojë përkon më shumë me të.