Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Lexim mbi dhunën e këngën në “Shpia e Agës”

Foto: Filmi "Shpia e Agës"

*Shkrimi përmban spoilers

Filmi ‘’Shpia e Agës’’ është film i vitit 2019 i regjisores Lendita Zeqiraj. Filmi ndjekë një ditë jete të pesë grave që jetojnë në një shtëpi që shërben si shtëpi banimi për gratë e dhunuara në luftë, jetën e djalit të njërës prej grave, dhe atë të abuzuesit të njërës prej tyre. Shkrimi nuk tenton të tregoj ngjarjen e filmit apo të lexojë temat e filmit në tërësi. Do të lexohen vetëm dy elemente që shpërfaqen vazhdimisht përgjatë filmit dhe bëjnë pjesë të madhe në shtjellimin e tij: dhunën dhe këndimin.

Filmin mund ta shihni falas nëpërmjet linkut të Vimeos në këtë faqe: https://www.facebook.com/agathefilm/

DHUNA

Ambienti i shtëpisë që kanë krijuar karakteret me tiparet dhe temperamentet e tyre, është i mbushur me dhunë. Vetëm që në këtë rast dhuna e tyre nuk është përçarëse. Gratë shahen, thirren me emra, kapen për flokësh, godasin njëra-tjetrën, por prapë ende pa u ulur mirë në karrikë, dalin dhe e ndezin bashkë një cigare të pshtjellur me marihuanë për t’u qetësuar dhe për të biseduar shtruar, me pamje piktoreske malore përballë, pas shfryerjes fizike tek njëra-tjetra që duket se nuk ndodh rrallë. Në këtë botë ato kanë vetëm njëra-tjetrën, dhe nuk e kanë luksin që të marrin afër zemrës fjalët e rënda dhe grushtet që ia gjuajnë njëra-tjetrës. Ndoshta ato ndjehen të lira t’i thonë sepse në fund, të gjitha kishin të njëjtin fat dhe të njëjtin epitet. Nëse të tjerët mund t’i quajnë me ato emra, përse këto të mos i zotërojnë ato fjalë dhe t’i përdorin vetë?

Ngjashëm sikur afrikano-amerikanët që kanë përvetësuar nofkën derogative ndaj tyre ‘’zezak’’, apo personat LGBT që kanë rikthyer fjalën ‘’queer’’ në të mirë të tyre e cila që dikur është përdorur për ofendim, edhe gratë në film kanë përvetësuar fjalën ‘’kurvë’’ që kushedi se sa herë i është përplasur fytyrës nga të tjerët për t’i ofenduar. Kuptohet që krahasimi nuk tenton të bëhet në shkallë të njejtë dhe t’i relativizojë të gjitha historitë e këtyre ndodhive në histori të njerëzimit për shkak që ato dallojnë në kontekst, thellësi të shtypjes dhe të pasojave në këto grupe shoqërore. Këta shembuj përmenden vetëm për të ilustruar njërin element nga e gjithë përbërja e këtyre ngjarjeve, ajo se si mund të ndryshojë një term me kohë dhe se si mund të përdoret për qëllime të ndryshme apo të kundërta nga ajo që synohet në fillim.

Dhuna që kanë përjetuar nën lëkurën e tyre, duket se i ka shkaktuar pandjeshmëri dhe desensitizim ndaj edhe më makabres. Kur Zdenka tenton vetëvrasjen me hapa të gjumit, reagimi i parë i grave është i shkujdesur dhe shumë i vonuar. Madje gjatë një skene kur gratë presin që dikush të vijë t’a dërgoj atë në spital, Emira fillon e i këndon vetes për qejf përderisa për Zdenkën duket se secila frymë që e merr është e fundit. Ndoshta kjo për shkak që kjo nuk është hera e parë që ato shohin gjëra makabre me sytë e tyre. Pasi që Zdenka shkon në spital, Kumrija e thekson që është e shqetësuar për djalin e saj, e jo për fatin e Zdenkës. Njejtë edhe Vala, e cila duket se ka rolin e menaxheres në shtëpi, brengoset vetëm nëse do të mbetet fajtore që ai rast ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së saj që nuk ishte prezente në shtëpi, e jo për faktin që një person i gjallë ka tentuar vetëvrasje.

Tek personazhi i Cerrës, që njëkohësisht është edhe abuzuesi i Lumes, gjuha që e përdor ndaj Agës është e veshur me kërcënime të dhunës fizike. Edhe kur tregon dashuri ndaj tij ai e shfaq me agresivitet, me nofkat e tij dhe me goditjet kinse duke luajtur. Por edhe Aga tregon përvojën e tij me dhunë, thyerjen e xhamave të lokalit ku nuk e kanë lejuar të shesë cigare. Nuk ka asnjë personazh në film që në një mënyrë apo tjetër nuk i prekë dhuna, ose e ushtrojnë atë, ose janë viktima të saj.

KËNGA

A ka këndimi veti shëruese? Kështu duket të paktën për Emirën, e cila duket që këndimin e ka gjënë më të dashur në botë. Gjatë rrëfimit në intervistë, ajo tregon që edhe para ndryshimit tronditës të jetës së saj, e ka pasur shumë për qejf këngën. Ndoshta për këtë arsye ajo vazhdon të këndojë në secilin rast që i jipet derisa edhe i mërzitë gratë tjera në shtëpi. Ndoshta duke kënduar ajo kthehet në kohën kur gjithçka ka qenë më mirë se tani. Kombinimi i punës së kamerës dhe të zërimit, me atë kënduarit e Rozafa Çelajt janë hipnotizuese, sa të vie t’i shikosh skenat e këndimit disa herë me radhë.

Edhe Aga këndon në mënyrën e tij. Ai e përdor këngën për të mësuar emrat e produkteve që i shet, në këtë rast emrat e prodhuesve të cigareve. Derisa moshatarët e tij ndoshta mësojnë në formë kënge alfabetin e një gjuhe të huaj, ai mëson përmendësh renditjen e cigareve në kutinë e tij të cilat do t’i shesë pikërisht për të fituar para për të mësuar një gjuhë të huaj dhe për të shkuar në Serbi që të gjejë babain e tij.

Kurse Cerra këndon për qejf, pasi që tymos marihuanë brenda veturës, i parkuar duke shijuar efektet e saja. Nuk mund t’i jipet një lexim tjetër këndimit të Cerrës, përveç që kënga e tij është e shkujdesshme dhe e nisur kurdo që ai pëlqen, sepse nuk ka asgjë për çka ai të shqetësohet pasi që personazhi i tij nuk përjeton pasoja të veprimeve, kështu që këndon si shpirt i lirë.
Por ka edhe prej atyre që kënga thjesht nuk iu bën punë, si rasti i Kumrijës, e cila irritohet sa herë që Emira fillon të këndojë. Ajo nuk mund të shërohet me këngë. Por ajo ka gjetur mënyrën e saj për të mbytur kohën dhe mendimet: duke u kujdesur për punët e shtëpisë dhe për kujdesin ndaj grave tjera me ushqime dhe pije. Jo secila formulë e përballimit të realitetit funksionon njejtë për këto gra.

ASPEKTET TEKNIKE

Stili i Zeqirajt është lehtë i dallueshëm, për shkak të kinematografisë dhe të temës që trajton.  Close-ups dhe medium close-ups me disa skena dialogu me filmim të vazhdueshëm (long takes) me kamerë në dorë (handheld) dhe me fokus sa të cekët e sa të thellë (deep and shallow focus) që ndryshon aty për aty gjatë një skene. Tek tema, vërehet përsëritja e një elementi të cilit duket se i mëshon me çekan Zeqiraj për t’ia dhënë prapë rëndësinë, ashtu si tek filmi ‘’Gardhi’’: gratë rrinë brenda pa dalur nga shtëpia dhe dritarja e vetme me botën nga ku i vinë informacionet është dritarja e shtëpisë, kurse burrat shëtiten nëpër fusha dhe vozisin lirshëm me vetura. Atyre liria iu takon natyrshëm, edhe pse e vërteta thotë që Cerra ka abuzuar me Lumen, ligjet e pashkruara shoqërore thonë që ajo duhet të rrijë e mbyllur brenda në shtëpi si e damkosur kurse ai të sillet duke frymuar ajrin e pastër të fshatit.

Në dy skena të filmit shihet influenca e dy emrave të mëdhenj të kinemasë botërore, të Abbas Kiarostamit dhe Martin Scorsese. Vozitja në natë me veturë në rrugën gjarpërore të fshatit ku i vërehen vetëm dy dritat e veturës së Cerrës, të bën të kujtosh filmat e Abbas Kiarostamit dhe pamjet e shumta të vozitjeve me veturë, por posaçërisht të kujton përfundimin e filmit ‘’The Taste of Cherry’’. Kurse Martin Scorsese më shumë vjen si thurrje e lavdeve për skenën e famshme të ‘’Taxi Driver’’ ku Robert DeNiro përformon fjalinë ‘’You talkin’ to me?’’ të cilën pak njerëz ka që nuk e dinë. Art Lokaj përformon një skenë të ngjashme para pasqyrës ku e paramendon veten duke i drejtuar armën njerëzve që ia kanë marrë babain.

Skenari i filmit që zgjatë për 1 orë e 47 minuta i shkruar gjithashtu nga Lendita Zeqiraj, është konsistent në mbajtjen e balancit mes humorit dhe seriozitetit e rëndësisë së temës së prekur. Por edhe shpalosja e ngadaltë e elementeve të tregimit, e bënë shikuesin të mbetet i angazhuar deri në fund të filmit duke lidhur pjesët dhe copëzat për të thyer kuptimin se çfarë i ka ndodhur secilit prej personazheve të filmit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.