Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Libri i parehatisë time me kosovaristët

Chat symbol above vintage old book on blackboard background

Meqë në pjesën e parë të shkrimit u përpoqa të ekspozoja anën qesharake të dy pozicionimeve inkonsistente të kosovaristëve postmodernë, në këtë pjesë të mbetur të shkrimit dua të fokusoj vëmendjen kryekëput tek reagimi kritik i Abit Hoxhës; ku ai, siç thashë edhe herën e shkuar, i kundërvihet haptazi disa gjërave që kam thënë në statusin me titull “Kombi, Kombëtarja dhe Përfaqësuesja e Kosovës.

Për ata që s’e kanë lexuar, sidoqoftë; e kam fjalën për reagimin e Abitit, më lejoni të sjell këtu vetëm pjesën kryesore të tij, në mënyrë që ta keni të qartë edhe ju se çka dreqin po bëhet fjalë në këtë shkrim.

Fillimisht, duke argumentuar se “Kosova plotëson kushtet klasike nga e Drejta Ndërkombëtare (Konventa e Montevideos, 1933) që ka territorin e vet, popullatën, qeverinë e vet (pa marrë parasysh legjitimitetin dhe autoritetin e saj), dhe kapacitetin për të bërë marrëdhënie ndërkombëtare,” Abiti nxjerr përfundimin se Kosova “është shtet dhe rrjedhimisht ekipi i saj është kombëtare dhe jo përfaqësuese [siç gjoja pandehkam unë].”

Më tej, Abiti shkruan edhe këtë si në vijim:

Duhet thënë këtu se autori [Armend Mazreku] bën gabime në statusin e tij duke e kontrabanduar termin Përfaqësuese e Kosovës pa e diskutuar fare faktin se ky ekip që i referohet nuk është marrë me tender për të përfaqësuar Kosovën, por është selektuar dhe është ekipi legjitim i Kosovës, pra kjo e bën këtë ekip ‘Kombëtare’ po aq sa edhe kombëtarja [shqiptare] tjetër në fjalë.

Dhe, krejt në fund, Abiti më bën edhe këtë pyetje retorike; tamam në stilin e sofistit grek:

Ja një pyetje kurioze dhe jo pa qëllim: Pse për shembull të mos jetë e kundërta? Përfaqësuesja shqiptare (pasi përfaqëson më shumë se një shtet) dhe Kombëtarja kosovare?

Tash, kjo që Abiti thotë është vërtet problematike. Për një sërë arsyesh.

Pikë së pari, Konventa e Montevideos (1933) që Abiti i referohet këtu nuk ka të bëjë asgjë, ama bash asgjë, me çështjen e kombësisë (nationhood) po vetëm me atë të shtetësisë (statehood). Ky është një dallim i rëndësishëm konceptual; të paktën për sa i përket konceptit të kombit kulturor (i njohur ndryshe si modeli gjerman), në bazë të të cilit janë zhvilluar historikisht edhe shumica e shteteve kombëtare në Evropë, përfshi këtu edhe atë grek, serb, shqiptar, e kështu me radhë.

Sepse, siç dihet botërisht, kombi politik—i njohur ndryshe edhe si modeli francez—ka pasur një ecejake tjetër historike nga ai kulturor: derisa tek i pari vetëdija kombëtare dhe ajo shtetërore janë zhvilluar njëkohësisht (ndonëse në kritikën etno-simbolike që Smith-i i bën koncepsionit të Gellner-it ai thekson se, megjithatë, disa tipare të përbashkëta kanë ekzistuar edhe para themelimit të kombit politik modern). Tek modeli i dyti, ndërkaq, e gjejmë vetëdijen kombëtare të zhvilluar paraprakisht; dhe tek më pas atë shtetërore.

Sigurisht, më vonë kjo do të ndryshojë, meqë kombet që përmenda më sipër do të arrijnë të bëhen edhe ato politike në shekullin e 19 (rasti i atij grek dhe serb, ta zëmë) dhe 20 (atij shqiptar). Ama si procese historike, e kisha fjalën, ato kanë përshkuar një rrugëtim më ndryshe nga, ta zëmë, kombi politik francez, kombi amerikan, e kështu me radhë.

Në këtë kuptim, kriteret klasike të shtetit që Abiti i potencon në shkrimin e tij—territori, popullsia, pushteti politik dhe aftësia për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera—nuk kanë kurrëfar lidhje, ama bash asnjë, me çështjen nëse një shtet është kombëtar ose jo.

Këtë dallim, mendoj, është dashur Abiti ta ketë parasysh.

Problemi i radhës që shoh tek ajo çfarë Abiti deklaron; por në përgjithësi edhe tek diskutimet e kosovaristëve të tjerë, ka të bëjë me konceptimin e gabuar të raportit midis kombit dhe shtetit. Historikisht, të paktën nga një këndvështrim Hegelian, Shteti presupozon Kulmimin e Kombit. Ndërkaq për kosovaristët tanë, Shteti presupozon vetë Fillimin e Kombit.

Ironike, apo jo?

Tash, këta mund të më kundërvihen duke më thënë:

– Mirë, zotrrote, nëse shteti qenka kulmim i kombit, atëherë i bie që ekzistoka kombi kosovar, sepse Kosova është bërë shtet që nga viti 2008.

Sigurisht, një konstatim të tillë do ta pranoja sikur t’i injoronim dy fakte të rëndësishme. E para, vullnetin, rezistencën dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës për t’iu bashkëngjitur shtetit shqiptar. Për këtë ideal, siç e dimë të gjithë, janë rrahur, maltretuar dhe burgosur qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës; për këtë ideal janë mbajtur edhe me qindra protesta dhe demonstrata popullore; dhe për këtë ideal, në analizë të fundit, kanë luftuar dhe kanë vdekur dëshmorët e kombit. Jo rastësisht në betimin e tyre është thënë: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre.”

Sot, natyrisht, ne mund të bëhemi cinikë dhe të hapareshemi me këtë betim. Ama me këtë betim kanë vdekur duke luftuar Jasharajt, Haradinajt, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Zahir Pajaziti, Tahir Sinani, dhe plot dëshmorë të tjerë që kanë besuar në një ideal të tillë.

Dhe dy, faktin që ky lloj shteti që kemi është megjithatë produkt i negociatave. Tek e fundit, a nuk jeni pikërisht ju që thoni se shteti i Kosovës është bërë nga ndërkombëtarët? Tash, nëse shtetin e kanë bërë ndërkombëtarët, si rrjedhim i bie se shteti i Kosovës nuk ka se si të jetë kulmim i vetëdijës kombëtare të kosovarëve, apo jo?

Mbase mund të jetë edhe kulmim i vetëdijes ndërkombëtare?

Ku ta di unë i shkreti.

Dhe problemi i fundit që shoh tek ajo çfarë Abiti deklaron, në mos më i rëndësishmi, është se ai i bën një keqlexim të tërësishëm statusit tim. Për ata që nuk kanë patur rastin të lexojnë atë çfarë kam shkruar aty (s’po them fatin sepse s’është ndonjë status kush e di se çka), po e risjell këtu shumë shkurtimisht.

Fillimisht, aty kam kritikuar ata që kanë zëvendësuar dashurinë për kombin me dashurinë për kombëtaren; ose, thënë më mirë, me tifozëllëkun sportiv për të. Natyrisht, dhe siç në të vërtetë e kam sqaruar, kombëtarën e konsideroj tejet e rëndësishme, sidomos në këtë kohë kur ideja shqiptare mbahet e riaktualizuar vetëm nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. (Mendoj se Aleanca Kuq e Zi është muhabet tjetër, meqë është organizatë me prirje fashiste). Mirëpo ajo që jam përpjekur të them në këtë pikë është se kombëtarja nuk guxon kurrësesi të shndërrohet në hapësirën e vetme të artikulimit dhe identifikimit shqiptar.

Më pas, kritiktën e kam zhvendosur tek ata të që e kanë zëvendësuar dashurinë për kombin dhe kombëtaren me dashurinë për përfaqësuesen e Kosovës. Për t’iu shmangur keqkuptimeve të mundshme në këtë pikë, sidoqoftë, kam sqaruar se përfaqësuesja e Kosovës duhet të përkrahet nga të gjithë, në të gjitha mënyrat. Ama, siç e kam nënvizuar edhe në status, frika ime është se përfaqësuesja e Kosovës do të (keq)përdoret ideologjikisht, për të qëruar hesapet edhe më tej me idenë e bashkimit politik të shqiptarëve.

Dhe, krejt në fund, kam lavdëruar ata dashuria e të cilëve për kombëtaren shqiptare dhe përfaqësuesen e Kosovës është thjesht ekspresion i një dashurie më të thellë për kombin shqiptar në përgjithësi. Natyrisht, jo në kuptimin që kombi shqiptar është më i zgjedhuri, por thjesht si një komb i barabartë me të gjitha kombet e tjera të botës.

Tash, Abitin, si duket, e ka ngacmuar fakti pse unë kam përdorur termin përfaqësuese e jo kombëtare. Dhe kjo, sipas tij, është një fyerje e rëndë ndaj shtetit dhe përfaqësueses së Kosovës.

Megjithatë, më duhet të shpjegoj se arsyeja pse kam përdorur termin ‘përfaqësuese’ në vend të asaj ‘kombëtare’ është ngase vetë udhëheqësit e përfaqësues së Kosovës i referohen kësisoji. Madje vetë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe trajneri i i futbollit, Albert Bunjaku, i janë referuar në këtë mënyrë.

Arsyeja tjetër pse s’e kam përdorur termin kombëtare është se thjesht nuk besoj në idenë e një kombi kosovar. Madje për dallim nga Lubonja, Matoshi dhe Spahiu (ju lutem mos e merrni këtë si tendencë timen për t’u krahasuar me ta), një ide të tillë e shoh mjaft të rrezikshme për fatin e kohezionit socio-politik të shqiptarëve në Ballkan. Sepse, në një kohë kur shteti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës janë kapur nga politikanë të korruptuar, kriminelë dhe oligarkë të ndryshëm; dhe duke qenë se qytetarët nuk kanë kurrëfar raporti identifikimi me këto dy shtete, çdo dobësim i mëtejshëm i idesë kombëtare vetëm sa do t’i hapë rrugë partikularizmave religjiozë; dhe si rrjedhim, mendoj, shoqëritë shqiptare të përcahen në bazë të linjave religjioze. Por për këtë problematikë, shpresoj, do të shkruaj një herë tjetër.

Dhe arsyeja e tretë pse nuk e kam quajtur kombëtare është se përfaqësuesja e Kosovës, për dallim nga ajo kombëtare, nuk është se tubon rreth vetes lojtarë nga të gjitha territoret e banuara me shqiptarë—Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, e kështu me radhë.

Sido që të jetë, thelbi i asaj që kam dashur të them në statusin tim nuk është tek eufemizmat e tillë: ‘përfaqësuese’ apo ‘kombëtare.’ Po të doni, mund ta quajmë edhe kombëtare. Kjo nuk është gjithaq relevante për mua. Ajo që më intereson më shumë është instrumentalizimi ideologjik që po i bëhet përfaqësueses së Kosovës në futboll: një, për të dobësuar idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të përbashkët; dy, për të shpëlarë të kaluarën dhe të tashmen kriminale të kësaj bandeje kusarësh; dhe tre, për ta përdorur atë si opium për popullin.

Ky është halli që kam.

Ky është libri i parehatisë time.

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.