Kultura e të folunit te populli shqiptar ishte njana prej tipareve ma të vaçueme dhe mbetet dëshmi e vlerave të moçme e të nalta prej shekujsh të tanë. Ishte dukuni e rrallë që të bante për vete, bukuria dhe madhështia e të folunit shqiptar, megjithëse ishte e folun e nji populli të paarsimuem, të mahnitte me cilësitë e rralla, që shpaloseshin me tëhollimin aq të bukur e të rrjedhshëm të llafit. Nëpërmjet forcës së fjalëve të tyne ke mësue në mënyrë të shnoshë, ndërsa gjykimi i tyne ka rrjedh sikur të kishin krye shkollën e artit të gojtarisë. E parme ka kenë që, ata që folin për probleme me randësi shoqnore, të ndjekin nji rend të caktuem, tue i lëshue rendin me fol të parit të moshuemit, dhe atyre që mirreshin si ma të ditunit, sidomos, këshillohej të flitnin tue peshue mirë e mirë fjalët, ashtu që mos me lejue kurrë me shtrembue fjalën.
Disa njerëz besojnë se kanë lindun me të drejtën për t’i gjykue të tjerët
Kur i referohemi fjalës së lirë, e sotmja nuk i puq të kaluemen dhe të tashmen. Ndonëse në demokraci fjala e lirë asht e drejtë e pakontestueshme, porse, jo gjithnji fjala po asht përçuese e ideve e mendimeve produktive të duhuna. Këshilla e Ciceronit se, “Njeriu duhet të ketë kujdes çka flet, në çfarë vendi flet dhe në çfarë mënyre flet”, nuk i hyn në punë kurrkujt. Tue pa tansinë e diskursit të shoqnisë sonë, fjala e lirë kuptimisht po shkrihet në shpërdorim, me te tana mënyrat e hapësinat e pushtetit të saj. Çlirimi krahas ndryshimeve të që solli, hov i dha edhe fjalës së lirë, e cila ‘atëbotë’ jo vetëm që ishte e mohueme, por për shkak të saj, njerëzit dënoheshin në mënyrat nga ma çnjerëzoret. Me gjasë, kjo dhe asht arsyeja pse na jemi t’uritun m’u shpreh, me kumtue mendimet; gëzuem të drejtën e fjalës deri në cakun ma të tejmë të saj, pa ça kryet për shkeljen që u shkaktojmë të tjerëve, për faktin se nuk dimë që ekzistojnë kufij që ndajnë të drejtën dhe shkeljen.
Forca e rrjeteve sociale po u jep përdoruesve mundësinë t’i bajnë opinionet e tyne të lexueme nga nji masë e madhe, ka ndihmue poashtu në kultivimin e nji “fortese të zemërimit” që, sipas ekspertëve, kërcënon bisedat e dobishme. Lajmet e egra përmes mediave sociale mund të formojnë emocione morale n’atë mënyrë që ta bajnë ma të vështirë ndryshimin e shoqnisë për të mirë. Disa studime psikologjike sugjerojnë se “efekti i mosndëshkimit online” – kur njerëzit ndërveprojnë me njani-tjetrin online në nji mënyrë që nuk do të silleshin po të flisnin ballë për ballë – i kontribuon zemërimit në median sociale. “Kur ju nuk e shihni personin para jush, nuk mund t’i gjykoni emocionet e tij”.
E pastajme asht dhe kur luhet me fatin e njerëzve të thjeshtë, të cilët për shkak të ndonji fatkeqësie që kanë pasur viktima kthehet në personazh mediatik, me javë të tana. Kur njihesh me përsëritjen pikë për pikë të krimit, nga nji familje në nji tjetër, tue ba gjyqin se kush pati fajin e kush jo, pa iu hye teorive të komunikimit mbi të drejtën e informimit, them se këtu duhet të ndalohet që krimet monstruoze të jepen me imtësi dhe vrull në media.
Fjala e lirë asht në krizë dhe si e tillë kurrë nuk ka kenë ma e lirë dhe ma e parregullueme. Keqpërdoret deri n’atë masë, sa që tjetri me jetue me frikë e dyshim, ku e vërteta dhe e pavërteta përzihen mundimshëm. Nuk janë të rralla rastet kur ka edhe kërcënime me vdejkje, sidomos figurat politike, siç asht rasti i fundit ku në nji postim në facebook anëtari i Nismës Haxhi Hoti kërcënon me vdekje kandidatin për kryeministër Albin Kurtin. Raste të ngjashme janë të shumta kudo nëpër botë, ku poletikanë të shumtë marrin kërcnime me heqjen e të drejtës për jetë. Nji raport i publikuem në tetor të vitit 2018 nga Instituti WebRoots Democracy me seli në Londër, në lidhje me abuzimin online të debatit politik, konstaton se media sociale po bahet nji mjedis armiqësor për ata që shprehin mendime politike. Web Roots Democracy thotë se qeveritë, individët që përdorin median sociale duhet të mbajnë përgjegjësinë për luftën kundër abuzimit n’internet.
Fyerjet publike, fjalori i ulët, shpifjet që prekin dinjitetin e tjetrit me identitete të rreme, tue shkaktue konflikte me ndikim psikologjik në te tana format e dhunës verbale, psikike deri te ajo fizike. Të qenunit anonim u jep rahatllakun e opinionbamjës dhe komunikimi bahet ma interesant, intensiv e agresiv, tue kalue nëpërmjet përçamjes së strukturës sociale, shpeshherë me tendencë të deformimit të realitetit. Shakaja online asht kthye n’industri të zhvillueme e të fuqishme, fal’ së cilës fyemjet dhe rrenat hidhen nëpër televizione, radio, n’internet dhe në shtyp pa asnji problem. Janë pikërisht zhvillimet teknologjike ato që kanë mundësue e sofistikue realizimin e lirisë së shprehjes, në mënyrë të lehtë, të shpejtë e të fshehtë.
Pastërtinë e fjalës e mat niveli i sedrës
Shprehitë e sjelljes dhe edukatës te populli jonë nuk kanë arrit nivelin e duhun kulturor sa me kenë në përputhje me sjelljen korrekte, që këtë liri me e përdor me matuni. Jo rrallëherë gjuha e urrejtjes dhe fyerjet janë ato që dominojnë n’ushtrimin e fjalës lirë. Kujtohen m’u marrë me gjana të holla, pa asnji barazpeshë përgjegjësie, logjikisht jokorrekte, pale ma gramatikisht, yshtin turli debate në frymë llafollogjie çlodhëse, për çdo gja dhe kurdoherë ka dy taborë, ku cenohen a mbrohen nga kufizimet ligjore. Kjo liri e ushtrueme përmes mjeteve të komunikimit asht kthye në nji mjet abuzimi të të drejtave dhe lirive të njeriut. “Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve”. Këto janë fjalët e shkrimtarit e filozofit të famshëm italian, Umberto Eco, në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Honoris Causa” në Universitetin e Torinos, për merita në çashtje të komunikimit, kulturës dhe medias. Asht ba e modës përqeshja, si pjesë e paranojës së njerëzve. Nuk asht thjesht çashtje “ofendimi” ka thanë Judith Butler, nji teoriciene kulturore dhe profesoreshë në “Berkeley”, e njëjta, lidhun me këtë gjithashtu ka thanë se; “Nëse fjala e lirë ka përparësi mbi çdo parim tjetër kushtetues dhe çdo parim tjetër të komunitetit, atëherë ndoshta nuk duhet të pretendojmë më duke peshuar ose balancuar parimet ose vlerat konkurruese”.
Kufizimet legjitime të së drejtës
Bazën juridike për lirinë e fjalës e hasim pas Luftës së Dytë Botërore, n’aktet themelore t’OKB-së, respektivisht në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, që mbahet si dokument themeltar juridik-ndërkombëtar për standardet e të drejtave të njeriut. Në nenin 29 të kësaj Deklarate përcaktohet: “Ushtrimi i të drejtave dhe lirive të çdonjërit është subjekt i kufizimeve siç është e përcaktuar me ligj, me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.
Neni 19(3) i KNDCP na rikujton se të drejtat e rendituna mbajnë në vete detyrime dhe përgjegjësi speciale. Kjo nënkupton se liria e të shprehunit dhe e mediave asht nji e drejtë shumë e ndjeshme, e cila duhet të menaxhohet me shumë kujdes. Disa përgjegjësi përfundojnë me arsyet për ndalesa për të drejtën e shprehjes, ku nuk ka asnjë ndalesë legjitime për lirinë e të menduemit. Sipas Nenit 19 (3), tri lloje të ndalesave janë të mundshme, të cilat janë të mjaftueshme nëpërmjet legjislacionit dhe që janë konsiderue të nevojshme:
-Për respektimin e të drejtave dhe reptuacionit të të tjerëve
-Për mbrojtjen e sigurisë nacionale apo rregullit publik (publicotrder)
-Për mbrojtjen e shëndetit publik apo moralit
Zbatimi dhe vëzhgimi
Ka shumë lloje të mjeteve dhe procedurave për zbatimin e lirisë së shprehjes. Në rend të parë asht obligim i shteteve të përfshijnë liritë në ligjet e tyre dhe të ofrojnë mjete kompensimi në rast të shkeljes me paramendim. Njashtu, ligjet dhe rregulloret e ndryshme të mediave dhe të komunikimit janë shumë të randësishme. Ato mund të bajnë instrumente kombëtare të vëzhgimit – si këshillat mediale apo të shtypit – për t’i rregullue në veçanti mediat, të cilat shumë shpesh janë të formueme nga ekspertë a nga përfaqësues të shoqnisë civile. Në mënyrë që të rregullohet sektori i tana mediave përgjithësisht, për të sigurue standarde kualitative, shteti mundet me lëshue licenca, të cilat duhet të hartohen mbi baza jodiskriminuese, si dhe duhet kultivue diverzitetin kulturor dhe tolerancën e ndërsjellë.