Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Mençuria e Daimonëve

Si të ruash sundimin e ligjit kur tirania është në ngritje.  Mësime nga republika fiorentine.

Erica Benner*

Kancelari Bartolomeo Scala ishte njëri pragmatik. Si bir mullixhiu, prej province, ai kishte studiuar për juridik në Firence dhe kishte mposhtur rivalët xhelozë për t’u bërë shërbyesi më i lartë civil i Republikës fiorentine. Pozita e tij e bëri mjaft të pasur për të blerë njërën prej shtëpive më të mëdha në një qytet ku, në vitet 1470, rezidenca të reja po mbinin në çdo kënd të qytetit. E kishte merituar suksesin. Nën mbikëqyrjen e tij të mprehtë, Firenca lulëzoi më shumë se asnjëherë më parë. Shërbimet financiare të qytetit kërkoheshin anëmbanë Europës. Qerre të mbushura me të mira luksi vendore e të huaja rrapëllinin përditë mes rrugëve të saj.

Përkundër të gjithë kësaj pasurie, Scala brengosej për shëndetin moral e politik të qytetit. Qytetarët ishin krenarë me formën e tyre të rrallë të qeverisjes, republikën vetëqeverisëse në mesin e së cilës rezidentët meshkuj uleshin në këshille kyçe, mbanin poste të larta politike dhe debatonin çështje të luftës e paqes. Fiorentinët mbanin besimin e romakëve të vjetër se një popull i lirë mund të ketë vetëm një sundues, ligjin. Mbretërit qenë anatemë në Firence. Ligji – rregullat e vendosura mbi të dobtit e të fuqishmit, të pasurit e të varfërit, udhëheqësit e të udhëhequrit, duke i nënshtruar të gjithë ndaj zgjedhës së njëjtë – nderohej si mbretnore dhe hyjnore. Tash prangat e saj të shenjta po zhvidhoseshin. Një familje bankierësh të pasur, familja Medici, kishte gjetur mënyrat për t’iu shmangur ligjeve të krijuara për të mos e lënë republikën e Firences – prej latinishtes res publica, d. m. th. “gjë publike” – që të bëhet pronë private e një njeriu a klani. Duke blerë lojalitetin me dhënie huash e me favore, Medici-t e mbushën qeverinë me servilë që rishkruan ligje të pavolitshme ose i shpërfillën fare ato. Vetë kancelari Scala shpesh kishte luajtur rolin e servilit kryesor. Edhe pse Firenca ende mbante emrin republikë, askush nuk dyshonte se qyteti dhe ligjet e tij ishin de facto subjekte të një njeriu, Lorenzo “I Madhërishmi” de’ Medici.

A kishte ardhur koha për fiorentinët që të pranonin se ligjet nuk sundonin më qytetin e tyre – dhe të pyesnin vetveten se a do të ishte kjo gjë e mirë? Asnjë fiorentin nuk guxonte të shtronte drejtpërdrejt pyetje të tilla. Kjo do të nënkuptonte sakrilegj ose tradhti. Kështu që Bartolomeo Scala e ngriti çështjen tërthorazi në Dialogun mbi Ligjet dhe Gjykimet Ligjore të vitit 1483, dedikuar udhëqësit princnor.

Bashkëbisedimi i tekstit ngjan pranë oxhakut në shtëpinë e Scala-s. Një mik i ka sjellë kancelarit të sëmurë shënimet e tij mbi një debat mes juristësh të njohur. Kur ky vizitor kujton se pergamena e një dorëshkrimi të ligjeve romake mbahet si thesar në një dhomë të qeverisë, Scala kërkon të dijë: Por a e jemi mirë që, pas të gjithash, respektojmë ligjet e shkruara? Pse të mos ndjekim shembullin e spartanëve? Ata iu shmangën proceseve të pafundme gjyqësore thjesht duke bërë çfarëdo që donin qytetarët më të pasur. Një tjetër zëvendësim i mirënjohur për ligjet, vëren ai, është gjykimi i princit ose të afërmve të tij. Sulltani turk i delegon pushtetet e plota gjyqësore pashallarëve, të cilët zgjidhin raste kriminiale pa ligje të shkruara. Të akuzuarit nuk kanë avokatë e as të drejtë apeli. Kështu njerëzit kursehen prej proceseve të shtrenjta dhe prej lakmisë, vetërëndësisë dhe hipokrizisë shpirtdeformuese që e shohim te juristët tanë fiorentinë. Po qe se pashai merr rryshfet apo lë interesin e tij personal t’i mjegullojë gjykimin – Scala haptazi shijon këtë mendimin e ardhshëm në një mënyrë djallëzore e metaforike – njerëzit e sulltanit i ngulin një hu mu në zorrë, e ngrejnë përpjetë në ajër dhe e hedhin të shpuar përtokë. Sido që të jetë, përfundon kancelari disi më qetë, ligjet më të mira vijnë nga natyra. Sigurisht duhet t’iu besojmë disa njerëzve të mirë për të kuptuar ligjet natyrore më mirë se një fisi të pagdhendur avokatësh?

Dialogu pastaj i jep mundësinë të vetmit folës tjetër, burrit që është portretizuar si mbrojtës i ligjit: miku i ngushtë i Scala-s Bernardo Machiavelli. (Jurist i errët por jashtëzakonisht i zoti, Bernardo ishte gjithashtu i ati i atëherë katërmbëdhjetë vjeçarit Niccolo Machiavelli, i cili tre dekada më vonë do t’i dedikonte Medici-t një vepër edhe më trazuese, librin e këshillave politike që e njohim si Princi). Po të mund të gjenim një a më shumë burra të besueshëm që të bëjnë e të zbatojnë ligjet tona, Bernardo pajtohet me Scala-n, kjo mund të na kursente prej shumë telasheve. Megjithatë, edhe njerëzit më të mençur kanë mospajtime rreth asaj çfarë është e drejtë ose e padrejtë për nga natyra. Nuk kemi zgjedhje pos të bëjmë ligje me marrëveshje të përbashkët dhe të mundohemi shumë që të gjykojmë rastet sa më paanësisht që të jetë e mundur.

Këtu Bernardo thërret filozofinë në ndihmë. Gati dymijëvjeçarë më herët, dialogu i Platonit Shtetari kishte shtruar pyetjen e Scala-s: Nëse vjen dikush që posedon “shkencën mbretnore” të bërjes së ligjeve, a nuk do të ishte absurde të mos ta lëmë të sundojë, duke mënjanuar ligjin? Por prapëseprapë, vazhdon folësi i Platonit, do të ziheshim ngushtë për të gjetur ndokënd, dija për çështjet njerëzore e së cilit do të ishte aq e përsosur sa të mund t’i besonim të gjithë punën e qeverisjes. Duhet të kënaqemi me gjënë tjetër më të mirë: një imitim të sundimit të super-të-mençurve i punuar “duke u bashkuar dhe duke bërë ligje të shkruara.”

Dialogu i Scala-s e bën mbrojtjen e ligjit të Bernardo-s që të ngjitet në qiell, ndërkohë që vetë avokatura e djallit, e kancelarit për pashallarët dhe autokratët e iluminuar bëhet hi e pluhur. Scala nuk i pikturon si naive argumentet e shokut të tij. Përkundrazi, ai e bën Machiavelli-n e vjetër që të skicojë një psikologji realiste të pushtetit që tregon pse ligjet duhet të sundojnë edhe mbi udhëheqësit më të mirë: “Shumë shpesh shohim si dëshirat e papërmbajtura i dominojnë ata që mbajnë frenat e pushtetit,” ashtu që ata i kthejnë çështjet njerëzore në betejë të pafund të precedencës, reputacionit dhe pasurive. Këtu përsëri Bernardo jehon Platonin, këtë radhë dialogun Ligjet, burim i të menduarit të lashtësisë e të modernitetit të hershëm për sundimin e ligjit. Forma më e keqe e injorancës, na thotë Platoni, është mendjemadhësia e mençurisë së vetvetes, që merr format më ekstreme në më të pushtetshmit dhe më të pasurit. çdokush që mendon “se mund të luajë liderin e të tjerëve” pa u udhëzuar prej ligjeve, thotë folësi kryesor i Platonit, “është i braktisuri i Zotit.” Edhe pse “shumë njerëz mendojnë se ai bën paraqitje të mirë,” pa kaluar gjatë “si ai vetë, ashtu edhe shtëpia dhe shteti i tij do të marrin fund.”

Kjo qe gjithashtu porosia me zë të ulët për Lorenzo de’ Medici-n. Scala mund të ketë luajtur rol në përuljen e ligjeve të Firences në të kaluarën, por tash ai shpresonte se dialogu i tij do ta bënte tiranin në bërje e sipër të Firences që të ndërronte kurs. Pa ligjet, thotë ai përmes Bernardo Machiavelli-t, “qytetet dhe shtetet” s’janë “asgjë pos banda hajdutësh” ku tinzarët e të dhunshmit i bien në qafë të tjerëve. Ligjet e mira janë armët tona më të forta. Duke i vënë kufij vetëdashurisë, ato ndihmojnë që të krijojmë miqësi, që pastaj ndihmojnë të sjellim fitore trupave tanë dhe ngadhënjime në shtëpi. Si thotë Platoni, nëse ndokush thotë se është ekspert dija politike e së cilit është superiore ndaj ligjeve, “një person i tillë duhet të quhet tiran.”

Një dekadë më vonë, më 1494, Medici-t u shpallën tiranë dhe u përjashtuan nga Firence. Një qeveri popullore u rithemelua mbi parimet antike republikane që “mes nesh askush pos ligjeve është mbreti.” Ligjet e amnistisë u kaluan për të mbajtur nën kontroll dëshirat popullore kundër miqve të vjetër të Medici-ve. U vendosën procedura strikte për rastet kriminale me qëllim që të siguroheshin që krimet kundër shtetit – ata që meritonin ndëshkimet më të rrepta të ekzilit ose, më rallë, vdekjes – do të gjykoheshin me kujdesin më të madh. Disa mijëra qytetarë të cilët draftuan dhe miratuan këto ligje e dinin se dyshimet janë gjithnjë të mëdha pas një krize konstitucionale. Sistemi i tyre ligjor kishte për qëllim t’i bënte njerëzit që të inspektonin në plotësi provat para se të vepronin mbi dyshimet, apo madje edhe mbi frikërat e arsyeshme.

Ligjet e reja shpesh u përballën me sulme të freskëta. Agresorët e tyre nuk qenë liderë të mbërrirë por burra prej fraksioneve rivale të popullit [popolo], populli i çliruar e vetqeverisës. Fiorentinët kishin talent për mbirjen e fraksioneve dhe ne hovin e parë të lirisë ata shkuan drejt e në zemër: shpura e dyshuar e Medici-t kundër armiqve të familjes në ekzil, mbrojtësit e qeverisë popullore kundër patricëve që preferonin oligarkinë, miqtë e komandantit ushtarak të qytetit kundër atyre që e quanin renegat. Udhëheqësve e të gjitha këtyre fraksioneve nuk iu bënte fort për të respektuar proceset që të shpëtonin miq e të dëmtonin armiq. Disa burra të profilit të lartë u ekzekutuan pa gjyq të drejtë ose pa gjyq fare. Rasti më i dëmshëm kishte të bënte me një rrëfim të detyruar prej një murgu dominikan, Girolamo Savonarola-s, i cili kishte nxitur ndjekësit e tij që të rrëzonin ligjet e republikës për hir të Zotit dhe të bënin ligj moralitetin asketik. Vdekja e Savonarola-s në turrën e druve në sheshin qendror e të bukur të Firences i dha fund kryqëzatës së tij. Megjithatë metodat e prokurorëve bënë që fiorentinët të humbnin besimin në pohimin se ligjet e republikës qenë transparente, bujare dhe të paanshme.

Niccolo Machiavelli i jetoi këto fortuna politike. Si kancelar i dytë i qytetit dhe sekretar i Dhjetëshes së Luftës, trupit përgjegjës për mbrojtjen e Firences, ai e shikoi repubulikën tek shembej dhe Medici-t tek u kthyen me grushtet pas vetëm tetëmbëdhjetë vjetësh. Prapëseprapë, ai kurrë nuk u ndal së ngulmuari se pa sundimin e ligjit, jeta njerëzore është shumë me e keqe se ajo e shtazëve. Të gjithë shtetet, thotë Machiavelli te Diskurset mbi Livy-n [Discourses on Livy], qofshin monarki a republika, “kanë nevojë të regullohen me ligj. Ngase një princ i cili bën çfarë t’i dojë qejfi është i çmendur, ndërkohë një popull që mund të bëjë çfarë t’i dojë qejfi nuk është i mençur.”

Argumenti i tij nuk ka fare të bëjë me talljen e oligarkut se demosi është tepër të dobët për të qeverisur. Gati tre shekuj para Thomas Paine-it dhe Thomas Jefferson-it, Machiavelli ishte i mendimit se popujt vetëqeverisës – qofshin apo ajo të “prangosur nga ligji” – janë më pak të prirur të gjykojnë marrëzishëm se sa princërit dhe elitat. Por Machiavelli, ndryshe prej demokratëve të drejtpërdrejtë dhe popullistëve, thotë se republikave iu duhet ligje mbretnore për të mbajtur nën kontroll mësymjen e sëmundjes së përmotshme të demokracisë: ndarjet civile që shndërrohen në partishmëri të skajshme. Demokracia synon t’i japë mundësi të barabarta njerëzve me interesa dhe vlera të kundërta, kështu duke mbrojtur lirinë e qytetarëve që mendojnë ndryshe prej shumicës ose ideologjisë së shtetit njëpartiak. Megjithatë, këto kundërshti duhet të mbahen nën kontroll se ndryshe e shkatërrojnë shoqërinë politike. Ligjet e mira i japin formë këtij frenimi thelbësor, duke vendosur kufij asaj çfarë mund të bëhet brenda hapësirës së përbashkët publike. Kur rivalitetet e partive qëndrojnë përbrenda këtyre kufijve – e këtu Machiavelli sfidon opionin e përhapur se të gjithë konfliktet janë të dëmshme për bashkimin qytetar – ato ndihmojnë që demokracitë të mbeten të forta. Ato bëhen helmuese atëherë kur frika apo konflikti i intensifikuar i bëjnë përkrahësit e partive të harrojnë se duhet të bashkëjetojnë me rivalët e tyre – atëherë kur ata e mbyllin syrin ndaj korrupsionit përbrenda radhëve të tyre dhe duartrokasin ose ngrenë supet kur udhëheqësit e tyre shkelin mirësjelljen me shpresë të shpartallimit të kundërshtarëve.

Republika anti-Medici e Firencës vdiq herët sepse ligjet e saj për regullimin e konfliktëve nuk qenë mjaftueshëm të forta. E çfarë janë ato ligje që s’i lënë turbullirat e shëndetshme që të bëhen helmuese? Ato që garantojnë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në qeverisje dhe mbajtur poste publike pa marrë parasysh partinë, pasurinë, apo lidhjet. Machiavelli nuk ndjente asgjë pos përbuzje për elitat e establishmentit, të cilat pohonin se ishin më të kualifikuara se qytetarët joelitarë për të qeverisur republikën. Gjithashtu, nocioni i tij i drejtësisë republikane ndalonte persekutimin e individëve vetëm pse qenë të klasës së lartë. Nëse partia më “popullore” në republikë refuzonte të ndante autoritetin me burra me vlerë prej prapavijave që etiketoheshin si elita, këta burra do të kishin arsye të mjaftueshme për t’u ankuar dhe destabilizuar republikën. Ndëshkimi apo shpërblimi i bazuar në lidhje grupore e jo në vepra dhe cilësi individuale minon sundimin e ligjit. Atëherë kur ndodh kjo, shkatërrimi i republikës është vetëm çështje kohe.

Argumenti i Machiavellit qe që ligjvënësit dhe gjykatësit duhet ta trajtojnë paanshmërinë ligjore si të shenjtë, duke i shtyrë qytetarët që ta lënë t’i qeverisë më shumë se pasionet partiake. Megjithatë, ai e dinte sa lehtë e ulin njerëzit këtë standard atëherë kur partia apo vendi i tyre ndihet në rrezik. Medici-t ishin të zotë në të thirrurit në kërcënime të hamendura ndaj ekzistencës së Firences si pretekst për shkurtore jashtëligjore. Republika pasuese qe më e ngathët, por bëri të njëjtën gjë. Përkundër reputacionit të të qenit realist që mendonte se domosdoshmëria politike arsyet shkeljet e ligjit dhe drejtësisë, Machiavelli në fakt thotë të kundërtën. Ai pajtohej me të atin – të paktën siç e përshkruan Scala Bernardo-n – se ligjet dhe drejtësia janë siguria më e mirë e shtetit. Temë periodike makiaveliane është se ligji është i pavlerë pa ushtri të mirë dhe anasjelltas, nuk mund të kesh ushtri të mirë pa ligje të drejta dhe procedura ligjore transparente. Një prej mospërfilljeve më tronditëse të republikës ndaj drejtësisë qe ekzekutimi i komandatit të ushtrisë nën dyshime të pabazuara për rryshfet. Thuhej që, do të kujtonte më vonë Machiavelli, Kapiteni Paolo Vitelli kishte humbur një fushatë kyçe ushtarake “ngase ishte korruptuar.” Por Vitelli nuk kishte asnjë mundësi të vetëmbrohej, “ngase nuk kishte procedura në republikë që t’ia mundësonin atë.” Po të kishte pasur, “skandalet e pafundme që ngjanë” në Firence “nuk do të ngjanin fare.” Romakët e lashtë kishin qenë “më të mëshirshëm dhe më të përmbajtur” në ndëshkimet e tyre sesa fiorentinët. Edhe nëse një kapiten kishte bërë telashe përmes keqdashjes, “ata do ta ndëshkonin atë njerëzishëm,” me gjoba. Ata bënin ashtu ngase besonin se udhëheqësit e ushtrive punonin më së mirë me “shpirt të lirë e të gatshëm,” pa pasur frikën e kokëprerjes me t’u ngritur dyshimi i parë i gabimit a shkeljes së detyrës.

Ligjet themelojë ushtri të mira në lloj-lloj mënyrash. Paanshmëria strikte ruan besimin qytetar. Ligjet ndëshkuese kundër shpifjes i bëjnë kapitenët të ndihen mjaftueshëm të sigurt që të ndërmarrin rreziqet në beteja. Është qenësore për sigurinë që asnjë individi të mos i mohohet gjykimi i drejtë apo e drejta për apel, pa marrë parasysh sa serioze të jenë kërcënimet që mund t’i kanosen republikës. Machiavelli, i famshëm se gjoja ka shpikur maksimën realiste “Qëllimi arsyeton mjetet” – edhe pse ai kurrë nuk i ka shkuar këto fjalë – i pëlqente t’i bënte lexuesit që të mendonin thellë sesi mjetet joligjore dhe të padrejta korruptojnë qëllimet dashamirëse. Duke folur për një politikan të Romës së lashtë të akuzuar për krime serioze politike por të cilit iu mohua apeli, Machiavelli shkruan se “jeta e tij kriminale meritonte çdo ndëshkim.” “Prapëseprapë,” vazhdon ai, “vështirë se ishte gjë civile që të dhunohen ligjet” duke e ndëshkuar atë pa proces të rregullt ligjor. Kjo vendosi “një shembull të keq” që kompromentoi në mënyrë fatale rendin politik të Romës. Ngase “nëse bëhet shprehi prishja e rendit” dhe injorimi i kërkesave ligjore të individit për hir të sigurisë kolektive ose për të ndonjë të mirë tjetër, më të madhe, “atëherë më vonë, me të njëjtin ngjyrim, ato thyhen për çdo gjë.”

Sido që të jetë, a janë ligjet e mirëhartuara të mjaftueshme për ta mbajtur të aftë sundimin e ligjit që të rregullojë polemikat e demokracisë? Në demokracitë liberale grindavece të së sotmes, përgjigjja duket të jetë një jo e qartë. Shfrenimet partiake dhe ambiciet tiranike nuk janë të vetmet gjëra që u zhveshin pushtetin ligjeve. Shkaktarë poashtu janë pabarazitë groteske të pasurisë dhe të qasjes në të mira publike.

Kampionët klasikë të sundimit të ligjit e trajtuan këtë vështirësi me më shumë guxim sesa bëjnë shumica e njerëzve sot. Ata panë se edhe më të përsosurit prej ligjeve duhet të mbillen në tokë pjellore ose ndryshe do kalben. Platoni e pa pabarazinë e pasurisë si një prej kërcënimeve më të rënda ndaj integritetit të ligjit. Ligjvënësit, thoshte ai, duhet të jetë si mjekët e mirë që i ndihmojnë qytetarëve që të ndërmarrin një pikëpamje të shenjtë për bashkësinë politike dhe mirëmbajnë baraspeshën e saj të shëndetshme.

Machiaveli pajtohej. Që t’i mbash ligjet në rend të mirë qeverisës, u thotë ai lexuesve, demokracive iu duhet të ruajnë një “barazi të njëjtë” mes mundësive, pasurisë dhe statusit të qytetarëve. Pabarazia e tepërt e bën me të lehtë për disa të kamur që të dominojnë të tjerët dhe i bën të varfërit të ndjehen – me arsye – se sistemi është kundër tyre. Machiavelli mësoi nga historia e Firences se partishmëria e dhunshme, armiku kryesor i ligjit në demokraci, ushqehet me pabarazi marramendëse të pasurisë dhe respektit social. Ligjet që synojnë t’i frenojnë ekstremet partiake çarmatosen nga pabarazia.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, Karl Marx shkoi një hap më tej. Nuk ka shoqëri, pohonte ai – përfshirë shoqëritë liberale kapitaliste – që ka pasur ndonjëherë ligjin e drejtë e të barabartë të cilin apologjistët e tij e nderojnë. Paanshmëria formale e ligjit s’është asgjë pos fasadë, pjesë e superstrukturës që shfajëson eskploatimin e shumicës nga disa. Machiavelli dhe Platoni do të pajtoheshin se shumica e sistemeve ligjore nuk e kanë bërë jetën shumë të vështirë për klasën eksploatuese. Duke i rezistuar pikëpamjes shumë skeptike të Marx-it për ligjet, ata i paraprinë analizave të tij për shtresat e besimit, identitetit, mentalitetit dhe ndjenjës që e bëjnë aq të vështirë luftimin e pabarazisë. Në shoqëritë hipergaruese tregtare e bankare – Athina e Platonit, Firenca e Machiavelli0t dhe Europa e Marx-it – zakonet e të pasurve priren që ta ligështojnë etosin e gjerë egalitarian që nevojitet për të mbështetur sundimin e ligjit. Marx-i këtë e quajti ideologji, një grup besimesh që verbëron klasat e eksploatuara drejt vetërobërimit dhe i bind ato se çfarëdo që i pasuron ata që bëjnë para do te jetë gjithashtu më e mira për to. Një shekull me herët, Jean-Jacques Rousseau spekulonte se shtetet e para ishin krijuar kur të pasurit “shpikën projektin më të qëllimshëm që ndonjëherë i erdhi në kokë mendjes njerëzore”: të bindin të varfërit, duke përdorur “arsye të rreme,” që të pranojnë “ligje të mençura që mbrojnë të gjithë anëtarët e shoqatës” barabar dhe që “të na mbajnë në harmoni të përjetshme.”

Prapëseprapë, përderisa Marx-i hidhte poshtë besime të tilla si vetëdije të rreme, një detyrim i jashtëm që vetëm revolucioni mund ta çlirojë, Rousseau-i pa se sa thellë i formësonin ato pikëpamjet e njerëzve për botën. Njerëzit mësohen aq shumë që të garojnë për mundësi të pabarabarta sa që s’mund të shohin sesi ligjet mund ta zbusin pabarazinë pa e shkatërruar mënyrën e tyre të jetesës. Ata mendojnë se duhet të luajnë lojën hipergaruese jo vetëm sepse nuk shohin mundësi tjetër por sepse janë të programuar që të duan të fitojnë lojën për të cilën vazhdimisht u thuhet se është e vetmja lojë. Në kohën tonë, mediat dhe marketingu e kanë vërtetuar këtë më shumë se kurrë. Secili duartroket më të suksesshmit dhe ëndrrat për t’u bërë si ata: të bësh profite marramendëse, të fitosh rroga të papara, të kesh më shumë shtëpi e kështjella e makina luksoze se ç’mund të të kapë imagjinata. Të jesh yll nuk është më e mjaftueshme. Duhet të jesh, ose të duash të jesh, superyll. Kjo pikëpamje e hiperbolizuar e suksesit e bën “barazinë e njejtë” të Machiavelli-t të duket si kredo humbësi – monotone, të mpirë, ngulfatëse e ndërmarrësisë.

Kështu, kultura bën marrëveshje të heshtur me ekonominë për të çnderuar barazinë dhe gjymtuar sundimin e ligjit në demokracitë tona. Jo befasisht, njerëzit nga shtresat  e pasigurta të mesme e të ulëta të shoqërisë shpesh janë më të gatshmit që të përfitojnë me çfarëdo mjetesh të mundshme. Machiavelli tregon një ngjarje nga historia e Firences kur qytetarët e shtresës së mesme të cilit kishin shpresuar të rrisnin “nderin” e tyre përjashtuan mënjanë punëtorët më të varfër prej sistemit të zejtarëve që i kishte mbrojtur të drejtat e tyre politike e ekonomike për një kohë të gjatë. Si pasojë ngjau lufta civile që shkatërroi besimin mes klasave të ndryshme për shekuj me radhë dhe ndihmoi të pasurit e jashtëzakonshëm Medici që të ngrenë një pushtet të paparë. Machiavelli e përdor këtë ngjarje për të nxjerrë mësim për gjeneratat e ardhshme: kur gara rregullohet dobët, pabarazinë pasuese e vendosin presion të tmerrshëm mbi premtimin e demokracisë për barazi para ligjit. Ai ka simpati të forta për rebelët e klasave të ulëta, duke thënë që ata janë mashtruar nga drejtësia që republika i detyrohet të gjithëve. Megjithatë, ilaçi i duhur për padrejtësinë nuk është revolucioni i dhunshëm, por ligjet më të mira. Për Machiavelli-n, ashtu si për Platoni-n – edhe pse ky i fundit qe shumë më egalitarian – rregullimi ekonomik dhe mekanizmat rishpërndarës qenë pjesë e pandarë e sundimit të ligjit.

Dy shekuj më vonë, Rousseau-i pajtohej se ilaçi më i mirë për ligjet e dobëta është t’i kushtohet vëmendje themeleve të tyre shoqërore, ekonomike e kulturore. Edhe pse ka mjaft shumë shembuj të ligjeve që u nënshtrohen pasurisë e pushtetit, nuk ka arsye të shëndoshë që të mendohet se ligjet janë të mallkuar drejt një ekzistence të tillë të mjerë. “Vetëm e vetëm për shkak të ligjit,” deklaronte ai, “që burrat kanë drejtësinë dhe lirinë.” Kjo është e vërtetë edhe nëse në kohët tona dhe shumë prej historisë njerëzore na bën të bërtasim: “Kot kërkojmë liri nën pushtetin e ligjeve. Ligjet! Se ku paska ligj?” Barazia ligjore mundet që ndonjëherë të jetë marifet i pjellë prej të pasurve për të kontrolluar të tjerët, por megjithëkëtë është një ide e shkëlqyer, e tillë që mund t’u kthehet qëllimeve më të mira – dhe e tillë pa të cilën njerëzit nuk bëjnë dot.

Problemi – mbase detyra jonë më e madhe dhe e pafund – është që të krijojmë ligje që kanë mundësi t’i ofrojnë këto përfitime, të paktën shumicën e kohës dhe t’i mbjellë ato në tokë të mbarë. Duke ndjekur Platonin, Bernardo Machiavelli përshkruan ligjet e mira si imitime të mençurisë mbinjerëzore. Ku vallë do të mund të gjejmë shëmbëlltyra të mençurisë së tillë? Si është e mundur që njerëz grindavecë e egoistë të merren vesh sesi mund të duket kjo? Në Firence, ndjekësit e Savonarola-s mendonin se e kishin kuptuar të vërtetën e saj në profecitë e murgut, i cili pretendonte se kishin ardhur drejt prej Zotit. Ligjvënësit në kohë të turbullta shpesh kanë menduar se ligjet e mençura duhet të jenë drakoniane, që kërkojnë nivele të larta të konformitetit, duke i tmerruar kështu njerëzit drejt bindjes. Disa burra republikanë të sundimit të ligjit, siç qe Ciceroni, kishin kërkuar shëmbëlltyrën e arsyes hyjnore në natyrë. Por siç thotë Bernardo, avokatët natyrorë nuk merren vesh mes veti rreth kërkesave të natyrës mbi jetën civile.

Si zakonisht, Platoni e thelloi problemin e tij edhe më shumë sesa shumica e vetë kritikëve të tij. Ligjvënësit më të mirë, thoshte, e dinë se s’ka mençuri njerëzore që do u jep ligje të përsosura. Duke braktisur kërkimin e përsosmërisë, ata bëjnë më të mirën e tyre që të nxjerrin ligje që i përshtaten natyrës defektoze njerëzore. Ligje të tilla shmangin ndëshkime aq të ashpra sa të terrorizojnë apo brutalizojnë popullin ose aq të buta sa të mos mund ta pengojnë krimin. Synimi i tyre duhet të rikthejë shëndetin te shpirtërat dhe miqësitë në qytet, e jo të prodhojë njëtrajtshmëri në besim dhe veprim apo ta ndihmojë shtetin që të kontrollojë qytetarët. Ato duhet t’i trajtojnë njerëzit si agjentë të lirë të cilët, sado të prirur për nga natyra për të shkelur ligjin, gjithmonë kanë një margjinë të vogël të zgjedhjes. Duke e kuptuar këtë margjinë të lirisë, ligji duhet të angazhojë vullnetet e njerëzve në vend se thjesht të deklarojë rregulla dhe të kërcënojë me ndëshkime. Ligjet e Platonit kanë preambula që shpjegojnë, me një stil të cilin mund ta kuptojnë të gjithë, pse është më së miri që t’i bindesh ligjit. Kur ligjvënësit e dinë se u duhet t’i qasen personave të lirë me respekt dhe me arsye, e jo vetëm me forcë, kanë më shumë gjasë që të krijojnë ligje që mbesin, sepse njerëzit e pranojmë lirshëm qeverisjen e tyre.

Nëse ligjet janë aq të lehta për t’u kapur prej fraksioneve, plutokratëve dhe autokratëve, pse mendojmë se ligjet janë të afta për të na qeverisur fare? Si mundet  që një gjë aq e brishtë si ligji civil t’i besohet të na mbrojë jetesën dhe kufijt tanë, që t’i mbajë qytetarët të sigurt prej njëri tjetrit? Përgjigja është se ligjet mund të qeverisin nëse i instruktojmë ashtu – por jo në vetvete. Edhe më mbretërorët prej ligjeve kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme prej qytetarëve të cilët e kuptojnë origjinën e tyre njerëzore dhe cënueshmërine e tyre tepër njerëzore. Platoni e shpreh këtë përmes një miti. Kur njerëzit së pari ecën mbi tokë, zoti Kronos u dha një racë të qenieve më të mençura, daimonët, si sundimtarë. Kur ajo kohë u zhduk në errësirat e kohës, qeniet njerëzore bënë ligje që imitonin mençurinë e daimonëve, që ishte e dyta më e mira pas asaj të zotërave. Këto përpjekje legjislative kanë qenë gjithmonë me të meta, shpesh fatale. Ato janë, në fund të fundit, vetëm imitime të dorës së tretë të arsyes dhe drejtësisë. Prapëseprapë ato janë më të mirat që mund të bëjnë njerëzit.

—————-

Përkthyer nga: Bardhi Bakija 

* Erica Benner është një filozofe politike që ka mbajtur poste akademike në universitete pretigjoze si St Anthony’s College-Oxford, London School of Economics, Yale University.

E. Benner është autore e Nacionalizmat Vërtet Ekzistuese  [Really Existing  Nationalisms]  (https://global.oup.com/academic/product/really-existing-nationalisms-9780198279594?cc=al&lang=en&) dhe e tre librave mbi Machiavelli-n, ku rishtas publikoi Bëhu si DhelpraMachiavelli në Botën e Tij [Be Like the Fox: Machiavelli in His World].

Artikulli origjinal në Lapham’s Quarterly: https://www.laphamsquarterly.org/rule-law/daimons-wisdom

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.