vajzë e mbyllur, befas borizane, papandehur seksi
Pak a shumë si ky nëntitull mund të përshkruheshin trillet historike të rendeve shoqërore në Shqipërinë e viteve ’30, të pasluftës dhe asaj të pasviteve ’90.
Porse më shumë se historisë një krahasim i tillë do t’i shkonte poezisë.
Në rastin më të mirë: nga Migjeni e Lasgushi te KAA –Trinia e poetëve: Kadare, Agolli, Arapi të viteve ’60, për të dalë sot, me fare pak gjë përmbi, në portale dhe në rrjetet sociale.
Ndërsa në vitet ’30 poezia zhvillohej normalisht, ndaj nuk mund të thuhej asgjë e veçantë për të, – përpos që ajo vinte disi e vonuar, e krahasuar me atë që shkruhej atëherë në botë, si për nga temat, ashtu edhe për nga qasja, – pas luftës nuk mund të flitej më për normalitet.
“Në të gjitha vendet socialiste iu bë një glorifikim acarues poezisë” – thotë Kadareja në një intervistë dhe vijon: “…edhe vetë shkrimtarët, vetë poetët i ngritën një hymn të pamerituar poezisë, duke thënë se kinse ajo është pararoja e arteve. Në fakt ajo ishte pjesa më e dëmtuar e letërsisë shqipe; pjesa më e shkelur me këmbë nga ideologjia ishte poezia. Ajo jo vetëm që nuk ishte pararojë, por mund të themi që nuk ishte as praparojë, ishte një gjë kot fare, një pjesë e madhe e saj.”
Të shkruaje nën diktaturë poezi ishte sikur të të jepnin një piano, të cilës ia kishin hequr të gjitha tastat dhe i kishin lënë vetëm tri prej tyre: partia, atdheu dhe dashuria.
E meqenëse – dhe fatmirësisht – partia u këput si një derr nën elektroshok, para se ta therin, vetiu mbetën dy tasta: atdheu dhe dashuria. Dhe meqenëse – dhe fatkeqësisht – tema e atdheut ishte e lidhur atëbotë pazgjidhshmërisht me atë të partisë, pasi nënkuptohej se “populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, nga tërë ato mijëra rreshta të shkruara atëherë, sot kanë mbetur vetëm ca lirika dashurie, të cilat mund të merreshin parasysh ende seriozisht.
Ato melodi vetëm për një tastë kishin dhe kufizime të tjera: trishtimi lejohej deri diku, por asnjëherë si pesimizëm. Ndaj edhe lirikat më të mira të asaj kohe kanë, nëse kanë të tilla, vetëm hije të lehta, ato asnjëherë nuk janë pesimiste, apo, ruajna Zot, depresive.
Vihet re edhe një frymë paksa futuriste. Në shumë vargje gjenden me shumicë avionë, tela, aparate fotografikë, miniera, celuloidë, shtylla tensioni etj., me siguri ndikim ky nga futuristët rusë.
Si edhe shpesh një frymë “popullore”, çfarëdo qenkësh kjo e fundit, sidomos te poetët që vinin nga rrethet. Asokohe ky quhej: “tabani kombëtar”.
Duhet patur parasysh këtu që shumë nga poetët që i këndonin dashurisë nuk është se e përjetonin këtë drejtpërdrejt edhe vetë në jetë, përpos rastit që martoheshin në një kohë të dytë me të vluarat e tyre. Ndaj pjesa më e madhe e lirikës së dashurisë të asaj periudhe karakterizohet nga ajo që po e quaj “fluiditet”: merret e dhënë që ekziston një tërheqje nga gjinia tjetër e kjo tërheqje nuk është askurrë (ideologjia nuk e përmbante këtë e për pasojë as censura) trupore apo, Zot na ruaj, ndopak erotike. Ashtu siç nuk shihen në filmat e kohës të dashuruarit të puthen me njëri-tjetrin, ashtu edhe në lirikën e asaj kohe të dashurisë mungon totalisht përmasa sensuale e dashurisë.
Çuditërisht dashuria socialiste, si ç’përftohej kjo në vjershërimin nën diktaturë, ka shumë të përbashkëta me botëkuptimin e krishterë mesjetar e më parë akoma, ku anashkalohet gjithashtu trupi dhe kënaqësitë e mishit, për të nxjerrë në pah kushedi ç’platonizëm abstrakt, kushedi ç’idealizëm absolut, që mëtimi komunist në thelb padyshim është.
Ja se ç’vëren F. Engelsi (“Për historinë e të krishterëve të parë”) për këtë temë: “Të dy, si krishtërimi, ashtu edhe socializmi i punëtorëve, predikojnë shëlbim të afërt prej zgjedhës dhe mjerimit; krishtërimi e gjen këtë shëlbim në jetën pas vdekjes, në qiell, ndërsa socializmi në këtë botë, në një transformim të shoqërisë.”
Ndonëse në të ashtuquajturën kritikë letrare të pas viteve ’90 kanë rënë vetiu veprat “madhore” poetike, me të cilat indoktrinoheshin derimë atëherë lexuesit e nxënësit, e vërteta – e hidhur – është se më shumta e asaj që mbahej për poezi e mirë dhe vazhdon të mbahet për inerci si e tillë, jo si tekst, por e lidhur me emrat e shkruesve të saj, që maten po për inerci me të njëjtin kut si më parë – të paktën në prononcime publike nga kritikë me të njëjtën problematikë si autorët – do të përmendet këtej e tutje vetëm nga studiuesit e letërsisë në doktoratura që nuk i lexon kush dhe në tubime diku në Karadak dhe Gjilan, kur të organizohet mitingu poetik i radhës dhe të bjerë fjala mes pensionistëve nostalgjikë për “treshen” e dikurshme: Agolli-Kadare-Arapi – lexo: triumviratin: komandanti-komisari-sekretari.
E vërteta e hidhur është se me ikjen fizike të Agollit dhe Arapit nga kjo botë po ndahemi, për fat të mirë, edhe me marrëzitë “Nënë Shqipëri”, “Alarme të përgjakura”, “Shqiponjat fluturojnë lart” e shumë e shumë broçkulla, me të cilat vaksinohej në shkollat e mesme brezi im dhe ca më të moshuar se ne, pararoja e të cilëve po na lë shëndenë.
A do të mbetet gjë nga krijimtaria e poetëve të lartpërmendur? Vetëm ca vjersha të vockla të shkurtra lirike të para nëntëdhjetës do të thoja unë, ndërkohë që krijimtaria pas rënies së diktaturës nuk ka kaluar ende në filtrin e vetishëm të lexuesit, – për arsyet që dihen të rrokopujës në letra dhe jo vetëm aty, – ndërkohë që kritika vazhdon të mbajë një iso të filluar para asaj kohe, a thua se realizmi-socialist qenkësh ende gjallë. Në këtë kuadër duhen parë edhe përmendjet e treshes Kadare-Agolli-Arapi, e cila nuk është aspak e tillë.
Me sa duket qartë, tani pas gati një çerek shekulli, vetëm vepra e Kadaresë – cilësia e së cilës gjendet më së shumti në prozë – ka mundur të përballë maratonën e vlerave letrare. Sidoqoftë vetëm koha do ta tregojë dhe po e tregon, nisur nga fakti që u kujtuam të flasim për Arapin, bie fjala, vetëm kur ky u nda nga jeta.
Shkrimet që evokojnë lavdinë e dikurshme, pa marrë parasysh veprat në fjalë, – që çuditërisht janë të përkundërta me vërtetësinë, me realitetin e përnjëmendtë letrar, – janë tregues i qartë që procesi i erozionit ka vite që ka nisur dhe se tok me autorët e kritikët e mbetur të asajbote po rroposet përfundimisht edhe pjesa më e madhe e “krijimtarisë” së tyre. Nuk shënova qëllimisht: për fat të keq, pasi veprat më sipër nuk kanë qenë kurrë të tilla, krijimtari pra, por ideologji kinse poetike.
Po aq e vërtetë është se në një duel imagjinar pa pikëprerje mes kulinarisë dhe poezisë, plehut mediatik dhe letërsisë, triumfues kanë dalë kuzhinierët, të fortët dhe politikanët, pavarësisht se kjo bujë është llokoçitëse dhe fort e dyshimtë. Gjen në ekranet e median e shkruar shqiptare emisione për orë të tëra se si gatuhet rizotoja dhe paçeja, artikuj të pafund për Aldo Baren, vrasjen në bllok, Babalen e me radhë, por asnjë interesim të njëmendtë për letërsinë e kulturën.
Në këtë kuptim, në mungesë të një filtri të besueshëm, nuk mund të thuhet asgjë për letërsinë e këtij çerek shekulli të fundit, përpos që fqinjërimin e poezisë me prostitucionin e ka fituar dukshëm ky i fundit, pasi e para nuk mund të shitet dot pa velin e fjalëve, ndërkohë që tjetrit i mjafton lakuriqësia për t’u blerë.