Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Ndikimi i teknologjisë në fëmijëri: mësime nga libri “The Anxious Generation” i Jonathan Haidt

Foto nga wardahbooks.

Botimi më i fundit i autorit Jonathan Haidt, “The Anxious Generation: How the Great Rewiring of Childhood is Causing an Epidemic of Mental Illness” (në shqip: “Gjenerata e ankthit: si po shkaktohet një epidemi e çrregullimeve të shëndetit mendor nga transformimi rrënjësor i fëmijërisë”), i botuar më 2024, trajton ndikimin e thellë të teknologjisë në shëndetin mendor te të rinjtë. 

Autori përshkruan transformimin rrënjësor të fëmijërisë, e cila, nga një eksperiencë që bazohej në kohën më të madhe në lojëra dhe marrëdhënie sociale të drejtpërdrejta, është shndërruar në një përvojë të dominuar nga teknologjia dhe bota virtuale. 

Sipas Haidt, ky fenomen ka shkaktuar një krizë globale të shëndetit mendor te fëmijët, duke përkeqësuar nivelet e depresionit dhe ankthit, si dhe të izolimit social. 

Haidt fokusohet në analizën e rritjes dramatike të problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët që nga fillimi i viteve 2010, duke u bazuar në rënien e dukshme të fëmijërisë tradicionale të bazuar në lojëra fizike dhe video-lojëra, te kalimi drejt një fëmijërie të bazuar në përdorimin e telefonave dhe rrjeteve sociale.

Gjithashtu, libri përfshin rekomandime praktike për prindërit, shkollat, qeveritë dhe kompanitë teknologjike, për të rikthyer një fëmijëri më të shëndetshme dhe më të ekuilibruar.

Autori vendos gjithashtu në fokus katër pasoja kryesore të tejpërdorimit të teknologjisë nga fëmijët dhe adoleshentët: çrregullimet e gjumit, izolimin social, mungesën e vëmendjes dhe varësinë kronike ndaj teknologjisë. Ai vë në dukje se masivizimi i përdorimit të telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale në periudhën 2010-2015 shënoi fillimin e një “transformimi të madh” të fëmijërisë, duke ndikuar negativisht në zhvillimin emocional dhe social të gjeneratës së re. 

Dallimi gjinor: përdorimi i teknologjisë ka ndikim më negativ te vajzat

Autori thekson se përdorimi i rrjeteve sociale është i dëmshëm më shumë për vajzat, sesa për djemtë. Vajzat janë më të ndjeshme ndaj presionit të krahasimit social dhe kritikave online, që shpesh amplifikohen nga algoritmet e rrjeteve sociale. 

Fotot dhe postimet “perfekte” që shpërndahen në platformat si “Instagram”, krijojnë standarde të pavërteta dhe të paarritshme të bukurisë, duke promovuar një imazh të një personi ideal. Këto standarde shpesh ndikojnë negativisht në vetëvlerësimin e përdoruesve, duke çuar në rritjen e niveleve të ankthit dhe depresionit. 

Për më tepër, personazhet e famshme nga bota e muzikës apo modës, përmes montazhit në fotografitë e tyre, kanë vendosur standarde të reja të bukurisë. Këto standarde idealiste shtyjnë vajzat të krahasojnë pamjen e tyre reale me një imazh të idealizuar dhe jorealist, i cili është pothuajse i pamundur të arrihet në jetën reale.

Vajzat kanë më shumë gjasa të përjetojnë krahasime të vetes me imazhe të idealizuara, gjë që çon në rritje të ndjenjave të pamjaftueshmërisë, pakënaqësisë trupore dhe ankthit social. Kjo situatë thekson ndikimin e dëmshëm të rrjeteve sociale në shëndetin mendor, veçanërisht gjatë periudhës së zhvillimit emocional dhe fizik.

Në anën tjetër, djemtë kanë tendenca që ta përdorin teknologjinë kryesisht për video-lojëra, ose për të shikuar përmbajtje të materialeve pornografike. Këto aktivitete, sipas Haidt, promovojnë izolimin social të djemve, por nuk shkaktojnë krahasim social në të njëjtën masë si te vajzat. 

Sipas autorit, natyra e aktiviteteve që djemtë bëjnë në internet apo rrjete sociale dhe tendencat e tyre të ndryshme zhvillimore dhe psikologjike i bëjnë ata më pak të prekshëm ndaj efekteve negative të teknologjisë, në krahasim me vajzat. 

Ndërlidhshmëria e librit me Kosovën

Ndonëse libri i Haidt fokusohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e zhvilluara, efektet e tejpërdorimit të teknologjisë janë po aq të dukshme edhe në Kosovë. Nga vëzhgimet klinike, mund të konstatohet se ekziston një lidhshmëri ndërmjet rezultateve të librit të Haidt dhe sjelljes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Kosovë.

Edhe pse në Kosovë nuk ka hulumtime të konsoliduara mirë, vlerësohet se fëmijët dhe adoleshentët në Kosovë kalojnë mesatarisht rreth 5 orë në ditë në pajisje digjitale, shpesh duke sakrifikuar aktivitetet fizike dhe kohën e kaluar me familjen.

Në Kosovë, pjesa më e madhe e djemve e kalojnë pjesën dërrmuese të kohës në internet duke luajtur video-lojëra, të tilla si “Roblox”. Ndërsa vajzat e grupmoshës së njëjtë përdorin më shumë aplikacione për kurimin e imazhit, si “Instagrami” dhe “TikToku”, ky i fundit duke qenë një nga aplikacionet më të përdorura të rrjeteve sociale nga fëmijët e moshës 12-17 vjeç, ku 63% e tyre e përdorin çdo javë

Një sondazh i Shoqatës Digjitale Bitkom tregon se mosha e përdoruesve të parë të internetit po ulet gjithnjë e më shumë. Për shembull, mbi 70% e fëmijëve në klasën e parë (gjashtë deri në shtatë vjeç) janë tashmë online, ndërsa për fëmijët tetë deri në nëntë vjeç kjo përqindje rritet në 85%. Për moshën 12 vjeç e më shumë, pothuajse të gjithë (mbi 99%) kanë përvoja me internetin. 

Përdorimi i lartë i internetit dhe mungesa e mbështetjes sociale në shkolla e përkeqësojnë situatën në Kosovë. Institucionet arsimore rrallë ofrojnë programe për mbështetje emocionale, duke lënë fëmijët dhe adoleshentët të ekspozuar ndaj presionit social dhe dëmeve psikologjike të shkaktuara nga rrjetet sociale. 

Për më tepër, infrastruktura për aktivitete jashtëshkollore mbetet e kufizuar, duke mos u dhënë të rinjve hapësira të mjaftueshme për lojëra dhe aktivitete fizike që stimulojnë zhvillimin emocional dhe social.

Rekomandimet e librit

Pjesa e fundit e librit të Haidt ofron zgjidhje konkrete për të zvogëluar ndikimin negativ të tejpërdorimit të teknologjisë te fëmijët dhe adoleshentët. 

Masa të tilla përfshijnë ndalimin e përdorimit të telefonave të mençur gjatë shkollimit fillor, kufizimin e qasjes në media sociale përpara moshës 16 vjeçe dhe promovimin e lojërave fizike në ambiente të hapura. 

Haidt nënvizon se këto ndryshime janë të mundshme, por kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes prindërve, shkollave dhe politikëbërësve, në mënyrë që ta arrijnë efektin e duhur.

Libri i Haidt na fton të reflektojmë mbi mënyrën se si teknologjia po transformon fëmijërinë dhe ofron një thirrje të qartë për veprim. Për Kosovën, kjo përfshin investime më të mëdha në edukimin për shëndetin mendor në shkolla, nxitjen e prindërimit aktiv dhe kufizimin e orëve të përdorimit të teknologjisë për fëmijët.

Ndryshimi nuk është vetëm i mundshëm, por edhe i domosdoshëm. Në një botë gjithnjë e më të dominuar nga teknologjia, është përgjegjësia jonë të sigurojmë që fëmijët të kenë një zhvillim të plotë dhe të pacenuar fizik dhe emocional. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.