Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Në vend të popullizmit të majtë – një kritikë e majtë për popullizmin

Popullizmi është prej nocioneve më të studiuara viteve të fundit. Ai është bërë cilësimi më i shpeshtë edhe në debatet e studiot tona televizive. Po të shkoi mendja ta ngresh pak zërin, të quajnë popullist sepse popullisti është i pasjellshëm; po e shpalle ndonjë qëllim përtej llogarive të kornizuara, je popullist jashtë realitetit, sepse popullisti qenka utopist; po shpjegove pak disi jashtë metodës dhe ndryshe prej ideologjisë dominuese, nënçmohesh si popullist.

Popullizmi është bërë denominuesi kujdestar i secilit diskurs që del jashtë rrjetës së interesave të klasave shfrytëzuese e strukturave tjera sunduese. Secili që nuk e do mirëmbajtjen e gjendjes ekzistuese emrin e ka gati. Popullist është secili që nuk e ripërtyp ideologjinë dominuese.

Populizmi është një fenomen diskursiv që po krijon hegjemoni, për t’u bërë pastaj edhe opsion politik. Por, janë kushtet shoqërore dhe politike ku duhet parë terrenin për të. Dy fjalë: strukturë dhe sistem. Një zhvendosje nga ideologjia mbizotëruese drejt popullizmave ka ndodhur gjerësisht pas efekteve që ka prodhuar në shoqëri kriza financiare e vitit 2008. Ky është momenti i ristrukturimit shoqëror neoliberal. Pakënaqësia që vjen e zbrazur si revoltë ka disa shkaqe. Së pari është reagim ndaj vështirësive ekonomike, pastaj mungesë adresimi i këtyre problemeve brenda partive të sistemit. Sistemi ekzistues partiak është dëshmuar i ndryshkur sepse tërësisht i paaftë për t’i dhënë përgjigje apo adresuar fenomenet si varfëria e pabarazia. Thënë shkurt e qartë, partitë e bashkuara në qendër janë mbetja e një strukturimi politik që nuk ka më substrat shoqëror sepse shteti social dhe shtresa e mesme e gjerë dhe e qëndrueshme nuk është më. Partitë e sistemit, duke qëndruar të mbyllura dhe pa mundësi reagimi karshi këtyre zhvillimeve, me të drejtë janë portretizuar si mbrojtëse të status-quosë. E ruajtja e gjendjes ekzistuese është punë për shtresat e larta që jetojnë në babëzi. Kujto këtu sloganin 99% vs 1%.

Kundër kontradiktës të përbashkuar

Popullisti është i pamatur, i paarsyeshëm, i pakulturë. Ky është përçmimi liberal i traditës së kordoneve sanitare. Dekadën e fundit reagimi kundër popullizmit ishte kryesisht kritikë dhe pozicion liberal. Ky pozicion nuk mund të reduktohet në rrjedhojë logjike të ardhur prej interesave ekonomike që partitë e sistemit kanë të përbashkëta me kapitalin e madh. Kemi të bëjmë edhe me bindje e shkollë tjetër të teorisë politike. Kjo shkollë, kjo kritikë e ka në thumb kontradiktën si të tillë. Jo vetëm kaq, problem përbën edhe rikthimi i emocionit e afektit në politikë. E pashë njërin që nuk denjoi të merret me politikë tash për tash. Parlamenti nuk e paska më nivelin e dikurshëm. Pasionet e marra ia paskan zënë vendin kulturës politike. Disi kështu përshkruhet disponimi vajtues, përçmues e mendjemadh. Nuk ishte mësuar kësodore.

Kjo rrymë e sheh politikën si çështje të diskutimit racional, ku diskutimi dhe tavolina janë garanca për zgjidhje të secilit problem. Prandaj, brenda partive që riprodhojnë prej ideologjisë dominuese, fjalori është plot konsensus, diskurs korrekt, pastërti e kulturë politike.

Kritika ndaj popullizmit nuk duhet të na zërë në grackën e qëndrimit indiferent karshi rrënimit që neoliberalizmi po i bën shoqërisë. Një kritikë tjetër për popullizmin na duhet. E ndryshme në premisë dhe konkluzion. Kjo kritikë nuk e ka në qendër të saj sulmin ndaj kontradiktës, apo krijimin e kampeve në politikë. Madje, kjo është një pikë e përbashkët me ata që flasin për popullizmin e majtë.

Kufijtë e popullizmit të majtë

Kritika jonë për popullizmin e majtë është përballja me limitet e tij si projekt. Popullizmi i majtë mbetet i kufizuar brenda njësisë shtetërore duke shpërfaqur pabarazinë, teksa kërkon sovranitet popullor si përgjigje ndaj elitave të korruptuara. Por, kërkesa për sovranitet është rikonfirmim i shtetit si njësia bazike politike e shoqërore; si hapësira e vetme politike e gjeografike për veprim. Në anën tjetër, shteti i kohës së sotme, qoftë ky edhe me përmasa të mëdha, të jep fare pak instrumente intervenimi për transformime shoqërore.

Çfarë bëhet atëherë? Në krye të herës duhet theksuar: popullizmi i majtë është një projekt hegjemonik, dhe jo një projekt politik. Ernesto Laclau e Chantal Mouffe janë teoricienët e gjithëpranuar të tij. Këta të fundit kanë bërë punë të jashtëzakonshme në teorizimin e diskursit drejt sugjerimeve për ndërtim të hegjemonisë. Askush si këta nuk ka folur për zinxhirin e ekuivalencave mes shënjuesve dhe përbashkimin e tyre drejt një shënjuesi. Një teori diskursi që formëson, ndërton e bashkon, që adreson e ndërlidh për ta mundësuar ndërveprimin. Për ta flakur ankthin e të jetuarit në një realitet neoliberal, realitet ku shoqëria s’është më shumë se masë amorfe individësh. Kjo punë teorike zhbiron mundësitë për një lëvizje shoqërore ku klasat, shtresat a grupet e ndryshme ndërveprojnë pa u shkrirë te njëra-tjetra, dhe sidomos pa pasur nevojë që njëri grup të sakrifikohet në emër të çështjes së madhe që na e paska një realizim të shkallëzuar.

Popullizmi i majtë, si teori dhe si praktikë, megjithatë, e ka një mungesë që bëhet limit i patejkalueshëm. Kjo mungesë quhet kritikë e ekonomisë politike. Rritja e pabarazisë, rritja e papunësisë, emigracioni, puna prekariat, problemet emergjente si ajo e ngrohjes globale apo e emigrantëve të klimës, janë pasoja të një sistemi ekonomiko-shoqëror që kurrë nuk ka qenë më global dhe i ndërlidhur. Njëjtë siç e prek secilin vend në mënyra të ndryshme: diku emigrantë ekonomikë, diku  emigrantë të klimës, diku vende të boshatisura, diku emigrantë politik, diku shfrytëzim skllavërues. Secilën hallkë të veçantë që e prekim, e kemi prekur tërësinë. Nuk mund të flasim madje as për kthim tek shteti social i pas Luftës së Dytë Botërore. Një tatim progresiv, dhe atë i limituar. Kaq na mundëson shteti sot. Ndryshe, kapitalet transferohen shumë lehtë, dhe po aq lehtë gjejnë më mirë në vendet e tjera. Thithja e investitorëve dhe kushtet e mira për ta vazhdojnë të jenë formulat e vetme të “zhvillimit”.

Popullizmi i majtë vjen prej një shkolle teorike që ka në qendër të trajtimit tema të rëndësishme si diskursi, hegjemonia e politika –  sfera e polisit. Por, i njëjti, mbetet me mungesë të madhe të kritikës së ekonomisë politike. Ekonomia politike nuk duhet parë si marrëdhënia shkak-pasojë me politikën e hegjemoninë, por ama mungesa e saj na lë pa horizont. Kjo mungesë shpesh dërgon edhe në lidhje të shkurtra dhe thjeshtëzim të shtuar të problemeve. Pa synuar ta shndërrojmë politikën në katedër të filozofisë, thjeshtëzimi i tepruar i problemeve mund të ndihmojë në procesin e identifikimit, por nuk u jep njerëzve mjete çlirimi as mundësi emancipimi. Ndaj, Zhizhek ka shumë të drejtë kur shprehet kundër popullizmit, duke kërkuar më shumë kritikë të ideologjisë në vend të ndarjeve të thjeshta që karikaturojnë situatën si ajo midis të mirës e të keqes. Më shumë kritikë ideologjike në vend të lidhjeve të shkurtra dhe të thjeshta, dhe jo mbylljes në nocione si sovraniteti e shteti. Megjithatë, ky nuk është një sugjerim për të mosvepruar aty ku jemi, brenda hapësirës gjeografike.

Përfundimisht, çfarë na duhet sot është një rivlerësim i shtetit si njësia bazike e veprimit politik. Shteti sot është i tepërt dhe i pamjaftueshëm njëkohësisht. Është i pamjaftueshëm dhe i dobët përballë kapitalit financiar, korporatave miliardëshe dhe marrëdhënieve politike perandorake. Të gjitha këto vizatojnë limitet e ndërhyrjes shtetërore. Në anën tjetër, shteti është i tepërt dhe i huaj si mbivendosje e centralizuar, represive e burokratike mbi shoqërinë. Duhet menduar përtej shtetit sepse na duhet një shoqëri më demokratike dhe e decentralizuar; përtej shtetit sepse na duhet një projekt i ri internacionalist që arrin t’i adresojë problemet si pabarazia, ambienti, klima e emigracioni.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.