Filmi i metrazhit të shkurtër ,,Shok,, ma sjellë në mendje novelën drithëruese ,,Fati i Njeriut,, të autorit të madh rus Mikhail Sholokhov, i cili fitoi Nobelin në vitin 1965, me arsyetimin e fuqisë artistike dhe integritetit përmes së cilës i kishte dhënë shprehje, një fraze historike në jetën e rusëve. Novela e Sholokhovit është një himn mbi shpirtin e njeriut të thjeshtë. Himn mbi dhimbjen e paanë të fytyrës së përgjakur të njeriut, si metafizikë e luftës. Nëse kemi të drejtë ta themi këtë gjë. Por si gjithmonë t’i biem në të. Nëse mundemi. Sa më shpejtë që të jetë e mundur. Andrei Sokolov është një shofer kamioni, i cili shërben në radhët e ushtrisë ruse përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe sikurse tek filmi ,,Shok,, edhe tek novela, i gjithë rrëfimi është diçka që ka lënë shenjë të pashlyeshme tek kujtesa jonë e përbashkët. Ngase në të dyja rastet, kujtesa është dëshmi. Kujtesa është dokument i çmueshëm moral. Në të dyja rastet, kujtesa shërben si njësi matëse e dhimbjes. Të mos dërdëllisim shumë. Gjatë luftimeve të ashpra me forcat gjermane i vuajturi Sokolov, bie rob. Dhe njëjtë sikurse tek filmi, ai shpëton çuditërisht nga ekzekutimi, si pasojë e një hirearkie ushtarake. Megjithëse tek ,,Shok,, ka diçka pak më ndryshe. Hakmarrja e sëmurë del të jetë mbi çdo forcë autoritare dhe mbi çdo formë të çfarëdo lloj rendi. Pa çka se rendi ashtu kështu ishte katandisur si mos më keq. Në ato rrethana ku jeta ishte bërë bërë një udhëtim i padëshirueshëm, mizoria ishte pushtet dhe trishtimi ishte lëkurë. Sidoqoftë të flasim edhe për një element tjetër. Gjatë kohës sa heqakeqi i madh, Sokolov merret peng, ka në pronësi diçka që vrasësi nuk ka. Diçka që vrasësit i mungojnë. Një palë çizme të thjeshta e të bukura, që forcojnë absurdin e lakmisë, fyerjes apo ku dreqin ta di. Dhe kështu çizmet e Sokolovit sakaq bëhen çizmet e ushtarit zeshkan, që largohet nga ai me automatik në duar. Përderisa tek,,Shok,, kemi biçikletën. Si dëshmi e idesë për ta grabitur të ardhmen e një populli të tërë. Në çfarëdo kohe dhe kudo, lufta ka të njëjtat duar. Fatkeqësia shpesh shoqëron njerëzit që ndonëse nuk janë fare fajtor.
***
,,Shok,, përveç shpalosjes së rrëfimit mbi luftën, është më shumë se kaq. Ai në mënyrë të dukshme flet mbi miqësinë. Besimin e humbur dhe rikthimin e tij. Ndonëse në kushte të mjerueshme për jetë, vyrtytet janë mëse të domosdoshme dhe dashuria mëse e nevojshme. Dorën në zemër. Filmi është një këngë e bukur në fushë e padinjitetshme të dhunës. Në fushën ç’njerëzore të llahtarit. Dhe shpresës për jetë, që zvarritet nëpër rrugët e qullta të vdekjes. Ai në mënyrë të çiltërtë, i bën homazhe guximit të pamjaftueshëm. Dhe brishtësisë së shpirtit. Mbi të gjitha ai bën përgjegjës një botë të tërë. Ngase pamundësia për ta kthyer kokën dhe për ta demaskuar një akt barbar, në thelb duhet të jetë përgjegjesi e të gjithë njerëzimit.
Dhe ndërgjegje sakate e saj. Prandaj duket se para syve tanë të errët gjithmonë kemi një biçikletë të rrëzuar. Si fanitje e së kaluarës. Dhe si vërejtje e së tashmes.
***
Pak a shumë. Diçka të tillë kam përjetuar edhe vetë. Në prillin e vitit njëmijë e nënqind e nëntëdhjetë e nëntë. Dhe e di fare mirë shijën e idhët të një krisme. Qoftë edhe drejt qiellit që nuk kapet dot. Dhe mirë që nuk kapet. Ndryshe nuk do të mbetej kështu siç është.