Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

“Shpia e Agës”, një rrëfenjë e plagëve tona

Lexim sociologjik i filmit “Shpia e Agës” të Lendita Zeqirajt (2019) (Kujdes: shkrimi ka “spoilers”!)

Ngjarja zhvillohet brenda një pjese të ditës në një katund të Kosovës së pasluftës. Fokusi i kamerës luhatet ndërmjet rrugës së pluhurosur që të nxjerr nga katundi dhe një shtëpie të mënjanuar aty. Në të, pesë gra të ndryshme, Emira, Lumja, Kumrija, Gjyla dhe Zdenka, si dhe biri i mitur i Kumrijes, Aga (Agimi), i cili kurthohet në një marrëdhënie të çuditshme me Cerën, një burrë i asaj ane.

Filmi nis me Agën i cili po rregullonte pakot e cigareve që do t’i shiste në kafenetë e qytetit. Rrugës së pluhurosur e të gjatë të katundit, ai ndalohet nga Cera që, si me detyrim, i ofron ta çojë me kerrin e tij deri në qytet. Këtu nisin peripecitë e tyre të përbashkëta të shoqëruara me humor. Në anën tjetër, në shtëpinë e veçuar gratë flasin e bëjnë hajgare “rreth uçkurit”, kush më lirshëm e kush më me ngurrim, për përvojat dhe dëshirat e tyre seksuale.

Prej dialogjeve e situateve komike, më vonë filmi bën një kthesë për të shpalosur tragjedinë e secilit personazh: gratë e përdhunuara në luftë ose të abuzuara nga burrat, dashnorët, shefat a familjet e tyre pas luftës; Aga, pjellë e përdhunimit të nënës së tij, kuptimin e jetës e gjen te përpjekja për të gjetur dhe liruar babain e tij, të cilin ai e pandehte se ishte i burgosur diku në Serbi; Cera, një mesoburrë i papunë, i abuzuar dhe abuzues, oportunist, i pagdhenur dhe pa qëllim të qartë në jetën e tij.

Në vijim ofroj një lexim të fabulës së filmit duke interpretuar shtëpinë dhe rrugën e katundit si metafora të gjendjes pezull dhe fatit të pasigurtë të të margjinalizuarve të shoqërisë, të simbolizuar nga banorët e shtëpisë dhe udhëtarët e rrugës.

Shtëpia e mënjanuar e fshatit, e menduar si strehë e përkohshme për viktimat e dhunës seksuale dhe mashkullore në luftë dhe pas saj, në të vërtetë, del të jetë ngujim i përjetshëm në gjendjen e kalimtare të banorëve të saj. Shtëpia si fazë kalimtare është vendi prej të cilës të harruarit e shoqërisë nuk kanë se ku me shku. Kumrijen e mban uzdaja se intervisa për një televizion të huaj ka me i ndihmu me u arratisë e me gjetë shtegdalje nga gjendja e përhershme e pritjes së zgjidhjes. E ndrojtur të intervistohet para kamerës, ajo këshillohet nga Emira të flasë, se ndoshta “e sheh dikush e i ndihmon m’e qitë jashtë”. Një grua tjetër banore e shtëpisë që vjen më vonë në skenë, ia kishte dalur të çlirohej pak nga shtëpia duke krijuar një lidhje me një italian, për të cilën ajo merr qortime nga gratë më konservatore të shtëpisë.

Në shtëpi, gratë çojnë jetë të veçuar, por jo të zymtë, derisa kryejnë punët rutinore, argëtohen e qeshin madje edhe me përvojat e pakëndshme të tyre, ndërkaq terri i mbrëmjes i bashkon ato rreth çajit e kërcimit me tingujt e muzikës. Shtëpia është strehë për gratë, por vetëm brenda çatisë së saj. Ato nuk mund të jenë të lira e të sigurta jashtë saj. A kishin mundur ato, si viktima të dhunës mashkullore, me folë për seksualitetin, përvojat dhe fantazitë seksuale lirshëm pa u paragjykuar nga shoqëria?! Kush do t’i ofronte mbrojtje jashtë shtëpisë-strehë Lumes—të cilën familja e saj e kishte “ndrru me një kali” tek një burrë—prej Cerës së dhunshëm që e trajton atë si pronë të saj?! Ndërsa gratë mbesin në shtëpinë e përkohshme-të-përhershme, vetëm Aga arratiset nga shtëpia. Edhe ai, jo i shtyrë nga dëshira, sa nga tronditja kur e kupton se është fëmijë i nënës së përdhunuar dhe nga humbja e shpresës për ta gjetur babain.

Por, në film viktimat e përdhunimit as stigmatizohen, as heroizohen. Filmi ia del të paraqesë jetën “normale” (a simulimin e saj?) të grave të veçuara në shtëpinë strehimore. Mënyra gjeniale se si skenaristja Lendita Zeqiraj e zhvillon rrëfenjën arrin që para se shikuesit të kuptojnë se gratë janë “të çnderuara” ose “heroina”—ose me një cilësim më asnjanës, “viktima” të përdhunimit—ato i njohim si gra normale dhe me to krijojmë relacion të pandërmjetësuar nga gjykimi dhe ndjenja e keqardhjes për to. Kur më vonë, derisa zhvillohet rrëfimi, e kuptojmë se ato janë viktima të dhunës, tashmë e dimë se edhe viktimat janë si ne, si të gjithë të tjerët, as “të çnderuara”, as “heroina”, por, siç shprehet vetë skenaristja në një intervisë, “njerëz normalë”.

Përveç se në shtëpi, fabula shpaloset edhe në rrugë. Shtëpia është metaforë e gjendjes së sigurtë dhe rehatisë pa zgjidhje që ofron streha e saj, ndërsa rruga simbolizon fazën kalimtare e cila të çon diku, por nuk dihet se ku bash. Filmi mbaron me arratisjen e Agës prej shtëpisë, por ky nuk është mbarimi i dramës. Për gratë që mbeten në shtëpi, e dimë se nuk kanë gjetur dalje nga status quo-ja, por edhe e ardhmja e Agës që del në rrugë dhe përbihet nga errësira e thellë e fshatit, nuk është e sigurt. Ky moment paraqet mundësinë më të madhe të djemve për t’u pavarësuar, por tërheq vërejtjen për udhën e pasigurtë që ata marrin drejt rrugëtimit të tyre për t’u bërë burra. Duke e lënë të papërcaktuar fatin e protagonistit, filmi troket në ndërgjegjen tonë dhe na shtin të pyesim se ku e si ndërtojnë të margjinalizuarit e shoqërisë personalitetiet e tyre dhe a i ka hapur shoqëria krahët për ata apo i ka lënë në mëshirën e grupeve të devijuara e të kriminalizuara. Kështu, as Aga nuk ka gjetur zgjidhjen e dëshiruar, mund të hamendësojmë, sepse bota të cilën ai e njeh është kafeneja ku ai shet cigare e marihuanë dhe ku nuk është i mirëpritur nga kamarierët, si edhe Cera i dhunshëm dhe mosdurues, por besnik, të cilin Aga do ta marrë si model dhe figurë të babait që simbolizon mjedisin ku ai synon të integrohet për të plotësuar nevojën psikologjike për pranim e përkitje.

Filmi, pra, ofron një pasqyrë të fateve të pjesëtarëve të përjashtuar e të margjinalizuar të shoqërisë. Fshati i largët dhe shtëpia e veçuar e Agës bashkë me rrugën e paasfaltuar të cilën ai e rreh përditë, përfaqëson mjediset e harruara ose të lëna pas dore nga shoqëria e shteti. Paraqitja e fshatit me shtëpinë e vjetruar, rrugën e pamodernizuar dhe gjendjen e pashpresë të njerëzve aty, thyen shabllonet e portretizimit romantizues të fshatit, siç rëndom bëhet në ekran e fotografi. Në “Shtëpinë e Agës”, pamjet e fshatit nuk përcillen fare me muzikë në prarapavijë, që na lejon të dëgjojmë vetëm heshtjen dhe qetësinë karakteristike të pejsazhit të fshatit bashkë me dramën njerëzore që herë pas herë e prish heshtjen. Kështu, fshati nuk përdoret vetëm për pamje të bukura për të kënaqur syrin soditës e që zakonisht shoqërohen me muzikë për të plotësuar imagjinaren urbane për idilin e fshatit që duket sikur synon të fshehë anët e pandriçuara dhe të errëta të jetës në fshat, domethënë në mjediset e lëna pas dore, sipas simbolikës. Në film, panorama piktureske e fshatit trazohet vazhdimisht nga pluhuri i rrugës së paasfaltuar dhe zhurma e kerrit të vjetruar, ndërsa heshtja qetësuese e fushave e kodrinave rurale prishet nga rënkimi, zënkat, sharjet e rrëfimet e vuajtja njerëzore.

Në këto mënyra, “Shpia e Agës” është edhe një kontribut i vyer në artin filmik të Kosovës, i paraqitur me një mjeshtri artistike që unë—si pjesëtar i audiencës së pashkolluar për teknikat e kinematografisë—e di se është i tillë, pa e ditur se si. Ndoshta ngaqë në kinemanë tonë na sjell pak nga dora e Tarkovskyt me xhirimet prapa shpinëve të aktorëve që zbulojnë pikëvështrimet personale të personazheve dhe ajo e Kubrickut me fshatërat piktureske që fshehin vuajtjen, hipokrizinë e tragjedinë njerëzore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.