Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

Ilustrimi nga: Big Eye

“Natyrisht që ka njerëz në këtë vend që e duan paqen. Natyrisht që edhe ata të cilët e duan fitoren, nuk e duan as luftën e as vdekjen. Por askush nuk do të fitojë, vetëm do të vdiset”,

Borka Paviqeviq

Në fillim të vitit 2018 mediat ndërkombëtare paralajmëruan se një grup artistësh në Serbi janë duke pregaditur një mjuzikëll për Millosheviqin me titull “LiftSlobodan shou. Kureshtja e mediave dhe e publikut qe e madhe. Dhe paralajmërimi ishte që shfaqja do të jepej në Graçanicë, një qytezë e banuar me popullatë kryesisht serbe, jo larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

Para së të flasim për shfaqjen, është me rëndësi të flasim për teatrin që po e prodhonte atë. Shfaqja po realizohej nga Teatri Popullor i Prishtinës (Narodno Pozoriste Pristina/ Народно позориште Приштина), ‘përkohësisht i zhvendosur në Beograd’, siç i referohen edhe zyrtarisht në Serbi! Ky është një teatër që zhvillon aktivitetet artistike e administrative në Beograd, por që jep shfaqje kohë mbas kohe edhe në Kosovë, në vendbanimet ku jetojnë serbët. Tash së voni, ata, së paku zyrtarisht, thuhet se janë të vendosur në Graçanicë.

Tani, le të zhytemi edhe pak më thellë në të kaluarën. Teatri Popullor Krahinor është ndërtuar në Prishtinë në vitin 1946, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte konceptuar fillimisht si një shtëpi kulture, aso çfarë asokohe nisën të ndërtoheshin gjithandej ish Jugosllavisë, për t’u kthyer në vitin 1948 në Teatrin Popullor Krahinor. Kosova asokohe ishte krahinë autonome socialiste e Serbisë, brenda Federatës Socialiste të Jugosllavisë dhe ky teatër kishte një peshë të madhe sociale e kulturore. Gjatë historisë së tij mbi 70-vjeçare ka ndërruar emrin disa herë.  Që nga 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, ai quhet zyrtarisht Teatri Kombëtar i Kosovës. Ndryshimet e shpeshta të emrit përbëjnë edhe njëfarë kronike të ndryshimeve politike lidhur me statusin politik të Kosovës.

Brenda këtij teatri ka pasur dy ansamble aktorësh: ansambli i dramës shqipe dhe ai i dramës serbe. Por, megjithë tensionet e zakonshme që ekzistojnë thuaja në çdo teatër, deri në vitin 1990 aty thuhet se ka pasur njëfarë harmonie mes artistëve e stafit shqiptar e serb. Për shkak të publikut të madh shqiptar në Prishtinë, repertori i dramës shqipe, edhe në numër ka zënë vendin qëndror në këtë teatër, ku edhe drejtorët zakonisht ishin shqiptarë.

Megjithatë, veprimtaria e këtij teatri çakordohet përgjatë viteve të ‘90-ta, në kohën kur ai merret dhunshëm nën administrim të njerëzve lojalë të Millosheviqit. Administrata e re serbe largon nga puna shumicën e aktorëve shqiptarë, por edhe një pjesë të mirë të stafit teknik e administrativ, duke përfshirë drejtorin shqiptar. “Masat e dhunshme”, siç quheshin asokohe uzurpimet e këtilla të institucioneve publike, zbatoheshin gjithandej Kosovës. Me qindra e mijëra punëtorë teatrosh, fabrikash, spitalesh, punëtorë të administratës e të tjerë ngelën pa punë.

Kështu, pasi Teatri Popullor Krahinor ‘u mor nga serbët’, siç thuhej asokohe, ai bëhet një institucion gati i urryer për shqiptarët, të cilët mandej hezitonin të shihinin shfaqjet aty. Administrata e re serbe realizonte në çdo sezon nga një apo dy shfaqje në gjuhën shqipe, sa për të ‘dëshmuar’ se ishte e hapur edhe ndaj publikut shqiptar dhe se nuk po zbatonte kurrfarë projekti që do t’i cënonte të drejtat kulturore të tyre. Por, në realitet, disa shfaqje shqipe të atij fillimi të 90-tave u ndaluan apo u hoqën dhunshëm nga repertori! E kështu, krijuesve shqiparë iu bë me dije drejtimi i ri që tashmë kishte marrë ai teatër: t’i shërbejë politikës hegjemoniste serbe dhe të bëhej pjesë e maqinerisë së përgjithshme që synonte purifikimin nacional të Kosovës, nga, siç e quanin, dominimi shqiptar.

Gjatë luftës në Kosovë shumica e artistëve shqiptarë u shtrënguan të largohen nga Kosova dhe të vendosen si refugjatë në Maqedoni e Shqipëri. Ndërkohë që artistët e dramat serbe të këtij teatri vazhduan punën pa shfaqur asnjë fije solidariteti me artistët shqiptarë që qenë detyruar të braktisin Kosovën për shkak të luftës dhe për shkak se po përndiqeshin nga policia e ushtria serbe, e cila i konsideronte “armiq nën shënjestër” siç e konsideronte çdo shqiptar në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 drama serbe e këtij teatri shuhet, artistët dhe stafi serb largohen nga Kosova për në Serbi, ashtu siç largohet shumica e popullatës serbe që jetonte në Prishtinë. Artistët dhe administrata e dramës shqipe ndërsa kthehen nga kampet e refugjatëve dhe nisin punën rishtazi – tani në rrethana të reja por edhe me sfida të reja, krejt të ndryshme nga ato të paraluftës. Tani, ai teatër realizon shfaqje vetëm në gjuhën shqipe.

Disa vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Qeveria e Serbisë themelon Teatrin Popullor të Prishtinës (Narodno Pozoriste Pristina/ Народно позориште Приштина), një teatër paralel, i cili, sipas tyre, është vazhdimësi e teatrit të paraluftës në Prishtinë. Ky teatër është themeluar si përpjekje për të krijuar vazhdimësi të “institucioneve serbe” që kanë në qenë para luftës në Kosovë, në “krahinën e tyre të dikurshme”. Synimi i tyre, së paku simbolik, është që këto institucione (pra edhe ky teatër i zhvendosur përkohësisht në Beograd), një ditë të kthehen dhe të vendosen sërish në Kosovë.

Image

Të kuptohemi që në fillim: ekzistenca e një teatri është gati gjithmonë një akt emancipues. Megjithatë, duhet thënë që ky teatër i krijuar nga Qeveria serbe, si i tillë, nuk është krijuar për t’i shërbyer publikut serb në Serbi, e as atij në Kosovë. Madje, nuk është krijuar as si një shtëpi për të nderuar ata artistë serbë që dikur kanë jetuar e krijuar në Prishtinë, në teatrin dikur të quajtur Teatri Popullor i Kosovës. Jo, ai është krijuar me qëllime tërësisht ideologjike, për t’i shërbyer interesave e apetiteve hegjemoniste të qeverisë së Serbisë, dhe përpjekjes së tyre për të dëshmuar “pronësinë e tyre të Kosovës”. Për më tepër, ai teatër jo vetëm me ‘dekretin e themelimit’, por edhe me politikat programore, e ka dëshmuar se është në shërbim të politikës, gjegjësisht në shërbim të qeverisë serbe, e cila ka vazhduar edhe pas luftës me të njëjtat politika hegjemoniste ndaj Kosovës si ato të viteve të 90-ta.

*

E tani kur kemi treguar pak nga historia jo fort e lavdishme, madje komprometuese, e këtij teatri paralel serb që funksionon në Beograd, le t’i kthehemi shfaqjes së “LIFT: Slobodan Shou”, që u dha në Grançanicë të Kosovës më 6 mars 2018. Shfaqja flet për Sllobodan Millosheviqin dhe raportet e tij me familjen gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Të përmendim këtu faktin se kjo shfaqje po jepej rreth 20 vjet pas luftës në Kosovë dhe 15 vjet nga vdekja e Millosheviqit. Premiera u dha në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë dhe zgjoi interesim të madh të mediave ndërkombëtare, të cilat natyrisht ishin kureshtare të shihnin se si një trupë teatri serbe do të trajtonte figurën e ‘kasapit të Ballkanit’.

Për mua, por dhe për shumë të tjerë që atë natë panë premierën, qe zhgënjyese të shihnim se si artistët në këto anë, pëkundër luftrave të 90-tave në ish Jugosllavi, nuk ia kanë dalur të shkoqiten nga lëvozhga e propagandës nacionaliste dhe e ideologjisë luftënxitëse.

Në këtë mes, deklaratat e regjisorit Nenad Todoroviq dhe dramaturges Jelena Bogavac para premierës ishin, të themi, optimiste. Ata pretendonin një qasje kritike ndaj Millosheviqit dhe trashëgimisë së tij të luftës dhe krimeve.

Njerëzit tanë kurrë nuk mundën ta gjykojnë atë. Ky është versioni ynë i Hagës serbe”, tha në një intervistë regjisori Nenad Todoroviq. Megjithatë, shfaqja realisht përçoi krejt diçka tjetër, vizione të tjera që relativizonin krimet e Millosheviqit. Qe një përpjekje dëshpëruese për ta shpërndarë gjetiu fajin e krimeve të Millosheviqit dhe të qeverisë serbe të asaj kohe.

Shfaqja merret kryesisht me disa probleme efemere të familjes Millosheviq. Ndërkohë që kur flet për problemet reale të luftës, ato i trajton përmes një dioptrie klishe të nacionalizmit serb. Pra, një dioptri e cila e redukton pothuajse tërësisht përgjegjësinë e Millosheviqit, kurse fajin e luftrave të viteve 90 e projekton tek “Fuqitë e Mëdha’ dhe te “propaganda e mediave ndërkombëtare”. Serbët përshkruhen si viktimat kryesore, mbi të cilët fuqitë e mëdha hedhin bomba “pa përfillur konventat ndërkombëtare”.  Në shfaqje nuk përmenden fare viktimat jo-serbe, nuk thuhet asnjë fjalë për vuajtjet e të tjerëve. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë përgjegjësi serbe. “LIFT: Slobodan shou” është një lexim i shtrembëruar i historisë së viteve të 90-ta, do të thonim, një shtrembërim i qëllimshëm.

Millosheviqi në këtë shfaqje është ai “engjulli në qoshe”, që i vjen turp dhe është i paaftë ta ndryshojë fatin, rrjedhën e historisë dhe të asaj “që është e shkruar të ndodhë”. Ai është një ‘lojtar i vogël’, i cili nuk mund të veprojë dhe nuk mund të bëjë gjë për t’i ndalur luftrat e asaj kohe. Përgjegjësia e tij është baras me zero.

Kjo përpjekje për revidim të historisë, për rehabilitimin e të së kaluarës së tij kriminale është sa antihistorike aq antihumane. Roli i Millosheviqit është mjat mirë i dokumentuar. Ai është përgjegjës për vrasjen e mbi 100,000 njerëzve dhe përgjegjës për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve të zhvendosur me dhunë, që prej Bosnjes e deri në Serbi, në Kosovë e në Kroaci.

Në një kontekst tjetër, por që mund ta përdorim shumë mirë edhe këtu, shkrimtari e gazetari serb Tomislav Markoviq e shpjegon bukur përpjekjen e disa artistëve serbë për ta parë “anën tjetër të karakterit të Milloshevqit”, respektivisht, përpjekjen për ta zbritur atë në nivelin “e njeriut prej mishi e gjaku’. Ai shkruan: “Kur kemi të bëjmë me Sllobodan Millosheviqin, kreun e maqinerisë më të madhe vrastare në këto anë, kriminelin më të madh mes sunduesve serbë, njeriun i cili i ka filluar tri luftra, ka shkaktuar vdekjen e dhjetra mijëra vetave dhe shpërnguljen e disa milionë të tjerëve, ka shkatërruar vendin e vet dhe ka sjellë buzë shkatërrimit apokaliptik gjithçka që i ka dalë përpara – dhe prandaj, ai nuk është i rëndësishëm si individ, por ekskluzivisht si kreu i sistemit të vrasjeve masive, si forca shtytëse e industrisë së vdekjes. Nuk është Millosheviqi as Raskolnikov, as Merso, që të merremi me psikologjinë e tij individuale apo me raportet e tij me fqinjët.”

Është evidente se politika zyrtare serbe pas të 90-tave synon të negocojë rolin dhe përgjegjësinë e Millosheviqit dhe të shtetit serb. Në këtë drejtim ka një përpjekje për të shpikur fakte ‘paralele’, sepse i besohet citatit të Danilo Kishit te “Një varr për Boris Davidoviqin”, ku thuhet se “faktet janë ato për të cilat dakordohemi se janë ashtu’. Pra, politika sebe, por edhe një pjesë e elitës intelektuale, përpiqen të gjejnë bashkënegociatorë të fakteve’ dhe kjo përpjekje për negocim vjen në forma të ndryshme, që në këtë rast është një shfaqje teatrore.

*** vazhdon…

Ky artikull është prodhuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Sbunker dhe forumZFD Kosovë.

Read the article in English.

Author

  • Jeton Neziraj

    Jeton Neziraj, dramaturg, ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, kurse aktualisht është drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, një asociacion që merret me letërsinë dhe teatrin. Ai ka shkruar mbi 20 drama, të cilat janë vënë në skenë në Kosovë dhe jashtë saj, në Evropë e në Amerikë, e po ashtu janë përkthyer dhe botuar edhe në mbi 15 gjuhë të tjera.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.