Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Tirania e normalitetit

Burimi: VectorStock

“Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di”. Kështu fillon “I huaji” nga Albert Kamy. Me narracion në vetën e parë, fjalët e para të romanit mishërojnë mendimin e përgjithshëm të Mersosë për jetën, indiferencën dhe shkëputjen e tij nga njerëzit, tjetërsimin e tij pasiv e të qetë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Gjatë tërë librit, Merso vepron në kundërshtim me normat. Ai dënohet moralisht gjatë tërë kohës, se sjellja e tij nuk është e pritshme, dhe për më tepër nuk është e pranuar e rrjedhimisht normale.

Përkufizimet e normalitetit ndryshojnë shumë nga personi, koha, kultura dhe situata. “Normal” në fund të fundit është një perceptim subjektiv, amorf – është shumë më lehtë për të përshkruar atë që nuk është normale se atë që është normale. Në psikologji, nuk ekziston konsensus se nga çfarë përbëhet sjellja “normale”. Përkufizimi operacional i sjelljes adaptive, normale është në një formë e parazgjedhur; funksionalisht, normale është mungesa e sjelljes anormale. Pra, normale është gjithçka që nuk është anormale.

Akademikë dhe profesionistë kanë zhvilluar kritere shumë specifike për definimin e çrregullimeve mendore, mirëpo kritere për definimin e sjelljes “normale” ende mungojnë. Manuali diagnostik i parë listoi 106 çrregullime, kurse i tanishmi, DSM-V aktualisht liston 297 sosh. Shumë kritikë të këtij manuali argumentojnë se duke vënë etiketat mjekësore ndaj përvojave dhe sjelljeve që më parë janë konsideruar të jenë normale, do të çojnë në mbidiagnoza të panevojshme dhe përshkrim të medikamenteve, të cilat kanë efekte anësore serioze.

Sado që mund të jemi personalisht të bindur se mund të dallojmë “normalen” nga “jonormalja”, provat nuk janë aq bindëse. “Eksperimenti i Rosenhanit” ishte eksperiment që shtjelloi po këtë: validitetin e diagnozës në spitale psikiatrike – ku mendohet se normalja dhe jonormalja janë të qarta dhe ku nuk ka vend për gabime. Studimi konsiderohet si një kritikë e rëndësishme sa i përket diagnozave psikiatrike. Studimi u shtjellua në dy pjesë. Pjesa e parë përfshinte bashkëpunimin me njerëz të shëndetshëm apo ‘pseudopacientë’ të cilët shkurtimisht simuluan halucinacione dëgjimore në një përpjekje për t’u pranuar në 12 spitale të ndryshme psikiatrike në shtete të ndryshme, në SHBA. Asnjë nga pseudopacientët nuk u zbuluan dhe të gjithë u pranuan në reparte psikiatrike me diagnozë të skizofrenisë, në fund duke u shkarkuar me një diagnozë të “skizofrenisë në remision”. Pseudopaceintët qëndruan në spital nga 7 në 52 ditë. Të gjithë ishin të detyruar të pranojnë që kishin sëmundje dhe të pranonin të merrnin droga antipsikotike si kusht për lirimin e tyre. Në pjesën pasuese, personeli i një spitali, i cili ishte ndjerë i ofenduar nga studimet e Rosenhanit, e sfiduan atë që të dërgojë pseudopaceintë në repartin e tyre. Në javët në vijim nga 193 paceintët e ri, stafi identifikoi 41 prej tyre si pseudopacientë të mundshëm. Në fakt, Rosenhani nuk kishte dërguar askënd në atë spital. Studimi arriti në përfundimin, “është e qartë se ne nuk mund të dallojmë normalen nga të çmendurën në spitalet psikiatrike.”

Sipas Marie Jahodës – e cila shpiku konceptin e “Shendetit Mendor Pozitiv” – koncepti i “sëmundjes” mendore është shkencërisht problematik, duke pasur parasysh se ajo që konsiderohet si “sëmundje mendore” varet shumë nga konventat sociale të një vendi, e jo si diçka që vjen e natyrshme në mendjen e njeriut. Shumë më inkurajuese, besoi ajo, ishte koncepti i shëndetit mendor pozitiv që është funksionimi normal i mendjes në kontesktin e duhur social. Në disa shoqëri, një individ i shëndoshë mendërisht pavarësohet dhe fiton autonomi të plotë mbi jetën e tyre, kurse në shoqëri të tjera personi i shëndoshë mendërisht supozohet të jetë i bindur dhe kompliant ndaj rregullave që veç ekzistojnë për të mirëmbajtur rendin social. Në ‘Ideologji dhe Marrëzi’, Szasz argumentoi se njerëzit përdorin etiketa të tilla si të sëmurë mendorë, të huaj, etj., në mënyrë që të përjashtojnë individë nga grupi. Njerëzit të cilët janë ndryshe nga grupi dominant zakonisht stigmatizohen. Diagnoza psikiatrike i jep pacientit një identitet të ri – p.sh. “skizofrenik” dhe ia rrënon identitetin paraprak.  Mbeten natyrisht shqetësime të konsiderueshme etike për etiketimin, të cilat rezultojnë nga identifikimi i sjelljes së dikujt si anormale, pasi që një diagnozë psikiatrike mund të jetë etiketë për tërë jetën. Edhe në qoftë se pacienti nuk shfaq më simptoma, etiketa “çrregullimi në remision” ende mbetet.

Një çështje tjetër etike në diagnozë i referohet paragjykimit konfirmues. Paragjykimi në konfirmim është një lloj paragjykimi kognitiv që përfshin favorizimin e një informacioni që konfirmon opinionet tona ekzistuese. Kur pacientët pranohen në një institucion psikiatrik bashkëngjiten aspekte të tjera që i kontribuojnë vështirësisë në vlerësimin e pacientëve me saktësi. Pafuqia dhe depersonalizimi prodhohet nëpër institucione përmes mungesës së të drejtave, privatësisë, si dhe abuzimit verbal e madje edhe fizik nga punonjësit. Të gjithë këto shembuj të pafuqisë dhe depersonalizimit ilustrohen në mënyrë briliante në filmin “One Flew Over the Cuckoo’s Nest”. Njerëzit priren të sillen në atë mënyrë që pritet nga ata prej të tjerëve. Kjo profeci vetëpërmbushëse fillon kur individët fillojnë të internalizojnë rolin e “një të sëmuri mendor”, çka mund mund të çojë edhe në rritje të simptomave.

Shpesh një vendim në lidhje me sjelljen e një individi – se a është normale apo anormale – varet nga një seri e gjykimeve dhe vlerave të bazuara në përshtypjet subjektive. Përkufizimet e “normalitetit” janë pjesë e procesit diagonstikues, për atë është esenciale që të vendosen disa kritere objektive. Aktualisht, ka tendencë që diagnozat të mbështeten me vlerësime subjektive të stafit në kombinim me mjetet diagnostikuese të sistemeve të klasifikimit. Nëse jemi realistë, normaliteti psikologjik ka të ngjarë të mbetet pak a shumë aty ku është: një standard i presupozuar me anë të të cilit shoqëria e gjerë dhe teoricienët e praktikuesit e autorizuar të shëndetit mendor do të vazhdojnë gjykimin e tyre që thotë se devijimi nga ‘vijat normale’ përfshin çrregullime mendore. “Tirania e normalitetit” do të vazhdojë të sundojë për sa kohë që përkufizimi arbitrar i ‘shëndetit mendor’ artificialisht imponohet mbi ne.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.