Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Truqet sekrete të Kadaresë

 

Shumë nga lexuesit e rregullt të krijimtarisë letrare të Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të përkthyer shqiptar, mund ta hasin atë në veprat e tij të para 1990-s si një Kadare ndryshe nga ai pas rënies së regjimit socialist në Shqipëri. Dikush është e mundur që e kujton Kadarenë e “Dimrit të vetmisë së madhe” ku i thurr elozhe Enver Hoxhës, “parimorit puritan të marksizëm-leninizmit” që mu në mes të Moskës ia ngrit gishtin e akuzës Nikita Hrushovit, mu si në pikturën propagandistike të Guri Madhit.

Mbase dikush e kujton Kadarenë e poezisë “Partia ime” ku ai, përulësisht, me adhurim gati se religjioz, i thurr lavde Partisë së Punës. Dikush mbase ka të drejtë ta kujtojë edhe nga poezia “Pashallarët e kuq”, ku ai rend ta mbrojë Partinë e Punës nga burokratët e vegjël që po e kalbin së brendshmi Partinë, por ja që aty është faraoni, Enveri i tij, për ta mbajur atë, si kurdoherë, të pastër.

Por, një Kadare tjetër, pothuajse krejt i kundërt me atë të lartpërmendurin dhe në një farë mënyre i penduar për të parin, na shfaqet në një novelë të tij mjaft të arrirë artistikisht, tek “Lamtumira e së keqes”, me të cilën, siç thotë vetë Helena Kadare, është marrë shumë pak kritika, me përjashtim të ca zhbirimeve të Arbën Xhaferit, por i cili më shumë u mor me mesazhin e përgjithshëm të kësaj novele.

Pakashumë, epitoma e këtij tregimi është kjo: një zyrtar i Perandorisë Osmane, pak vite para largimit të saj nga Shqipëria, viziton këtë trevë, por me një mision special dhe sekret. Atij i bën konak Beqir Aliu, një qeveritar lokal plot panik e paranojë dhe njëkohësisht smirë e zili ndaj zyrtarëve të rangut të lartë siç ishte bujtësi i tij. Pas shumë përshkrimeve misterioze, ku padyshim Kadareja është mjeshtër i vërtetë, bujtësi, zyrtari i rëndësishëm perandorak, vendos t’ia thotë sekretin e misionit të tij në Shqipëri.

Zyrtari misterioz kishte ardhur ta gatiste Shqipërinë në rast ndarjeje nga Perandoria Osmane, gjë që nuk dukej se do shkonte larg të ndodhte. Ai do ta shtronte terrenin që Shqipëria, edhe pasi të jetë ndarë de jure nga Perandoria, të mos ndahej kurrë nga mentaliteti “i kalbur” i saj: korrupsioni moral e material, ajo që Kadareja, me nuanca proto-raciste, e quan ndarje nga “qytetërimi perëndimor” dhe rikthim nga “barbaria lindore”, ngulfatje e Shqipërisë prej një tirani shqiptar, e kështu me radhë.

Por, gjer këtu s’kemi asgjë të re në stilin kadarean. Ajo çfarë më pati lënë përshtypje në këtë novelë të tij ishte hermeneutika dhe dykuptimësia e rrezikshme e kësaj trajtese të tij letrare. Së paku në njëmbëdhjetë raste, Kadareja, me nëntekst, i referohet në fakt Enver Hoxhës kur flet për tiranin, për demonin, që zyrtari osman kishte ardhur ta gatiste që nesër t’ia shtypte kokën shqiptarëve dhe Shqipërisë. Esenca e aluzionit të tij është se kjo novelë është shkruar në kohën e regjimit socialist, paçka që në vitin 1987, kur, tashmë nën udhëheqjen e Ramiz Alisë dhe dy vite e gjysmë pas vdekjes së Enver Hoxhës, Shqipëria po ndjente një pahitje lehtësuese në frymëmarrjen e vet shoqërore dhe politike. Ama, vrasjet e pushkatimet akoma s’ishin ndalur dhe rreziku i dënimit qëndronte mbi kokën e tij si shpatë Damokleu, edhepse ishte nënkryetar i Frontit Demokratik, ku kryetare ishte Nexhmije Hoxha, e veja e Enverit. Por, frika e shpatës së Damokleut mbi kokë të vet nuk e lejoi Kadarenë ta bënte zemrën gur për ta botuar këtë novelë para vitit 1991. Ndonëse në pushtet akoma ishte Ramiz Alia, regjimit të tij i kishte mbetur vetëm hija e mëparshme.

Por ku fshihen truqet e fshehta të Kadaresë, të cilat ai mëdyshej nëse do të kalonin në botim asokohe, duke i ikur censurës shtetërore (rrjedhimisht dhe dënimit të shpatës së Damokleut) njashtu siç në portat e Trojës grekët e lashtë dikur e kalonin kalin e drunjtë, gjersa mbrojtësit e saj po e merrnin thjesht si një lodër?

1. “E di si i thonë kaurët kohës që jetojmë? – tha pas pak. – Shekulli i njëzetë…” Në këtë pasazh Kadareja shpjegon se në cilin shekull zhvillohet ngjarja ku emisari kryeqytetas ishte nisur në Shqipëri ta gjente njeriun e duhur që, edhe kur Perandoria Osmane të jetë larguar, “tirania aziatike”, siç i thotë Kadareja, të mos jetë zhbërë, madje të jetë rënduar mbi shqiptarët, por kësaj here nga një shqiptar.

2. “Ka disa vjet që, pas tyre, ne jetojmë në këtë shekull… Në mos gaboj ka tetë vjet…” Më pas, ai na dëfton kësisoj vitin kur zhvillohet ngjarja – 1908.

3. “Është mesi i tetorit dhe koha është ftohur si në dimër.” Këtu, Kadareja na e ngushton rrëfenjën, duke na e saktësuar jo vetëm muajin e vitit 1908, pra tetorin, por edhe ditët e tij, dmth gjysma e tetorit.

4. Pjesa e dialogut, kur Beqir Aliu i drejtohet emisarit kryeqytetas “Natën e mirë, gazi!” dhe pak më lart “më duket se po gdhin”, le për të kuptuar se po perëndon nata e gjysmës së tetorit. Pra, po ngrys 15 tetori dhe po agon 16 tetori, 16 tetor 1908.

5. “Larg regëtinin ca dritëza të zbehta. Ishin dritare shtëpish në të cilat njerëzit, për një shkak ose një tjetër, ishin çuar herët.” Po në çfarë raste njerëzit e shtëpisë, cilësdo qoftë ajo, ngriten që pa gdhirë? Patjetër që në atë shtëpi kishte vdekur dikush…. apo kishte lindur dikush.

6. “Bujtësi vështroi një copë herë përjashta si të shquante diçka, që rrekej të vinte që andej e që diku pengohej.” Pra, diçka po vinte, diçka po lindte, përkundër pengesave. Ajo “diçka” në fakt ishte “dikush” që kishte lindur në atë shtëpi, në agun e 16 tetorit të vitit 1908, në një qytet të Shqipërisë.

7. “Kur bujtësi vjen natën e parë në shtëpinë e Beqir Alisë” ai ia bën me dije se “veç Hanit të Vjetër, në të dalë të Janinës, dhe një tjetri pranë Kavallës, të gjithë të tjerët janë për faqe të zezë.” Pra, lokalizohet përafërsisht edhe qyteti i Shqipërisë. Është në jug të Shqipërisë, afër Janinës e Kavallës. Të ketë qytet më të afërt shqiptar me Janinën sesa Gjirokastra? Ishte Gjirokastra qyteti ku mëngjesin e 16 tetorit 1908 po lindte një foshnjë që do të përdorej në planet e emisarit osman për despotizimin e Shqipërisë?

8. “Urdhri i mbretit Herod për gjetjen e Krishtit foshnjë… pavarësisht se Herodi kishte kërkuar Krishtin për ta zhdukur, e ai do të kërkonte Atikrishtin për të kundërtën… për ta këndellur.” Pretendimi që Kadareja indirekt pak rreshta më lart na bën me dije se në atë shtëpi po lindte një fëmijë, forcohet nga këto rreshta të lartshënuar. Por ndonëse figurativisht e përdor për kamuflazh figurën e Krishtit, ai bën me dije se e ka fjalën për Antikrishtin.

9. Ai e ka fjalën për “hoxhën e zi, dashnorin e vogël të Azisë”, një “hoxhë në vend të princit”, siç e përshkruan në një tjetër vend atë që po e kërkonte, që sapo kishte lindur, mëngjesin e 16 tetorit 1908, mbase në Gjirokastër. Kishte lindur një hoxhë, por jo me profesion, por me mbiemrin Hoxha.

10. Pra ideja e tij, sikurse e eremitit Haxhi Halil Ruhollakut, po materializohej me lindjen e ekzekutuesit të saj. Ai, i sapolindur, vite më pas do ta mishëronte idenë e emisarit osman, i cili “po linte tharmin, mullëzën” e tyre, “vetaziatizimin e shqiptarëve”: “do të dënonte pëshpëritësit”, “të vriste po të ishe nevoja”, “t’i zhbënte me rrënjë e me farefisni”, “pastaj me krejt rrethin miqësor”, “sajoheshin përbetimet kundër shtetit”, “krimet nuk reshtin”, “Evropa më pak se ne i duron këto”, “ai do ngrihej vetë kundër saj”, “grindje e hapur e prijësit me Evropën”, “kthimi i syve drejt Azisë”.

11. Edhe emri i qeveritarit vendor është aludues. Beqir ka qenë emri i vëllait të madh të Enver Hoxhës, i cili vdiq shumë i ri nga tuberkulozi më 1921. Atij ia kishin përdytësuar emrin e Mulla Beqir Hoxhës, vëllait të gjyshit të Enverit, një sundimtari tiran të zonës ku sundonte. Kurse, kur emisari thotë se është frymëzuar nga një eremit, nga një farë Haxhi Halili, kujtojmë se Halil ishte emri i babait të Enver Hoxhës…

Kësisoj, Kadareja ngelet i madh, sikurse në shumë aspekte të tjera artistike, në mbulesën simbolike që ia bëri asaj që rrekej ta thoshte. Vërtet “Lamtumira e së keqes” s’iu botua gjer më 1991, por ama edhe ta shkruaje një të tillë, sidomos që gjithë dorëshkrimet e tij i ranë në dorë Sigurimit të Shtetit më 1990 dhe sidomos që ai këtë vepër për botim e nisi para fillimit të ndryshimeve të mëdha, nuk ishte pa rrezik. Por, të rrezikuarit e Kadaresë shkonte gjer tek të shkruarit e kësaj novele. Ajo do të lindte vetëm kur regjimi i vjetër po vdiste…

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.