Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Marrëveshja trelaterale e mbrojtjes “Aukus” dhe baraspesha e kërcënimit (I)

Marrëveshja trelaterale e mbrojtjes e arritur në mes të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë – e njohur me shkurtesën AUKUS – shpërfaq, në mënyrë të qartë dhe paekuivoke, faktin se politika e baraspeshës së fuqisë/baraspeshës së kërcënimit është rikthyer si parim kryesor i sjelljes së shteteve në politiken ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, rikonfirmon postulatin neorealist se, në secilën rrethanë, siguria është më e rëndësishme për shtetet sesa ekonomia.

Andaj, me ndryshimet në sistemin ndërkombëtar dhe rikalibrimin e balancës së fuqisë, duket se shtetet do të jenë të detyruara t’i rishikojnë aleancat e tyre – në shumë raste duke i rikonfirmuar e riforcuar ato, por në të tjera raste edhe duke i modifikuar në përputhje me interesat nacionalë – dhe të zgjedhin në mes të interesave ekonomikë dhe atyre të sigurisë. Në këtë drejtim, Australia me nënshkrimin e marrëveshjeve trepalëshe për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore, u përcaktua që t’i japë prioritet sigurisë përpara prosperitetit ekonomik.

Vetëm katër ditë nga tërheqja përfundimtare e trupave ushtarakë e civilë amerikanë nga Afganistani – pas një qëndrimi njëzetvjeçar – më 15 shtator të këtij viti, ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia njoftuan arritjen e një pakti dhe fillimin e një partneriteti të ri të sigurisë. Në fakt, aleanca në mes të këtyre shteteve nuk është gjë e re. Të tria këto vende janë partnere dhe aleate të ngushta për shumë kohë. Por, relevanca e kësaj marrëveshjeje të re rritet për shkak se në këtë rast bëhet fjalë për një përpjekje të përbashkët për të pajisur Australinë me teknologjinë e nevojshme për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore. Përveç kësaj, liderët e këtyre shteteve – presidenti i ShBA-së, Joe Biden, kryeministri i Australisë, Scott Morrison, dhe kryeministri britanik, Boris Jonson, ravijëzuan planet për të ardhmen me qëllim të thellimit të bashkëpunimit, duke u zotuar që këtë partneritet do ta zgjerojnë tutje edhe në fusha si: siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, teknologjitë kuantike dhe në ngritjen e “kapaciteteve tjera nënujore” siç janë sensorët dhe dronët nënujorë.

Duhet theksuar se jo shumë shtete në botë kanë në posedim nëndetëse të këtij lloji. Në fakt, me këtë marrëveshje, Australia pritet të bëhet vetëm shteti i shtatë në nivel global që posedon këtë teknologji. Gjashtë shtetet e tjera që tashmë kanë nëndetëse me energji bërthamore si pjesë e flotave të tyre janë: ShBA-ja, Kina, Britania e Madhe Franca, India dhe Rusia. Jo rastësisht, të gjitha këto vende janë gjithashtu edhe fuqi bërthamore. Po ashtu, duhet të përmendet fakti se kjo nuk është një marrëveshje e zakonshme që bëhet rëndom nga shtetet e fuqishme.

Në fakt, përpara këtij rasti, vetëm një herë gjatë historisë ShBA-ja është angazhuar që të mbështesë një vend tjetër, duke i ofruar në dispozicion teknologjinë e fundit superiore, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve për nëndetëse me energji bërthamore. Ky rast ishte para 63 vjetësh kur ShBA-ja kishte ndihmuar Marinën Mbretërore të Britanisë së Madhe që të bëhej bërthamore. Ky me AUKUS-in është rasti i dytë kur ndërmerret një vendim i tillë dramatik me efekte jo të vogla gjeostrategjike.

Ky pakt trelateral i sigurisë, përveçqë përforcoi aleancën në mes të shteteve partnere të përfshira, ndikoi edhe në ndryshimin e marrëveshjeve të tjera paraprake që Australia kishte në fushën e ndërtimin të nëndetëseve. Në këtë drejtim, reagimi i parë dhe tejet agresiv kundrejt kësaj aleance nuk arriti nga vendet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Kinën, por erdhi nga Franca – shtet aleat i të tri shteteve të përfshira në marrëveshje. Zemërimi i tyre ishte aq i papërmbajtshëm sa mund të konsiderohet edhe si jodiplomatik.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, akuzoi Australinë për goditje me “thikë pas shpine” dhe për marrjen e një “vendimi unilateral, brutal dhe të paparashikueshëm”, veprim i cili u pasua me tërheqjen e ambasadorëve nga ShBA-ja dhe Australia, por jo edhe nga Britania e Madhe. Arsyeja primare e këtij reagimi buron nga fakti se më 2016 Australia kishte nënshkruar me Francën një kontratë për ndërtimin e 12 nëndetëseve me naftë. Për ironi, në ditën e shpalljes së marrëveshjes trelaterale AUKUS, sipas ministrit francez të Mbrojtjes, Australia kishte njoftuar Francën se ishte mjaft e kënaqur me progresin që po arrihej në këtë program të përbashkët. Pak orë pas këtij komunikimi, me bërjen publike të aleancës strategjike nga tre liderët shtetërorë të ShBA-së, BM dhe Australisë, projekti me Francën tashmë ishte i “vdekur”.

Balancimi i kërcënimit

Në marrëveshjen trelaterale – shprehimisht dhe në mënyrë eksplicite – askund nuk thuhet se është e orientuar kundër Kinës dhe balancimit të fuqisë së saj. Megjithatë, për lexuesit e vëmendshëm të sjelljes së shteteve në arenën ndërkombëtare është fare e qartë se kjo është lëvizje politike synon të konsolidojë aleancat me shtetet e rajonit në mënyrë që t’i pamundësohet Kinës të shndërrohet nga një fuqi ekonomike e teknologjike, në një hegjemon gjeopolitik rajonal.

Është e kuptueshme se zyrtarët dhe strategjistët kinezë i kishin diktuar me kohë këto lëvizje të ShBA-së dhe shteteve partnere të saj. Në fakt, Kina gjithmonë ka besuar në idenë se rrjeti i aleancave globale të ndërtuara nga ShBA-ja në të vërtetë është thjesht një mbulesë për, siç deklarojnë ata, hegjemoninë e saj në nivel global. Andaj, nëse udhëheqësit amerikanë shprehen me fjalë të ëmbla dhe me elegancë të stërholluar diplomatike, duke e nënvizuar faktin se angazhimi i tyre është i fokusuar në drejtim të  promovimit të vlerave dhe parimeve universale, apo mbrojtjes së shteteve aleate dhe në të njëjtën kohë kundërshtimit të “përpjekjeve të vendeve të fuqishme për të dominuar ato më të dobëta”, siç bëri presidenti Joe Biden në fjalimin e tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me 21 shtator, kjo në të vërtetë nënkupton thjesht intensifikimin e garës strategjike të ShBA-së me qëllime puro gjeopolitike.

Në këtë kontekst, zëdhënësi i Qeverisë Kineze, Zhao Lijian, duke komentuar marrëveshjen trelaterale, ishte shprehur se bashkëpunimi për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore për Australinë e ka “minuar seriozisht paqen dhe stabilitetin rajonal, ka intensifikuar garën e armatimit dhe ka tronditur në themel përpjekjet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore”.

Në anën tjetër, ambasadori i Kinës në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (organizatë ndërkombëtare kjo që synon të promovojë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe të ndalojë përdorimin e saj për qëllime ushtarake) akuzoi ShBA-në për veprimet e ndërmarra që të transferojë “njohuritë e teknologjisë bërthamore” tek Australia. Kjo gjë, sipas tij, minon tërësisht parimin e mospërhapjes së armëve bërthamore dhe, në të njëjtën kohë, stimulon dhe motivon vendet tjera, si Irani apo Koreja e Veriut, që kanë interesa dhe synime strategjike, që të intensifikojnë përpjekjet për të arritur qëllimet shumëvjeçare për sigurimin e teknologjisë së nevojshme për të zhvilluar dhe poseduar armë bërthamore.

Në të vërtetë, Traktati i Mospërhapjes Bërthamore (NTP) u ndalon vendeve nënshkruese që nuk kanë ende një bombë të ndërtojnë një të tillë. Në këtë traktat gjithashtu theksohet se materiali bërthamor i ndjeshëm, si uraniumi i pasuruar, duhet të vihet nën mbrojtje dhe mbikëqyrje ndërkombëtare të monitoruar në mënyrë strikte nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Por, duket se në këtë drejtim ekzistojnë hapësira legale sa u përket nëndetëseve. Shteteve u lejohet që të operojnë dhe lëvizin materialin bërthamor, në përputhje me normat që dalin nga traktatet ndërkombëtare, nëse i njëjti përdoret për “veprimtari ushtarake të ndaluar”, siç është përdorimi për të vënë në lëvizje një nëndetëse. Së këndejmi, arritja e kësaj marrëveshjeje trelaterale në fakt është hera e parë kur një shtet si Australia, i cili nuk është në posedim të armeve bërthamore, e shfrytëzon këtë vakum në normat ndërkombëtare dhe përfiton materialin bërthamor për nëndetëse.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.