Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

2024-ta do të jetë viti i stagnimit në dialogun Kosovë-Serbi

Më 2023, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Ohrit. Kjo shënoi një marrëveshje përparimi të shumëpritur, mbështetur nga BE-ja dhe ShBA-ja. Derisa mund të pritet që viti 2024 të jetë viti i zbatimit të saj, kjo perspektivë duket se nuk ka gjasa të ndodhë për disa arsye:

Skadimi i mandatit të Miroslav Lajçakut

Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, skadon në gusht 2024 dhe shton pasigurinë lidhur me situatën. Lajçaku, i cili u emërua në këtë post në vitin 2020 dhe u riemërua më 2022, këtë herë mund të përballet me një vendim tjetër.

Këshilli Europian (KE) ka autoritetin të zgjasë mandatin e Lajçakut, gjë e cila kërkon një vendim unanim nga vendet anëtare të BE-së. Megjithëkëtë, KE-ja tregoi në fillim të shkurtit se kjo nuk ishte në agjendë dhe se takimi i radhës do të jetë në qershor. Kësisoj, e ardhmja e Lajçakut në këtë pozicion mbetet e pasigurt.

Për më tepër, thirrjet për dorëheqjen e tij komplikojnë tutje situatën, duke lënë potencialisht vakant pozicionin e tij dhe duke stagnuar dialogun.

Krijimi i qeverisë së re në Serbi

Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2023 në Serbi do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në dialog. Kushtetuta e Asamblesë Kombëtare dhe krijimi i qeverisë do të kenë ndikim në dialog.

Pavarësisht fitores së qartë të partisë në detyrë, krijimi i qeverisë dhe emërimet politike do të marrin kohë. Ta zëmë, negociatori kryesor nga pala serbe është drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi dhe është e paqartë se kush do ta marrë përsipër këtë rol. Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet për të negociuar, e lëre më për të nënshkruar marrëveshje të reja në dialog.

Zgjedhjet e Bashkimit Europian

Edhe zgjedhjet e BE-së, që janë planifikuar të mbahen në qershor 2024, do të kenë efekte negative në dialogun e normalizimit. Pasi të zgjidhet Parlamenti Europian (PE), çfarë do të pasojë tutje janë muaj të tërë të debatit politik, ndërtimit të koalicionit dhe nominimeve, duke shënuar kësisoj një proces të rëndë zgjedhjeje për presidentin e Komisionit, Kolegjin e Komisionerëve dhe ndarjen e portofolit, si dhe emërimet politike në BE. Me gjasë, procesi do të zgjasë deri në fund të vitit.

Ndërkohë, BE-ja nuk do të ketë as kohë, as kapacitet, për t’u përfshirë në dialog. Kjo mungesë angazhimi ka të ngjarë të detyrojë Kosovën dhe Serbinë që t’i prolongojnë zotimet e tyre dhe ta anashkalojnë dialogun.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës nuk u besoi fare figurave kyçe të BE-së, Borell dhe Lajçak, përgjatë dialogut të viteve të fundit. Një nga arsyet e mosbesimit është se të dy vijnë nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën (Spanja dhe Sllovakia). Andaj, me gjasë, Kosova do të presë dhe të shohë nëse këtë herë Përfaqësues Special do të jetë dikush nga një vend që mban qëndrim më të favorshëm karshi Kosovës.

Zgjedhjet presidenciale në ShBA

Zgjedhjet presidenciale në ShBA do të jenë një përcaktues i rëndësishëm i dialogut. Duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të ShBA-së në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si Kosova, ashtu edhe Serbia, do t’u kushtojnë vëmendje të madhe fushatës dhe zgjedhjeve elektorale të ShBA-së.

Duket se Beogradi dhe Prishtina po vënë baste për kandidatë të ndryshëm presidencialë, me një strategji të përmirësimit të pozicioneve të tyre përkatëse pas zgjedhjeve. Presidenti serb, Vuçiq, mbështet Donald Trump-in në zgjedhjet e ardhshme, duke shpresuar se fitorja e tij mund të jetë e dobishme për Serbinë.

Nga ana tjetër, Kosova tradicionalisht ushqen marrëdhënie më të mira me presidentin e Partisë Demokratike dhe, në këtë rast, Joe Biden është zgjedhja e qartë. Kjo strategji mund të tregojë se të dyja palët mund ta shtyjnë zbatimin e marrëveshjeve dhe të vonojnë arritjen e marrëveshjeve të reja, duke shpresuar për kushte më të mira pas zgjedhjeve në ShBA.

Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare

Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit 2025, të cilat do ta dominojnë diskursin politik. Partitë politike të Kosovës, kryesisht, do të bëjnë fushata. Andaj, çdo lëshim në dialog nga partia në pushtet do të konsiderohet si dobësi dhe do të përdoret si mundësi sulmi.

Njëherazi, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka të ngjarë të vazhdojë me kursin e vet të veprimit, duke futur masa të reja (ta zëmë, heqjen e përdorimit të dinarit), dhe duke mbajtur një qëndrim të ashpër karshi Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Kjo qasje i ka siguruar popullaritet të konsiderueshëm Kurtit. Në këtë drejtim, natyrisht që nuk do të ketë përparim në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për krijimin e Asociacionit / Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Së fundi, vitit 2024 duket si një mundësi e humbur dhe të dyja palët do të përdorin secilën mundësi për t’i forcuar pozicionet e tyre, duke vepruar në mënyrë të njëanshme dhe duke testuar kufijtë e njëra-tjetrës, si dhe duke mos u angazhuar në dialog në pritje të ardhjes së liderëve të rinj politikë në skenë për të krijuar marrëdhënie të reja me ta.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.