Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

A e duan laviret atdheun më shumë?!

Shënime për libra

Libri “Laviret e duan atdheun më shumë” i shkrimtarit Bardh Frangu, patjetër, duhet të fillojë me një poezi mbi mëkatin, e cila, ndonëse e vetme, duhet të përbëjë një cikël të tërë që quhet “Në vend të prologut”. Në fund të fundit, vetë njerëzimi është ngjizur në mëkat dhe prej atëherë vazhdojmë luftën (utopike) për t’u kthyer në ditët kur ishim të pakorruptueshëm dhe të pafajshëm.

Që në titull Frangu ka treguar aftësinë e tij të zbatojë me shkathtësi figurativitetin e një martese të veçantë mes ironisë dhe alegorisë. Por mjeshtëria poetike frangiane vetëm sa ka nisë me çelë t’ bukurit e saj.

Niveli i shumë prej vjershave të ciklit të dytë “Nën strehët e mërzisë”, si p.sh. “Vogëlushet e mia”, “Pamje e shkrumbtë”, “Jam ai që s’ jam”, “Njeriu im”, “Syri i Sarandës” dhe sidomos portreti simpatik për të papërsëritshmin poet të poetëve Mirko Gashi— “Tri pamje për Mirkon” janë provë konkrete që gufimi i bukurisë është në zhvillim e sipër. Në këto faqe ritmi poetik realizohet efektivisht në aspektet e muzikalitetit dhe vizualitetit estetik herë duke përdorur tre—, herë katër—, e herë pesë— e aty-këtu më shumë—vargëshin në strofa. Krijohet përshtypja që krahasimet përgjatë ciklit janë (qëllimisht) të rralla dhe ekonomike, sepse rolin kryesor në këtë episod duhet ta luaj shëmbëlltyra e tematikës së poezive, e cila në prapavijë, kur e nevojshme, përcillet nga aluzione personalitetesh historiko-aktuale, por edhe mitologjike si Aga Ymeri.

Cikli i tretë mban të njëjtin emër si libri. Në këtë cikël metri bëhet dominues mbi strofën ndërsa gjuha bëhet momente-momente e pistë. Krejt kjo në funksion të ëndërrimit, pse jo, dhe kërkimit të pastrimit të kohës dhe realitetit jetësor, që “thyerja e pasqyrave nga liria” ua ka qitur sakatllëkun për lëndinë. Subjekti dhe toni janë kryesisht agresive. Poeti godet pa mëshirë duke e rritur tensionin, mirëpo, fatkeqësisht me kosto për poetiken, përkundër tentimit të përdoren mjete teknike si rima dhe klisheja. Si rezultat lexuesit, në njërën anë, mund të kënaqen me fjala vjen vjershat “Laviret e duan atdheun më shumë”, “Babai im ilegal” apo “Liria theu pasqyrat”, ndërkaq, që, në tjetrën, mund të zhgënjehen me poezitë “Të mos kesh siklet” apo “Me Bukowskin në Prishtinë”.

Cikli i parafundit “Lutje të përlotura” e kthen nivelin në maje përsëri. Me veç gjashtë poezi dashurie arrihet klimaksi i veprës. Këngët monologje, të shkruara nganjëherë edhe si silolike nga një dramaturg me përvojë, janë një buqetë me lule të shumëngjyrshme  për personazhin e quajtur Mara. Kjo pjesë e librit është një lloj epifanie e poetit se në jetë megjithatë ka shpëtuese të shpirtit dhe ajo e ka emrin dashuri, qoftë edhe e humbur apo e parealizuar.

Si çdo gjë që ka prolog dhe epilog, ashtu dhe libri i Bardh Frangut mbyllet me ciklin e fundit që i është vënë emri (i pritur) “Në vend të epilogut”. Si fillimi i librit, edhe fundi i tij përbëhet nga vetëm një vjershë, e cila e ka titullin “Nën hije qiriri”. Poezia e fundit mshef në vete sasi patosi dhe paradoksi interesant, por çuditërisht ajo ja del të jetë një sinopsis i përshtatshëm dhe kompetent dhe kështu me sukses mbyll një rreth poetik fitimtar.

Frangu në hyrje të librit deklaron që përmbledhja u kushtohet “… atyre që u dogjën dhe u shkrumbuan për ëndrrën tonë të madhe.” Kushtimi, pavarësisht a e duan atdheun laviret më shumë apo më pak, ka dalë një shtjerrje krijuese ngashënjyese dhe e hirshme— një dëshmi e pasur letrare për kohën dhe kundër kohës sonë. Një arritje për lavdatë e autorit Bardh Frangu dhe poezisë shqiptare.

 

Libri: “Laviret e duan atdheun më shumë” (poezi), të autorit Bardh Frangu.

ISBN: 978-9951-632-05-8; Botues: SHB “OM”, Prishtinë, 2013

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.