Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

A mund të bëhet Asociacioni edhe konsocional edhe multietnik?

Arkitektura institucionale, kushtetuese dhe përgjithësisht sistemi politik i Kosovës janë formuar sipas modelit të demokracisë konsocionale (bashkë-qeverisëse), e cila në thelb synon mbrojtjen e grupeve etnike jo shumicë përmes përfshirjes dhe duke promovuar idenë e një shoqërie multietnike. Në rast se formohet një entitet politik vetëm për një komunitet etnik, siç synohet tani me Asociacionin, parimet bazë të demokracisë konsocionale dhe me këtë edhe ideja e multietnicitetit në Kosovë do të shembej përfundimisht dhe i gjithë sistemi ekzistues do të vihej në pikëpyetje. Në këtë analizë shtjellohet shkurtimisht historiku dhe konteksti i konsocionalizmit në vend, çka e rrezikon atë dhe se si eventualisht do të mund të shmangej diçka e tillë.

1.

Elementet e para të ideve konsocionale në Kosovë, të vendosura qysh gjatë administrimit nga Kombet e Bashkuara dhe të theksuara në Kornizën Kushtetuese që nga viti 2001, përfshinin mbrojtjen dhe përfaqësimin sa më përfshirës të pakicave në strukturat udhëheqëse të vendit.

Pas gati një dekade të administrimit ndërkombëtar nga misioni i UNMIK-ut si dhe negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë viteve 2006-2008 për të gjetur zgjidhje për statusin përfundimtar, ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari dhe i dërguari special i OKB-së për Kosovën doli me një propozim gjithëpërfshirës për “pavarësinë e mbikëqyrur” për Kosovën.

Ky propozim, i njohur tashmë dhe më mirë si Plani i Ahtisaarit, konsistonte në parimet e ndarjes se pushtetit (bashkëqeverisjes) mes komuniteteve etnike, si pjesë e një strategjie më të gjerë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Këto dispozita, siç janë dygjuhësia, vendet e rezervuara në kuvend, administratë dhe qeveri, si dhe një nivel i konsiderueshëm i vetëqeverisjes nëpër komuna (të cilat më vonë u inkorporuan në Kushtetutën e Kosovës dhe u miratuan në Kuvend menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008).

Përkundër kritikave të shumta dhe sfidave ndaj dispozitave nganjëherë jo demokratike, siç ishin kuotat e ‘diskriminimit pozitiv’ në punësime e përfaqësim, këto parime me kohë arritën të përmirësojnë dukshëm marrëdhëniet ndëretnike, të sigurojnë paqe e stabilitet dhe të forcojnë legjitimitetin e shtetit.

2.

Në të vërtetë, qëllimi strategjik e afatgjatë i modelit konsocional ishte të detyrojë bashkëpunimin ndërmjet elitave politike, dikur armiqësore, për të nxitur gradualisht normalizimin dhe besimin ndërmjet komuniteteve etnike, si parakusht i paqes dhe demokratizimit.

Nga pikëpamja teorike, demokracia konsocionale si formë alternative e demokracisë mazhoritare konsiderohet si qasja më e përshtatshme për menaxhimin e konfliktit në shoqëritë e dala nga lufta. Kjo është e njohur më shumë përmes aranzhimit të ndarjes së pushtetit [power-sharing], me ç‘rast ky model përfshin pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e të gjitha grupeve kryesore etnike në institucionet shtetërore si dhe në proceset vendimmarrëse.

Konceptualisht, ndarja e pushtetit mund të konsiderohet si qasje efektive për menaxhimin e konfliktit në fazën fillestare, por jo edhe strategji e përshtatshme për zgjidhje të qendrueshme politike dhe demokratizim të shoqërisë (Jarstad/Sisk, 2008). Institucionalizimi i tillë i etnisë mund të çojë në ngërçe politike e institucionale dhe thellimin dhe përshkallëzim të ndasive etnike.

3.

Aranzhimet konsocionale (bashkë-qeverisëse) në Kosovë janë evidente së paku në katër dimensionet e saj përbërëse, si: a) qeverisja nga koalicioni i të gjitha komuniteteve etnike; b) sistemi zgjedhor proporcional; c) e drejta  e vetos ose votim i shumicës së dyfishtë, si dhe ç) autonomia segmentare (deri tani e shfaqur më shumë si vetëqeverisje në nivel lokal). Zbatimi i këtyre mekanizmave është sfiduar në vazhdimësi nga strukturat të ndryshme paralele serbe, të dirigjuara nga Beogradi.

Mirëpo, para së gjithash, modeli konsocional sfidohet nga kundërthënia e saj thelbësore: në njërën anë promovohet gjerësisht një shoqëri multietnike, në anën tjetër krijimi i komunave gjatë procesit të decentralizimit dikur dhe tash formimi i Asociacionit po synohen të bëhen kryekëput mbi baza etnike.

Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja dhe përfaqësimi në jetën politike e kulturore është e mundshme kryesisht si pjesëtar i një bashkësie etnike. Kjo shpërputhje ndërmjet parimit të promovuar dhe gjendjes në realitet, nuk inkurajon sa duhet qytetarët që të tejkalojnë përkatësinë etnike dhe dëmton pëpjekjet për forcimin e legjitimitetit të shtetit dhe formimin e një identiteti të përbashkët shtetëror, e të ndërtuar mbi parimin multietnik.

Ndonëse shteti i Kosovës bazohet parimisht në multietnicitet dhe ofron politika gjithëpërfshirëse për pakicat, ai në poltikat identitare nuk është as shtet-komb i shumicës shqiptare, as shtet qytetar i të gjithë qytetarëve të saj, ashtu siç e perkufizon Kushtetuta. Në të vërtetë, siç e përshkruan me të drejtë Landau (2017), është më shume një “shtet i komuniteteve”, një pjesë e të cilëve vazhdojnë ende të kontestojnë vet atë.

Atëherë, a mundet që me kohë të tejkalohet kjo kundërthënie dhe si do të mund të arrihej kjo?

4.

Në rastin ideal, kjo do të ishte e mundur nëse mekanizmat e deritashëm kushtetues e institucionalë të bashkëqeverisjes do te modifikoheshin sipas modelit më liberal, duke tejkaluar çimentimin etnik të përfaqësimit dhe duke promovuar unitetin politik e qytetar dhe legjitimitetin shtetëror. Duke e tejkaluar edhe kontestimin e shtetësisë dhe duke përfshirë komunitetin serb aktivisht dhe pa ndikim të regjimit beogradas në këtë proces.

Ndërsa në rastin tjetër e më pak ideal, kur ndryshimet në rendin e tanishëm konsocional janë të pamundshme dhe kur formimi i Asociacionit është i pashmangshëm, mundësia e vetme është që aranzhimet ekzistuese të ndarjes së pushtetit të vlejnë ligjërisht dhe përmbajtësisht edhe për Asociacionin. Me fjalë tjera, që Asociacioni të jetë vërtet multietnik dhe jo monoetnik , duhet të ketë dispozita ku bashkëqeverisja, dygjuhësia, përfaqësimi si dhe vendimmarrja të bëhet me drejtën e shumicës së dyfishtë të votimit nga të gjitha komunitet etnike përbërëse dhe këto të normohen shprehimisht në statut dhe në përputhje me Kushtetutën.

Kjo nuk do të ishte aspak model optimal i organizimit dhe vendimmarrjes, por së paku do të parandalonte përjashtimin, anashkalimin dhe diskriminimin e komuniteteve jo-shumicë në ketë entitet. Gjithashtu do të garantonte zbatimin e demokracisë konsocionale në të gjitha nivelet dhe strukturat shtetërore, duke ia pamundësuar enklavizimin apo institucionalizimin e strukturave paralele të një bashkësie etnike. Kjo do të ishte kompromis i palës kosovare në negociata, që do të siguronte opinionin publik se nuk po formohet njëfarë Republika Sprska e re, siç proklamohej deri më tani.

Sidoqoftë, edhe në këtë rast zbatimi i këtyre parimeve do të kishte nevojë për mbështetje të gjerë dhe mbikëqyrje të përkohshme ndërkombëtare. Me kohë, ndoshta njerëzit, sikurse edhe sistemi, i përshtaten rrethanave dhe mësohen të jetojnë në paqe multietnike e në kuadër të sistemit të ndarjes së pushtetit, edhe në një Asociacion!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.