Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Aeroporti i  Gjakovës

KFOR për nevoja të veta ushtarake kishte ndërtuar aeroportin e Gjakovës, i cili për 13 vite ishte përdorur ekskluzivisht për operime ushtarake. Në këtë aeroport forcat paqeruajtëse italiane kanë investuar rreth 30 milionë euro, dhe vetëm vlera e pajisjeve në aeroport sillet rreth 9 milionë Euro. Aeroporti i Gjakovës në vitin 2014 është transferuar nga forcat e KFOR-it tek qeveria , e cila përkundër deklaratave për hapjen e tij, në fakt jo vetëm që nuk është angazhuar në hapjen e tij, por ka ndërmarrë disa hapa që drejtpërdrejt pengojnë hapjen e aeroportit të Gjakovës.

Hapja e një aeroporti të dytë në Kosovë si aeroporti i Gjakovës, domosdoshmërisht do të ndikojë në rritjen e konkurrencës për aeroportin e Prishtinës dhe largim nga pozita monopolistike që aeroporti i Prishtinës momentalisht mban. Nga krijimi i konkurrencës do të përfitonin kompanitë ajrore pasi që do të mund të shërbeheshin me shërbimet më të lira, kurse pasagjerët të cilët përveç përfitimeve që do të merrnin nga ofertat e kompanive ajrore poashtu do të mund ta gjenin aeroportin e Gjakovës si më të përshtatshëm për të udhëtuar.

Negociatat për transferim të Aeroportit të Gjakovës tek qeveria, nisen në fillim të vitit 2013, kurse transferi i aseteve të aeroportit tek qeveria ishte përmbyllur në dhjetor të po atij viti.  Në datën 28 Mars 2014, Qeveria e Kosovës kishte themeluar ndërmarrjen publike “Aeroporti i Gjakovës”, çka është përcjellë me deklarata nga përfaqësuesit e qeverisë si Ministri i atëhershëm i MTI,  kryetarja e komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari-Lila, por edhe nga vetë Kryeministri i asaj kohe i Kosovës z. Hashim Thaçi, duke siguruar se hapja e aeroportit të ri të Kosovës do të sigurojë zhvillimin ekonomik, krijimin të vendeve të punës etj.

Edhe pse vetë qeveria e Kosovës është themeluese e NP “Aeroporti i Gjakovës” dhe deklerativisht ka nxitë zhvillimin e aeroportit të Gjakovës, po e njëjta qeveri për shumë vite ka punuar kundër hapjes së këtij aeroporti.

Në procesin e koncesionimit të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe në kontratën për koncesionim ndërmjet LIMAK dhe Qeverisë, neni 13.6 i Kontratës, aeroporti i Prishtinës nuk i nënshtrohet konkurrencës së drejtëpërdrejtë nga hapja e ndonjë aeroporti të ri në territorin e Kosovës, kjo pasi që qeveria sipas kontratës është e obliguar që ta mbajë të padëmtuar partnerin privat nga humbjet që do të shkaktoheshin nga hapja e ndonjë aeroporti të dytë në Kosovë. Sipas këtij neni të kontratës hapja e ndonjë aeroporti tjetër në Kosovë nuk do të krijojë konkurrencë e as benefite zhvillimore për qeverinë e Kosovës por përkundrazi hapja e një aeroporti tjetër do të shtojë obligimin e qeverisë që të kompensojë kompaninë private LIMAK për të ashtuquajturën humbje të shkaktuar nga operimi i një operatori tjetër aeroportual.

Në rrethana të kësaj kontrate, hapja e një aeroporti tjetër civil në Kosovë do të ishte vetëm barrë për qeverinë e Kosovës dhe buxhetin e Kosovës. Kontrata për koncesionimin e dhënë LIMAK KOSOVO Internatinal Airport J.S.C, edhe pse nuk e ndalon hapjen e një Aeroporti të ri, financiarisht e bën të pamundur dhe të parealizueshme hapjen e një aeroporti të ri në territorin e Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe autoriteti i Partneritetit Publiko Privat (PPP) këtë kusht të kontratës sikur e ka mbajtur të fshehur dhe asnjëherë nuk janë përmendur obligimet kontraktuale që qeveria ka karshi hapjes së një aeroporti të dytë në Kosovë.

Prej themelimit të ndërmarrjes publike “Aeroporti i Gjakovës”, qeverisë iu deshën më shumë se dy vite kohë vetëm për emërim të anëtarëve të bordit. Kjo vonesë e cila nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse me pritje të përmbylljeve të “pazareve” politike, në fund të këtij viti u përmbyll me një proces, i cili ishte komplet në kundërshtim me ligjin, duke përzgjedhur militantë partiakë, dhe duke mosrespektuar as në minimum kërkesat profesionale për anëtarët e bordit.   Anëtarët e Bordit tash janë “Nipa e Mbesa” të politikanëve, dhe të dështuar politikë në zgjedhjet e fundit, të cilët i mbajnë pozitat si shpërblim nga partitë e tyre, kurse hapjen dhe funksionalizimin e  Aeroportit të Gjakovës, as nuk kanë njohuri bazike për ta bërë të mundur.

Nëse krahasohemi edhe me vendet në rajon, ku secili shtet në rajon ka më shume se një aeroport civil, hapja e një tjetër Aeroporti civil në Kosovë është i domosdoshëm për shumë arsye komerciale, por edhe për çështje të sigurisë. Themelimi i ndërmarrjes publike “ Aeroporti i Gjakovës” nuk do të duhej të shihej si qëllim në vetvete, dhe mundësi për “rahatimin” e militantëve politikë. Tashmë kanë kaluar 2 vjet prej transferimit të aseteve nga KFOR-i në pronësi te qeverisë,  dhe qeveria me nënshkrimin e kontratës së koncesionimit me LIMAK ka krijuar pengesa serioze për operim komercial të aeroportit të Gjakovës, nga ana tjetër duke “rehatuar” militantë partiakë ka treguar që nuk e ka seriozisht funksionalizimin e këtij aeroporti.  Edhepse KFOR-i italian i ka dhuruar Kosovës asete prej më shume se 30 milion euro, qeveria në vend që të funksionalizojë këto asete dhe të krijojë benefite për shoqërinë, po i trajton këto asete sikur pikë shpenzimi, ku po përdor fondet nga buxheti i qeverisë për t’u paguar rroga militantëve partiakë.

Qytetarët e Kosovës duhet të dinë se ata politikanë që kanë premtuar hapjen e aeroportit të Gjakovës, zhvillim ekonomik e hapje të vendeve të punës, janë po të njëjtit që  kanë vonuar për më shumë se dy vite çfarëdo iniciative lidhur me hapjen e këtij aeroporti, janë po të njëjtit që nënshkruan kontratën e koncesionimit të aeroportit të Prishtinës, e cila kufizon fluturimet civile në aeroportin e Gjakovës, dhe tash së fundmi bënë pazare politike për “rehatimin” e militantëve politikë në bordin e këtij aeroporti (të Gjakovës).  Krejt çka është bërë për aeroportin e Gjakovës deri më tani është “mjegull”, duke ditur që aeroportet e kanë të vështirë të operojnë në mjegull, mundësia që aeroporti i Gjakovës të hapet mbetet ZERO.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.