Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Astrit Dehari dhe siguria në burgje

Ilustrimi: Big Eye

Astrit Dehari dhe siguria në burgje

Vdekja e Astrit Deharit më ka prekur pa masë, njësoj siç besoj, e ka prekur edhe secilin nga ju. Dhe këtë jo veç për faktin se u shua një jetë e një të riu, që sipas atyre që e njohën ishte plot jetë e potencial, por për mënyrën se si kjo ndodhi. Astritin nuk e kam njohur, por vdekja e tij më ka tronditur sikur ta kisha njohur gjithë jetën. Jam prekur, sidomos, për shkak se Astriti vdiq aty ku do duhej të ishte i sigurt, në burg.

Kur një individ përfundon në paraburgim, apo në burg, institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë parametrat esencialë siç është mbrojtja e jetës. Po për çfarë kujdesi po flas, mund të pyesni, kur ne s’kemi kushte të mira në liri, po kërkoj tash kushte për të burgosurit. Ajo që duhet ditur që në fillim, megjithatë, është fakti se të burgosurit nuk privohen nga liria si hakmarrje për veprat që kanë bërë, por si veprim shoqëror për ta korrektuar atë individ. Dhe këtu qëndron një keqkuptim madhor, jo veç sot, jo veç te ne, por përgjatë historisë, nëpër shumë shoqëri, që burgun e kuptojnë si hakmarrje.

Ky nuk është qëllimi i burgjeve në Kosovë dhe nuk është qëllimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), të paktën jo zyrtarisht. Kësisoj, vdekja e Astrit Deharit, në rrethana tepër të dyshimta, për të mos thënë madje edhe konspirative, më bën të brengosem përtej jetës së një individi, sado e dhimbshme që është humbja e tij. Më bën të brengosem për shërbimin korrektues, i cili, veç nga ky rast, po del se ka shumë probleme.

Sistemi i burgjeve është një prej hallkave më të rëndësishme të  sistemit të drejtësisë, andaj edhe funksionimi i tij duhet të jetë afër të përkryerës. Gjithçka që zhvillohet në këtë sistem dhe që ka të bëjë me këtë sistem duhet të funksionojë në përputhshmëri të plote me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi.  Për t’u arritur kjo duhet të ekzistojë infrastruktura e nevojshme dhe burimet adekuate njerëzore.

Por, a i ka Kosova këto kushte? Edhe pse janë bërë përpjekje dhe janë shpenzuar shumë mjete për  funksionimin e drejtë të sistemit korrektues gjendja nuk është as për së afërmi ashtu siç kërkohet nga dispozitat ligjore dhe konventat ndërkombëtare. Kjo shihet edhe nga videot e ngjarjeve të fundit ku shumëçka ishte jashtë kritereve dhe standardeve evropiane që kërkohen për këtë kategori institucionesh.

Burgjet dhe qendrat e paraburgimit janë vendet ku rregulli dhe struktura duhet të jetë në nivelin më të lartë. Pajisjet teknike, duhet çdo herë të jenë në funksion të prezantimit të secilit moment të vëzhgimit dhe vrojtimit me qëllim që siguria të jetë në nivelin maksimal.  Vendosja e kamerave duhet të bëhet në atë mënyrë që të gjitha hapësirat të jenë të qasshme për stafin i cili  ka për obligim të kujdeset për të burgosurit 24 orë. Në rastin e video incizimit të Astrit Deharit, shpesh kur dera e qelisë së parë hapej, dera e dytë ( ajo e qelisë së Astritit) nuk vërehej mirë. Ndoshta ekzistojnë edhe pamje të tjera nga kamera të vendosura në kënde të ndryshme e të cilat nuk janë shfaqur në  opinion, andaj unë po flas vetëm për atë që është parë.

Kamerat duhet të prodhojnë material autentik të nevojshëm i cili  mund të shfrytëzohet në rast të procedurës hetimore.  Në rastin e fundit kishte dilema nëse kamerat ishin të azhurnuara dhe nëse incizimi i tyre ishte në kohë reale.

Në raste të tilla kur video materialet nuk janë në kohë reale, ato nuk mund të konsiderohen valide dhe kjo është një nga shkeljet më të mëdha që mund të bëhet sepse përmes tyre nuk mund të ndërtohet alibia, dëshmia. Për më tej, rrjedhja e këtyre video incizimeve është shkelje e rëndë e dispozitave ligjore të procedurës hetimore. Dalja e tyre në publik, nëse ato janë autentike, tregon për një brishtësi në rrjedhjen e informacionit, andaj përgjegjësia bije mbi organet e rendit, të cilat janë përgjegjëse edhe për ruajtjen e këtyre video incizimeve, derisa procedurat hetimore mos të kenë mbaruar.

Funksionimi i mirëfilltë i sistemit korrektues varet edhe nga burimet njerëzore, pra stafi i mjaftueshëm me integritet të lartë personal, niveli i përgatitjes adekuate profesionale, trajnimi dhe verifikimi i vazhdueshëm i aftësive. E që stafi të jetë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë, sigurisht që i gjithë zinxhiri komandues duhet të ketë integritet personal dhe profesional.  Burgjet duhet të kenë aktivitete (kurse dhe trajnime) të ndryshme të cilat kontribuojnë në aftësimin e të burgosurve në mënyrë që këta individ pas lirimit ta kenë më të lehtë riintegrimin në shoqëri.

Informata e parë që doli në opinion nga institucionet në lidhje me rastin Dehari lë përshtypjen se shumëçka nuk funksionon.  Konfuzionet rreth funksionimit të sistemit, pikave logjistike, përgjegjësia për punët dhe detyrat nga autorizimet konkrete, lënë shumë për të dëshiruar. Këtë e them ngase një lloj tollovie në korridoret e një qendre të paraburgimit  siç shihet në video incizim të publikuar  më shumë përngjanë në një treg të çrregullt se sa në një institucion, i cili duhet të ketë një siguri të lartë të përcaktuar me kushtetutë dhe ligj.

Në një institucion korrektues ku ka rregull dhe disiplinë shëtitja nëpër korridor me dyer qelish që hapen e mbyllen sipas dëshirës në kohën kur të burgosurit duhet të jenë brenda, vë në diskutim edhe sigurinë brenda atij institucioni, jo vetëm për të burgosurit, por edhe për vetë stafin.

Të burgosurit dhe të paraburgosurit  janë nën përkujdesje të shtetit ndaj pavarësisht se si do të jetë epilogu i rastit, shteti nuk mund të  shfajësohet në asnjë mënyrë, meqë Astrit Dehari vdiq sa ishte nën përkujdesjen e shtetit dhe për këtë dikush duhet dhënë përgjegjësi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.