Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Bronx për të gjithë

Ka kohë që nuk çuditem nga lajmet që vijnë nga Kosova. Zakonisht janë lajme të dëshpëruara me aty këtu ndonjë lajm të mirë e  të parëndësishëm. Pasi jetova një pjesë të mirë të jetës në kohë tranzicionesh disi u kalita të shoh e të dëgjoj gjëra të padëgjuara, zakonisht tipike për shoqëri të mbyllura, të vetëkënaqur me fantazitë e tyre, të dehura dhe të  frikësuara nga mitet dhe njerëzit pas tyre.

Absurdi i fundit është fati i përmendores së “Heronjve të Luftës Nacional Çlirimtare”  e njohur ndryshe edhe si “përmendorja e Bashkim Vëllazërimit” ose thjeshtë “trekëndëshi” ,  që gjendet në sheshin pas Kuvendit të Kosovës. Gazetarë  kolegë, që merren me lajme nga kryeqyteti kanë vendosur ta hedhin në  Facebook fatin e një përmendoreje që dikur në një kohë kishte përfaqësuar idenë bazë të një shteti që kemi jetuar një herë, që  tani për tani duket e papërshtatshme me lavdinë e heronjve të kohërave moderne. Kjo kuptohet për arsye politike dhe historikë të viteve të fundit të dy popujve që urrejnë njëri tjetrin më së shumti në Evropë, shqiptarët dhe serbët.

Në një vend të vogël si Kosova, lokalizmi fatkeqësisht luan rol të madh në jetën e njerëzve. Kuptohet si çdo ide lokaliste ato nuk janë të bazuara në fakte por në llafe kafesh e teori konspiracioni. Drenica e kontrollon atë, Llapi e kontrollon atë, apo njerëzit e Dukagjinit atë. I njëjti mentalitet reflektohet  edhe tek establishmenti politik i Kosovës. Mënyra më e mirë për të treguar se cili  fraksion apo rajon i Kosovës kontrollon një institucion është emërimi i tyre në bazë të heronjve që vijnë nga ai rajon.

Kuptohet këtu prin Adem Jashari, me disa sheshe përfshirë atë në Skenderaj, Aeroporti i Sllatinës dhjetëra shkolla,  rrugë e klube sporti, Pallati i Rinisë dhe Sporteve (ish-Boro Ramizi, qe për çudi edhe sot vazhdon të quhet i tille nga prishtinasit) dhe së fundi sheshi “Adem Jashari” në Prishtinë, i parapare aty ku ende qëndron monumenti i harruar por kryeneç i “bashkim-vëllazërimit”.  Në të njëjtin sens janë bërë edhe sheshet tjera. Ekskluzivisht për llapjanët sheshi “Zahir Pajaziti”, pak më lartë sheshi i LDK-së, “Ibrahim Rugova” dhe tani ekskluzivisht një shesh tjetër për Drenicën dhe PDK-në, sheshi “Adem Jashari”. Por për njeriun që bëri shqiptarët të njohur në gjithë botën, “Nëna Terezë” një cope sheshi aty në mes më një përmendore e rrethuar me fontana shterpe.

Dhe po the diçka kundër këtyre propozimeve anatemohesh si tradhtar. “Çka ke ti kundër Adem Jasharit?” ose “A t’ka marr malli për Jugosllavi a?” etj etj. Por me sa di unë asnjëri nga heronjtë e historisë moderne të Kosovës nuk ka luftuar për t’iu vendosur emri në një cope pllake guri, aq më pak Adem Jashari i cili si superheroi ynë modern duket të ketë qenë njeri modest , një “rebel with a cause”, i cili flinte maleve e ndërmerrte aksione guerile kundër policisë së Millosheviqit.

Përmendorja e “Vëllazërim Bashkimit” është relikt i të së kaluarës tonë, sado e mire a po e keqe. Ajo është një përkujtim i asaj që ishim dikur dhe të tashmes. Çdo popull i cilivizuar ka përmendore që nuk përkojnë me kohën. Përmendoret nuk janë të parapara të përkojnë me kohën, ato paraqesin te shkuarën dhe kjo nuk duhet ngatërruar. Prandaj çdo tentim për ta zhdukur çdo gjurme të asaj kohe ngjason me problemet që kanë pas popujt me të kaluar të errët siç ka qenë rasti i gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore dhe monumentet e Rajhut të Trete dhe veprimet e ISIS-it sot që shkatërron çdo monument të çfarëdo cilivizimi paraislamik.

Sot ne dhe serbët e shohim njëri tjetrin si armiq dhe kjo ka gjasa të vazhdojë edhe për një kohe, por një gjë është e sigurt, marrëdhëniet me serbët sot janë më të mira se që ishin para 16 vitesh dhe logjika thotë se ato do të përmirësohen edhe më shumë në vitet në vazhdim.  Derisa sa kjo të ndodhë përmendorja e të kaluarës sonë jo shumë të dashur le të shërbejë si një ogur i mirë mes dy popujve që jetojnë pranë njëri tjetrit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.