Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Burnout” dhe ndikimi të punëtorët shëndetësor gjatë COVID-19

Janë bërë gati dhjetë muaj qëkur Kosova po ballafaqohet me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19. Në momentin që po shkruajmë, nëntor 2020, shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve në nivel global kanë arritur numra të frikshëm, duke e shndërruar këtë sëmundje në një nga sfidat më të rënda socio-politike dhe ekonomike të epokës moderne. Rrjeti amerikan i lajmeve CNN me të drejtë e ka krahasuar atë, dhe ndikimin multidimensional që pandemia ka shkaktuar në botë, me efektet e Luftës së Dytë Botërore. Vendet e rajonit dhe Kosova nuk bëjnë përjashtim nga këto trende negative botërore. Konkretisht në Kosovë mesatarja e të infektuarve të raportuar brenda ditës është rreth 700-800 raste – me tendencë rritje. Për një shtet si ky i yni me rreth 1.9 milion banorë, me një ekonomi të dobët dhe një sistem shëndetësor fragjil, këto shifra dhe ky trend në rritje duket të jetë shumë problematik.

Kuptohet, me COVID-19 po përballet e gjithë shoqëria. Të gjithë janë të rrezikuar dhe të dëmtuar si në aspektin shëndetësor e psikologjik, ashtu edhe në atë financiar e material. Në anën tjetër, kush më shumë dhe kush më pak, të gjithë po mundohen që të japin kontributin e tyre në ballafaqimin me këtë krizë jo vetëm shëndetësore. Mirëpo, duhet theksuar se punëtorët shëndetësor janë me të ekspozuarit ndaj rrezikut sepse ata janë në vijën e parë të “frontit” në “luftë” me sëmundjen. Ata po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore. Së këndejmi, të ballafaquar me numrin enorm në rritje të të infektuarve, kapacitetet e limituara logjistike e kadrovike dhe kohëzgjatjen gati një vjeçare të pandemisë – fundi i të cilës, për fat të keq, ende nuk dihet – personeli shëndetësor kërcënohet nga rreziku i lodhjes rraskapitëse kronike fizike dhe emocionale që në literaturën e shkencës së psikologjisë njihet si “burnout”.

Prema Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve (ICD-11), “burnout” është një sindromë e cila shkaktohet nga stresi kronik në vendin e punës. Zakonisht karakterizohet nga tri elemente: ndjenja e rraskapitjes; ndjenja e negativizmit që lidhet me punën dhe efikasiteti profesional i zvogëluar. Kuptohet, situata të tilla kanë ndikim të madh tek punëtorët shëndetësor. Studimet e kryera në rrethana të ngjashme kanë treguar se për shkak të ngarkesës së madhe në punë, profesionistët shëndetësor janë shumë të predispozuar ndaj gjendjeve emocionale si ankthi apo depresioni. Kjo lloj “djegie profesionale” shfaqet si rezultat i stresit kronik në vendin e punës dhe ekspozimit ndaj ngjarjeve traumatike. Punëtorët shëndetësor të cilët kalojnë nëpër kësi situatash ndjehen të acaruar, zemëruar, të pasigurt, të shqetësuar, kanë mungesë përqendrimi, janë të pamotivuar, të lodhur dhe të mbingarkuar. Sipas një studimi të kryer në ShBA., që si grup të synuar kishte punëtorët shëndetësor, rezultoj se 42% e këtyre profesionistëve shfaqen depresion dhe ankth gjatë punës me pacient të infektuar me COVID-19. Kurse, 49% e të anketuarve kishin një nivel të ngritur të stresit.

Të gjitha shtetet në botë, ku numri i të infektuarve ka arritur numër jashtëzakonisht të lartë, raportojnë vështirësi jo vetëm në menaxhimin e shërbimeve për pacientë, për të cilët duhet bërë zgjidhje në kushte të jashtëzakonshme për t’ju ofruar ndihmë dhe mbështetje sa më adekuate për trajtim, por përmenden edhe sfidat me stafin e kujdesit shëndetësori i cili është duke pësuar rraskapitje në aspektin fizik dhe në veçanti atë emocional. Sipas të dhënave të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), rreth 14% e rasteve me COVID-19 të raportuara në OBSh, në nivel botëror, janë në mesin e  punëtorëve shëndetësor. Në disa vende përqindja mund të jetë më e lartë, deri në 35%. Sidoqoftë, disponueshmëria dhe cilësia e të dhënave është e kufizuar dhe nuk është e mundur të përcaktohet qartë nëse punëtorët shëndetësor janë infektuar në vendin e punës apo në mjedise të tjera si: familja apo kontakti me miqtë dhe kolegët jashtë orarit të punës. Si pasojë, mijëra punëtorë shëndetësor të infektuar me COVID-19 e kanë humbur jetën në të gjithë botën, duke shkaktuar jo vetëm humbje njerëzore, por edhe zvogëlimin e kapaciteteve shëndetësore për përballje më pandeminë. Në Kosovë, që nga fillimi i pandemisë, janë raportuar shumë raste të prekjes nga sëmundja në mesin e punëtorëve shëndetësor. Deri me tani konsiderohet se rreth 1300 mjekë e infermierë të prekur nga COVID-19. Fatkeqësisht, si pasojë e kësaj, një numër i tyre kanë humbur jetën.

Pa marrë parasysh rolin e tyre specifik, në punën e përditshme, punëtorët shëndetësor i ekspozohen, në mënyrë të përsëritur, rrëfimeve dhe ngjarjeve të pacienteve të tyre. Ata mund të jenë dëshmitarë të skenave të rënda, mund të kenë përvoja të vështira, apo edhe mund t’i nënshtrohen në mënyrë kronike rrezikut serioz për infektim. Për më tepër, këta profesionistë në vendin tonë punojnë në kushte të rënda dhe jo të përshtatshme logjistike dhe hapësinore. Java e tyre karakterizohet me ngarkesë të madhe të punës, orar të gjatë e lodhje kronike, si dhe me mungesë të privatësisë dhe hapësirës personale. E gjithë kjo rrit dukshëm nivelin e stresit.

Ngarkesa kronike fizike dhe emocionale (burnout) është një problem i madh në mesin e ofruesve të kujdesit shëndetësor edhe kur punohet në kushte të zakonshme. Në raste të krizave shëndetësore, siç është kjo me COVID-19, kjo vërehet edhe më shumë. Kështu, kjo gjendje tek kjo kategori shoqërohet me një gamë të gjerë të stresuesve në punë. Gjatë COVD-19 fuqia punëtore e vijës së parë ka përjetuar një ngarkesë të lartë në punë dhe në të njëjtën kohë stresor të shumtë psiko-social mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor dhe emocional.

Përjetimi i ngjarjeve kërcënuese për jetën ose ngjarjeve traumatike ndikon ndryshe nga një person në tjetrin. Në disa rrethana, shqetësimi mund të menaxhohet me sukses për të zvogëluar rezultatet negative të  lidhura me shëndetin dhe sjelljet. Në raste të tjera, disa punëtorë të kujdesit shëndetësor mund të pësojnë shqetësime të ndryshme, të tilla si çrregullimi akut i stresit, stresi post traumatik (PTSD) ose stresi traumatik sekondar.

Edhe pse tashmë është arritur që të zhvillohet një vaksinë potenciale nga kompania gjermane “BioNTech” dhe firma amerikane “Pfizer”, e cila për fat të mirë konsiderohet se ka rezultuar 90% efektive, ekspertët mjekësor të sëmundjeve infektive paralajmërojnë se  pandemia do të zgjas ende edhe për një kohë. E gjithë kjo situatë e krijuar mund të vazhdoj të ketë pasoja serioze të punëtorët shëndetësor. Lodhja dhe ngarkesa emocionale tashme është evidente. Ndërhyrjet me kohë dhe të analizuara mirë nga ana e institucioneve përgjegjëse, të tilla si ato individuale dhe të bazuara në sistem, do të mund të ndikonin në zbutjen e kësaj ngarkese fizike dhe emocionale, dhe rrjedhimisht tu jepte mundësinë punëtorëve shëndetësor të vazhdojnë betejën e vështirë kundër COVID-19.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.