Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Çka mund të synojë Kosova gjatë Presidencës hungareze në Këshillin Europian?

Më 1 korrik 2024, Hungaria ka marrë përsipër udhëheqjen e Presidencës së Këshillit Europian (KE). Secili shtet anëtar i BE-së udhëheq me Presidencën për gjashtë muaj me rotacion.

Prioritetet e Presidencës hungareze janë marrëveshja e re europiane e konkurrencës, përforcimi i politikës europiane të mbrojtjes, një politikë zgjeruese e bazuar në merita (që përfshin Ballkanin), ndalja e migrimit ilegal, politika e kohezionit, si dhe adresimi i sfidave demografike, mes të tjerash. 

Në Presidencën e Këshillit Europian (KE) çdo vend anëtar kryeson punën e Këshillit për 6 muaj të vitit. Se sa e rëndësishme mund të jetë presidenca, ka treguar Presidenca çeke, e cila, në pjesën e dytë të vitit 2022, vendosi në agjendë liberalizimin e vizave që kishte mbetur pezull 4 vjet nga rekomandimi i Komisionit Europian.

Prandaj, është e domosdoshme që Kosova të thellojë komunikimin dhe bashkëpunimin me këtë shtet, në mënyrë që t’i arrijë synimet e saj në politikë të jashtme karshi BE-së, që janë: heqja e masave ndëshkuese, marrja e statusit të kandidatit, si dhe përfitimet nga Plani i Rritjes.

Qasja e Hungarisë 

Presidenca hungareze së fundmi ka marrë kritika nga Brukseli për vizita të pakoordinuara me presidentin rus Vladimir Putin, presidentin kinez Xi dhe ish-presidentin Trump. Si shenjë e pakënaqësisë me këto lëvizje unilaterale të Hungarisë, vendet anëtare, në takimin e ministrave të kryesuar nga Presidenca në Budapest, kanë ulur nivelin e përfaqësimit, duke dërguar vetëm shërbyes civilë, e jo ministrat e Brendshëm.

Gjithashtu, Hungaria ka përmirësuar marrëdhëniet e saj me Serbinë, mirëpo kjo nuk do të thotë se Kosova nuk duhet të synojë diçka nga kjo presidencë. Pikërisht navigimi i situatave të tilla në politikën e jashtme tregojnë pjekurinë për qasje strategjike të një shteti. 

Hungaria është vend njohës me një prezencë të konsiderueshme ushtarake në Kosovë. Tutje, Hungaria ka udhëhequr me misionin e KFOR-it në vitin 2022 dhe ka përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën. 

Trekëndëshi Kosovë, Serbi dhe BE

Rrugëtimi europian i Kosovës ka ngecur nga qershori 2023, me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, për mungesë de-eskalimi në raport me komunat veriore me shumicë serbe, ani pse situata tani është më e qetë. 

Eskalimi më i madh në fakt erdhi më pas si rezultat i një sulmi paramilitar serb më 24 shtator, me ç’rast mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. 

Megjithatë, BE-ja nuk ndërmori masa ndaj Serbisë, edhe pse i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tashmë ka konfirmuar që sulmi ka pasur lidhje financiare dhe organizative me shtetin serb. 

Sidoqoftë, edhe pse Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, deklaroi më 19 qershor 2024 se ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën, disa vende anëtare ende kanë hezitim dhe masat qëndrojnë në fuqi.

Synimet që duhet t’i ketë Kosova

Pas sulmit në Banjskë, Hungaria ka qenë hezituese ndaj imponimit të masave kundër Serbisë. Hungaria si vend ka qenë në parim kritik ndaj BE-së për vendosjen e sanksioneve. Prandaj, heqja e masave ndëshkuese për Kosovën mund të jetë tema kyçe ku Budapesti e Prishtina mund të bien dakord.   

Një synim tjetër në agjendën europiane është marrja e statusit të kandidatit të BE-së. Aplikimi i Kosovës, i bërë më 15 dhjetor 2022, ka mbetur pezull dhe nuk ka marrë përgjigje nga institucionet e BE-së. 

Në praktikë, aplikimi bëhet në Këshillin Europian dhe ky ia përcjell Komisionit, i cili përgatit një pyetësor për ta vlerësuar shtetin për status kandidati. 

Në rastin e Kosovës, Këshilli nuk e ka përcjellë aplikimin te Komisioni për shkak të mungesës së konsensusit edhe nga vendet mosnjohëse. Ky konsensus nuk është i pamundur, por për këtë duhet një qasje tjetër nga vetë BE-ja.

Gjatë tre vjetëve të fundit, ka pasur tentativa për ta lidhur dialogun me liberalizimin e vizave, si dhe aplikimin për Këshillin e Europës. Me masat që ka propozuar, BE-ja e ka lidhur edhe procesin e Stabilizim Asociimit dhe fondet IPA me dialogun, edhe pse këto të fundit veçse ishin në fuqi që nga 2016. 

Presidenca hungareze, e cila është pro integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, mund të sjellë një qasje më bashkëpunuese dhe përfituese, e jo ndëshkuese, siç ishte në fazën fillestare të dialogut, ku Serbia fitoi statusin e kandidatit dhe Kosova MSA-në dhe pyetësorin e vizave pas Marrëveshjes së Brukselit më 2013. 

Heqja e masave, plani i rritjes dhe mundësia reale për anëtarësim në BE, do të ringjallnin integrimin europian të Kosovës. Rigjallërimi i procesit integrues do t’u jepte më shumë peshë BE-së në Kosovë dhe qëndrimit të saj ndaj ligjeve dhe çështjeve, peshë të cilën po e humb për shkak të zbehjes së procesit integrues.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.