Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Debati Bullgari – Maqedoni e Veriut nën lenten shqiptare

Mbledhja e fundit e Këshillit Europian (KE) dështoi ta zhbllokojë rrugën integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se dy vjet, të dy vendet kanë ngelur peng e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, nisur nga konflikti për interpretimin e çështjeve historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare.

Teksa ka një përpjekje të orëve të vona për ta hequr veton dhe zhbllokuar procesin, binjakëzimi absurd i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut në këtë stad të rrugëtimit drejt BE-së (binjakëzim i paargumentuar deri më sot nga Brukseli) ka shkaktuar një bllokim të pajustifikuar për Shqipërinë.

Shumë komente dhe analiza u shpenzuan në javët e fundit për procesin integrues të të dy vendeve. Pashmangshmërisht ishte kështu edhe për faktorin që përcaktoi zyrtarisht mungesën e progresit në këtë drejtim – mosmarrëveshjen e bartur ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, çuditërisht vazhdon mungojë një reflektim shqiptar në raport me substancën e debatit identitar ndërmjet dy vendeve, mbi të gjitha për impaktin që ka mbi interesat më të gjerë të shqiptarëve në Maqedoni dhe përtej.

Në gjithë këtë situatë, kryeministri Edi Rama mori kohët e fundit një pozicion përkrah Shkupit për tejkalimin e konfliktit me qëllim heqjen e vetos për rrugëtimin drejt BE-së. Megjithatë, nëse impakti më i drejtpërdrejtë aktualisht lidhet me ngërçin për fillimin e negociatave, nuk do të duhej të neglizhohej as thelbi dhe mbi të gjitha rezultati i mundshëm i një debati identitar në një shtet ku gati 30% e popullsisë (në mos më shumë) është shqiptare.

Debati ndërmjet Shkupit dhe Sofjes ka ardhur në një farë forme dhe më herët në Shqipëri, përpara se ta prekte drejtpërdrejt integrimin në Bashkimin Europian. Në vitin 2017, ligjvënësit në Shqipëri po punonin për një ligj mbi pakicat kombëtare dhe gjatë asaj kohe Bullgaria ushtroi trysni për njohjen e “minoritetit bullgar” në Shqipëri. Ky pretendim u kundërshtua nga minoriteti maqedonas në vend.

Kjo temë u përmend rishtazi edhe nga kryeministri Rama në kuadër të vetos bullgare, por duke ofruar një lavdërim të pakuptueshëm për zgjidhjen e atëhershme të “çështjes së minoritetit bullgar”. Kjo për faktin se një telefonatë ndërmjet tij dhe kryeministrit të atëhershëm bullgar Boyko Borisov, sikurse u pohua nga vetë kryeministri shqiptar, mjaftoi që të neglizhohej çdo lloj konsultimi faktologjik për ekzistencën ose jo të pakicës. Në mënyrë arbitrare u njoh një minoritet bullgar në Shqipëri, nën trysninë edhe të Komisionit Europian dhe madje edhe përkundër qëndrimit mospajtues të vetë kryediplomatit të atëhershëm të Shqipërisë.

Prandaj, pathosi i tanishëm i kryeministrit të Shqipërisë për të ndërhyrë në çështjen identitare ndërmjet dy vendeve të tjera të Ballkanit është më së paku i pavend. Mbi të gjitha, diçka e tillë nuk duhet të bëhet pa marrë parasysh implikimet e mëdha të debateve të tilla.

Rishtazi, profesori amerikan Edward Joseph nga Johns Hopkins University parashtroi në një shkrim në Foreign Policy idenë se për ta tejkaluar ngërçin ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, SHBA duhet të “afirmojë identitetin maqedonas”. Ai sugjeron që kjo të bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje kulturore nën petkun e procesit të Dialogut Strategjik, të cilin SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut e njoftuan para pak javësh. Si shembull për referencë, Joseph merr Marrëveshjen e Prespës, në të cilën bëhet një diferencim i popullsisë për t’i ndarë banorët e shtetit, që u pagëzua me emrin Maqedoni e Veriut me banorët e rajonit të Maqedonisë antike.

Problemi është se — megjithëse profesori Joseph nuk e artikulon këtë në mënyrë eksplicite — një gjë e tillë do t’i vishte një identitet “maqedonas” vetë Republikës së Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare. Nëse në vetvete çështja identitare ndërmjet maqedonasve dhe bullgarëve i takon tjetërkujt për ta debatuar dhe zgjidhur, sugjerimi për ta imponuar këtë identitet “maqedonas” nga jashtë ndaj vetë shtetit nuk mund t’i anashkalojë shqiptarët. Këtu jo vetëm për shkak të natyrës thelbësore shtetformuese të faktorit shqiptar në Maqedoni, por edhe për hir të trendeve demografike.

Nisur nga shifrat, nuk është i paimagjinueshëm një realitet në të cilin, në censusin e radhës, maqedonasit e vetëdeklaruar të jenë ende komuniteti më i madh në Maqedoninë e Veriut, por jo komunitet shumicë. Largpamësia është në paraprirjen e një fakti të tillë dhe të pasojave që mund të ravijëzohen për shtetin, për komunitetin shqiptar, por edhe për gjithë rajonin.

Debatet dhe kundërshtitë e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, sikurse dhe ato mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut më herët, ndikojnë jo vetëm në formësimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe në ndërtimin e realiteteve ballkanike. Për këtë arsye është pak shqetësuese mungesa e artikulimit të një pikëpamjeje shqiptare në raport me këtë debat. Mbi të gjitha kur marrim parasysh se, sikurse në rastin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarëve në Maqedoni u kërkohet përgjithësisht të luajnë një rol të dorës së parë në finalizimin e proceseve të ndërlidhura me zgjidhjet e konflikteve.

Largimi nga pushteti i ish-kryeministrit Gruevski dhe zhvillimet politike të viteve të fundit kanë parë krijimin e një realiteti politik të ri për shqiptarët e Maqedonisë. Në qasjen ndaj atij momenti, që ishte tepër delikat për vetë stabilitetin e Maqedonisë dhe të të gjithë rajonit, Tirana zyrtare tregoi një maturi për t’u admiruar dhe një aftësi brilante për të parë drejt së ardhmes.

Qëndrimi i Tiranës është zbehur disi kohët e fundit, ndoshta për hir të të ashtuquajturave nisma të bashkëpunimit rajonal, që po tërheqin më shumë vëmendje dhe energji sesa duhet. Në këtë moment kyç për Maqedoninë e Veriut, por dhe për të gjithë rajonin, duhet ripërtërirë ajo aftësi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.