Në asnjë periudhë në historinë e filmave nuk ka qenë e zakonshme t’i shfaqëm për publikun pa shoqërimin e një lloj muzike në background.
Alberto Cavalcanti
Me vlerësime të shumta nga festivale ndërkombëtare, ‘Delegacioni’ mbase është filmi më i suksesshëm shqiptar bashkëkohor. Bashkëprodhimi Shqipëri/ Francë/ Greqi/ Kosovë do ketë premierën e tij në Francë në datën 22 korrik dhe do përfaqësojë Shqipërinë edhe në Oscars 2020 në kategorinë e Filmit Ndërkombëtar më të Mirë, që për shkak të pandemisë do zhvillohet në Prill 2021. Ky është filmi i tretë me metrazh të gjatë i Bujar Alimanit, i cili për herë të tretë po përfaqëson Shqipërinë në Oscars – në 2011 me filmin ‘Amnistia’, dhe në 2016 me filmin ‘Krom’. Këtë radhë, me skenar të Artan Minarrollit – sigurisht i ndryshuar përtej njohjes – dhe me yjet e kinemasë shqiptare Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa dhe Xhevdet Feri, Alimani ka sjellë në ekranin e madh një portret historik të Shqipërisë të viteve 1990 – sado minimal apo i ngushtë – që është dekoruar me çmime të ndryshme jashtë vendit dhe ka krijuar një ndjenjë krenarie në të gjithë shqiptarët. Filmi është historia e një të burgosuri politik i cili po transferohet në Tiranë, ku do takohet me delegacionin europian i cili ka arritur për të monituar reformat e qeverisë.
Ajo çka i jep dinamizëm tregimit është sigurisht kombinimi unik i talenteve të tre veteranëve të kinemasë shqiptare, sado të kufizuar ata janë nga zhvillimi i ngadaltë i tregimit, të cilit i mungon ajo energji që zakonisht bën dallimin midis filmave të mirë dhe filmave të shkëlqyeshëm. Edhe pse karakteret janë tre tipa njerëzish lehtësisht të dallueshëm, Zhusti, Xhepa dhe Ferri kanë një cilësi të ngjashme në lojën e tyre mbi ekran – pothuajse një cilësi klasike që buron nga qasja e ngjashme që ata kanë drejt artit të interpretimit filmik. Disiplina e arkitekturës të interpretimeve të tyre krijon dhe ruan vijueshmërinë e nevojshme për t’i njohur dhe për t’i besuar si njerëz të plotë – bindja e brendshme, interpretimi fizik dhe komunikimi intelektual, të gjitha kombinohen me mjeshtëri. ‘Temperamenti aktoresk’ i Xhepës dhe ‘individualiteti i veçantë aktoresk’ i Ferrit, siç i përshkruan Abaz Hoxha në enciklopedinë e Kinematografisë Shqiptare, shfaqen dorë për dore me ngrohtësinë e Zhustit dhe i japin një notë autentike kësaj drame disi të pazhvilluar në mënyrë të kënaqshme. Nga dialogët e thjeshtë na jepen informacione në lidhje me jetët e dy personazheve Leo dhe Asllani, dhe janë këto momente të pakta, të cilat e ndërtojnë mjaft historinë sa për të mundur ta ndjekur deri në fund.
Filmi humb shumë nga mungesa e një elementi themelor kur bëhet fjalë për zhanrin e dramës: muzika në background. Filmit shqiptar në përgjithësi i mungon ky element bazor, i cili vlerësohet nga kritikët dhe teoricienët e filmit, gjithashtu dhe nga kineastët dhe fansan e tij si një element i nevojshëm për t’i dhënë tregimit ritëm dhe për të krijuar atmosferën e duhur. Efektet zanore në përgjithësi ndihmojnë drejt këtij qëllimi duke mbështetur veprimin dramatik, por muzika është elementi extra-digetik numër një i cili mund të shpëtojë ose prishë një film. Duke komentuar për nevojën dhe rëndësinë e muzikës në kinema në një artikull në nëntor 2015 në Sbunker, Dritan Dragusha përdor një thënie të Stanley Kubrick: Një film është – apo duhet të jetë – më shumë si muzikë sesa fiction. Ai duhet të jetë një avancim i gjendjes sonë shpirtërore. Shumë e vërtetë. Duke e lexuar m’u kujtua dhe diçka tjetër që ka thënë regjisori i madh: ekrani është një medium magjik. Ai ka një fuqi të tillë që mund të ruajë interesin pasi përcjell emocione dhe humor që asnjë formë tjetër arti nuk mund të shpresojë të trajtojë. Është pikërisht kjo magji që mungon nga ‘Delegacioni’. Imagjinoni sa e ndryshme do ishte skena kur Asllani (Ferri) kërcënon Leon (Zhusti) me një armë në dorë (befasi) nëse ajo ishte shoqëruar me një muzikë që krijon këtë emocion; apo skena kur Leo çohet nga krevati i tij në qelinë e burgut pa ditur se ku po e çojnë (pezullim); ose skena drejt fundit kur të dy ndodhen në buzë të lumit dhe Spiro (Xhepa) arin pranë tyre dhe shikon se çfarë ka ndodhur (zhgënjim dhe tërbim). Në të gjitha rastet mbizotëron një lloj plogështi. Imazhi i fundit i lumit është në vetvete si një melodi, nuk i shton asgjë tregimit përveç kënaqësi vizuale për të shoqëruar ngjarjen të sapondodhur. Një lloj melodie në background sigurisht do i jepte një dimension poetik – magji!
Atëherë, pse filmi shqiptar nuk përdor këtë element kaq të rëndësishëm që ndikon kaq fort tek imazhi i një filmi? Dhe sidomos kur bëhet fjalë për filma të cilët qëllojnë të apelojnë tek një audiencë të gjerë jashtë shtetit, që janë të mësuar me modelin që ka krijuar Hollivudi – të cilin brezat e rinj të vendit tonë e preferojnë para filmit shqiptar. Shikoni shembullin e kompozitorit Enio Morricone, i cili ndërroi jetë para disa ditësh (6 korrik): muzika që ai kompozoi mbi 60 vite për 400 filma nga të gjitha zhanret, është pjesë e identitetit të filmave që ka shoqëruar – madje shpesh herë kolonat zanore të tij janë më të mirënjohura se sa filmat vetë. Asnjë nga filmat për të cilët ai kompozoi muzikë nuk do njiheshin në të njëjtën mënyrë sot nëse i mungonte ky element (The Good, the Bad and the Ugly; Once Upon a Time in America; Days of Heaven; The Mission; Malena, etj). Pra është çudi pse kineastët shqiptarë nuk përdorin këtë mjet i cili është themelor në krijimin e emocionit tek spektatori, për t’i afruar pranë punës së tyre! Mos të harrojmë se kinematografia shqiptare ka dy zhanre kryesorë, komedi dhe dramë, dhe njëri prej përdorimeve më tradicional i muzikës, është për të forcuar efektin dramatik dhe për të përcaktuar, për të mbajtur dhe për të ndryshuar atmosferën e filmit – përndryshe çdo imazh në ekranin e madh do ishte thjesht një hap më shumë afër monotonisë së mërzitshme. Drama është një zhanër, i cili plotësohet dhe përforcohet nga përdorimi krijues i muzikës – drama e ‘Delegacionit’ në këtë rast bie në amulli dhe kështu mbetet përgjysmë.