Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dialogu Kosovë-Serbi: farsa e fundit e Brukselit

Ilustrimi: Big Eye

Nuk është çudi që bisedimet e 14 shtatorit midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja, përfunduan me dështim. Për më tepër, nuk ishte fare çudi që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sërish fajësoi Kosovën.

Fakti që negociatat janë përqendruar veçanërisht në detyrimin e Kosovës për të pranuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (AKS) u bë i qartë edhe një herë; nuk u përmend fare se Serbia ka shkelur marrëveshjet e mëparshme, posaçërisht Nenin 5 të Marrëveshjes së Brukselit, të shkurtit 2023. Përkëdhelja e Serbisë nga ana e BE-së është tani sa flagrante, aq edhe e padrejtë.

Ekzistojnë tri argumente kyçe lidhur me AKS-në. Disa kanë sugjeruar se meqë AKS-ja është një obligim për të cilin Kosova është zotuar më 2013, duhet të zbatohet. Të tjerët kanë argumentuar se Asociacioni nuk do të çojë te një Republikë Srpska brenda Kosovës. Veç kësaj, disa pretendojnë që është e nevojshme të ndihmohet integrimi i serbëve të Kosovës.

Këto argumente mund të kundërshtohen. AKS-ja e vitit 2013 u konsiderua si jokushtetuese dhe rrjedhimisht nuk mund të zbatohet në formën e vet origjinale; garancitë se AKS-ja nuk do të kthehet në një Republikë Srpska duken të pasinqerta duke pasur parasysh ashpërsinë në rritje të Beogradit dhe mbështetjen e hapur për një Serbi të Madhe; ideja se serbëve të Kosovës u mungojnë të drejtat dhe përfaqësimi politik është padyshim jobindëse kur kemi parasysh dispozitat e gjera kushtetuese që u janë dhënë serbëve të Kosovës.

AKS-ja, sikundër ishte konceptuar fillimisht, përbën një kërcënim të thellë për kapacitetin e Kosovës për të qeverisur brenda territorit të saj. Jo vetëm që kërcënon të zvogëlojë rrënjësisht fuqinë administrative të qeverisë qendrore, por rrezikon integritetin territorial të Kosovës.

Mjafton vetëm të shikojmë çfarë po ndodh aktualisht në Bosnjë për të kuptuar se në çfarë mund të çojë AKS-ja.

Megjithëkëtë, mund të thuhet se zbatimi i AKS-së – pavarësisht të metave të tij – është një çmim që ia vlen të paguhet nëse Kosova arrin të sigurojë njohje nga Serbia – dhe më pas njohje nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin – dhe shumë gjëra pozitive që kjo do të mund të sillte, mbi të gjitha rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ky argument lidhet esencialisht me faktin se rreziqet e paraqitura nga AKS-ja mund të zvogëlohen nëse Kosova njihet si e pavarur dhe plotësisht e integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Por, është kruciale të kuptohet se kjo nuk përfshihej në ofertë.

Një ofertë që ata s’mund ta pranojnë

Me ç’dukej, Kosovës iu paraqit një propozim i cili do ta detyronte ta themelonte AKS-në përpara se të zbatoheshin çështjet e tjera të përcaktuara në Ohër. Kjo qartësisht ishte e papranueshme; themelimi i AKS-së pa siguruar njohjen do të kishte qenë i pamatur. A e imagjinon ndokush seriozisht se nëse do të themelohej AKS-ja, Vuçiqi do të zbatonte më paskëtaj me zell dispozitat e mëposhtme të propozimit të BE-së?

Statusi i Kosovës tashmë është i brishtë; krijimi i AKS-së ndërkohë që Serbia ende ka pretendime mbi Kosovën, do të ishte katastrofal. Regjimi autoritar i Vuçiqit dhe mbështetësit e tij hiper-nacionalistë mëtojnë të krijojnë një “Serbi të Madhe; natyrisht, ata do të përdornin AKS-në në një Kosovë që ende nuk e njohin, për të nxitur tutje destabilitetin atje. Vuçiqi shumë herë ka deklaruar se nuk e ka ndërmend ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit; duke pasur parasysh këtë gjë, është krejt e paarsyeshme që BE-ja t’i kërkojë Kosovës që fillimisht të zbatojë AKS-në vetëm me disa premtime të vagullta se të gjitha dispozitat e tjera do të zbatohen me vonë. Asnjë qeveri që ka sado pak vetërespekt nuk do ta pranonte këtë gjë.

Për më tepër, përderisa Serbia refuzon ta njohë Kosovën, shtetet mosnjohëse brenda BE-së, NATO-s dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të vazhdojnë ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata.

Kësisoj, Kosova do të ketë degraduar kapacitetin e saj për të funksionuar si shtet dhe do të rrezikojë integritetin e saj territorial pa fituar kurrgjë në këmbim, përtej vlerësimit të Borrellit, Lajçakut dhe gjithë të tjerëve që janë treguar kaq të etur për të shpallur “një marrëveshje” që do të lehtësonte interesat e Serbisë. Thënë troç: krijimi i AKS-së pa njohje nga Serbia – ose pesë shtetet mosnjohëse të BE-së – nuk do ta përmirësonte statusin ndërkombëtar të Kosovës.

E arsyeshme?

Dënimi i përsëritur i Kosovës dhe sarkazmi jodiplomatik karshi kryeministrit Kurti, synojnë t’i cilësojnë negociatat e dështuara si BE-ja dhe Serbia “të arsyeshme” dhe Kosova “e paarsyeshme”. Kjo nuk është e vërtetë.

Kurti ishte një kundërshtar i zëshëm i AKS-së kur fillimisht ishte rënë dakord për të, por në propozimin e paraqitur më 15 shtator ai u zotua të nisë dhe përmbyllë diskutimet lidhur me “Statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”. Në takimet e mëparshme, Kurti kishte ofruar nënshkrimin e marrëveshjeve, ndërkohë që Vuçiqi kishte refuzuar.

Nuk është faji i Kurtit që ka ardhur në pushtet në një kohë kur aleatët e dikurshëm të Kosovës kanë vendosur t’ia kthejnë shpinën në favor të Serbisë; vijat e tij të kuqe lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe kapacitetin e qeverisë për të ushtruar autoritet brenda kufijve të saj janë parime që çdo shtet sovran i ruan të pacenueshme.

Përfundimisht, Kosovës nuk iu paraqit një zgjedhje ndërmjet stagnimit dhe progresit; nëse qeveria do të kishte pranuar propozimin e BE-së, kjo do ta kishte dobësuar rëndë – nëse jo për vdekje – Kosovën.

Alternativa?

Ata kundërshtarë të qeverisë në Kosovë, që sërishmi kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me dështimin e fundit diplomatik, nuk kanë alternativë kredibile për të ofruar. Nëse elita e vjetër politike do të kishte mbetur në qeveri, do të përballej saktësisht me të njëjtin presion që tashti po përballet qeveria aktuale; madje, ata do të mund të ishin dorëzuar – sikundër bënë me AKS-në më 2013, marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi më 2015 dhe themelimin e Gjykatës Speciale më 2015  – por rezultati i arritjes së një “marrëveshjeje” tani sipas kushteve të paraqitura nga BE-ja do të mund të merrte një mirënjohje afatshkurtër nga BE-ja, por në një plan afatgjatë Kosova s’do të përfitonte gjë.

Perspektivat për ndonjë zhvillim të favorshëm për Kosovën janë të largëta; për aq kohë sa Vuçiqi të mbetet në pushtet dhe politikanët perëndimorë të vazhdojnë ta përkëdhelin atë – pavarësisht autoritarizmit dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar – Kosova ka të ngjarë të mbetet në një gjendje tensioni të brendshëm dhe paralizë ndërkombëtare. Për më tepër, për aq kohë sa Borrelli dhe Lajçaku – që vijnë nga shtete që s’e njohin Kosovën – mbeten të përfshirë, gjasat për ndonjë përparim zvogëlohen ndjeshëm.

Sado i zorshëm të jetë ky ngërç aktual, nuk mund t’i atribuohet qëndresës së qeverisë aktuale përballë talljes dhe dënimit të padrejtë, pasi ajo përpiqet të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.