Kohëve të fundit janë regjistruar disa raste ku zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare kanë raportuar të dhëna konfidenciale me arsyetim të mbrojtjes së interesit publik (sinjalizues). Rastet e i ish-arkatarit të Pro-Credit Bank, punëtorëve të RTK-së dhe prokurores Bamieh të EULEX-it hyjnë në këtë kategori. Këto raste, edhe pse të ndryshme për nga specifikat, kanë të përbashkët nxitjen e debatit për sinjalizuesit dhe trajtimin e tyre.
Ky shkrim, ka për qëllim t’i kontribuojë këtij debati duke shtjelluar të drejtat dhe përgjegjësitë e sinjalizuesit dhe mënyrës se si duhet trajtuar këto raste nga gjykatat vendore.
Tanimë është sqaruar se e drejta e lirisë së shprehjes i mundëson sinjalizuesit të zbulojë fshehtësinë zyrtare në rastet kur rrezikohet apo dëmtohet interesi publik. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut) ka vendosur se “interesi që mund të ketë publiku në informatën e caktuar ndonjëherë mund të jetë aq i rëndësishëm saqë e mbizotëron edhe obligimin ligjor për ruajtjen e konfidencialitetit.”
Megjithatë sinjalizuesi duhet të jetë i vëmendshëm se publikimi i informatës konfidenciale nuk mbrohet me automatizëm me lirinë e shprehjes. Në rastin Guja kundër Molldavisë Gjykata e Strasburgut ka qartësuar se sinjalizuesi mbrohet me lirinë e shprehjes vetëm atëherë kur: 1. informatën konfidenciale e dërgon tek autoritetet përgjegjëse, 2. ekziston interesi publik për informatën e dhënë, 3. informata është autentike dhe 4. sinjalizuesi ka qëllim të mirë[1]. Këto parime zbatohen në çdo rast gjyqësor për të balancuar lirinë e shprehjes dhe obligimin e konfidencialitetit.
Informata duhet të dërgohet tek autoritetet përgjegjëse
Kur i punësuari vëren veprime të cilat janë kundër interesit publik, ai fillimisht duhet të njoftojë mbikëqyrësin në punë. Sipas Gjykatës së Strasburgut “vetëm atëherë kur raportimi në këto autoritete është qartësisht jo-praktik, informata, si mundësi e fundit, ndahet me publikun.” Pra, vetëm kur ka dyshime të bazuara se autoritetet në punë e më pas prokuroria nuk do të ndërmarrin hapat adekuat, sinjalizuesi, si mundësi të fundit, e ndan informatën konfidenciale me publikun nëpërmjet mediave apo formave të tjera adekuate[2].
Sipas këtij parimi, nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë i sinjalizuesit por edhe ndjekja e procedurës adekuate. Kjo për shkak se sipas Gjykatës së Strasburgut “për të vlerësuar nëse kufizimi i lirisë së shprehjes është proporcional, [ajo do] të marrë parasysh nëse personi që ka shpalosur fshehtësinë zyrtare ka pasur mundësi tjetër efektive për të përmirësuar keqbërjet që ka pasur për qëllim t’i shpalosë”.
Duhet të ekzistojë interesi publik për informatën e dhënë
Në një shoqëri demokratike publiku ka interes legjitim të jetë i informuar lidhur me çështjet që hyjnë në fushën e debateve politike. Për këtë arsye Gjykata e Strasburgut ka konstatuar se çështjet e ndarjes së pushtetit, keqpërdorimet e zyrtarëve të lartë politik dhe korrupsioni janë disa prej fushave në të cilat mund të arsyetohet zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Informata duhet të jetë autentike
Sipas Gjykatës së Strasburgut, liria e shprehjes ka jo vetëm të drejta por edhe obligime dhe përgjegjësi. Për këtë arsye sinjalizuesi duhet të verifikojë nëse informata e ndarë me publikun është e saktë dhe e besueshme. Ky parim ka për qëllim të ndalojë akuzimet e rrejshme ose të dhënat e krijuara me qëllim të keq.
Motivi i Sinjalizuesit
Gjykata e Strasburgut vlerëson se motivi i sinjalizuesit është faktor tjetër përcaktues kur të vendoset nëse duhet të lejohet zbulimi i fshehtësisë zyrtare. Gjykata konstaton se aktet e motivuara për qëllime personale nuk e justifikojnë mbrojtjen e atyre personave me lirinë e shprehjes. Mbrojtja e lirisë së shprehjes arsyeton zbulimin e fshehtësisë zyrtare vetëm kur sinjalizuesi ka vepruar me qëllim të mirë, ka pasur me të vërtetë për qëllim të mbrojë interesin publik dhe nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër më diskrecionale të raportimit.
Parimet e theksuara më lartë dhe praktika e Gjykatës së Strasburgut janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Kosovë. Neni 53 i Kushtetutës së Kosovës siguron se “të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Për këtë arsye, gjykatat vendore kanë obligim kushtetues që para se të nxjerrin vendime të zbatojnë parimet e mësipërme për të vlerësuar nëse në rastin konkret sinjalizuesi ka ndjekur kriteret e raportimit që i garantojnë lirinë e shprehjes. Është po aq e pritshme edhe nga avoktatët që rastet e tilla t’i përfaqësojnë jo si predikues dhe zëdhënës moral të sinjalizuesve, por duke sjellur argumente bindëse juridike me të cilat informohen dhe edukohen gjyqtarët vendorë për standardet dhe parimet ndërkombëtare që i garanton sistemi ynë juridik.
_______________
[1] Përveç katër parimeve të mësipërme, Gjykata e Strasburgut do të vlerësojë nëse dëmi i shkaktuar nga autoriteti publik si pasojë e zbulimit të fshehtësisë zyrtare e mbizotëron interesin e publikut dhe kur raportuesi nuk mbrohet me lirinë e shprehjes analizon cili duhet të jetë dënimi adekuat.
[2] Përderisa Gjykata e Strasburgut e parasheh raportimin e jashtëm si mundësi e fundit, kjo duket të jetë e ndaluar në institucionet e Bashkimit Evropian (kjo është relevante për rastin Bamieh, por jo edhe për rastet vendore). Për këtë shih shkrimin e Amalie Bang.