Informatat na rrethojnë gjithandej, në shtëpi, lagje, në sheshe, shkolla e ku jo. Informatat nga më të ndryshmet, në epokën e teknologjisë, i dominon masmedia. Mjafton ta kesh një telefon të mençur, je brenda qindra mijëra informatave.
Kosova është vendi me më së shumti përdorues të internetit në rajon. Vetëm nga telefonat mobil, mbi 1 milion kosovarë kanë qasje në internet. Rrjeti social më popullor më botë, Facebook, ka hiç më pak se 1 milion përdorues aktiv në Kosovë, ndërsa rrjeti tjetër shoqëror Instagram llogaritet të ketë rreth 580 mijë përdorues aktiv. Ky përdorim i madh i internetit të shtyn brenda një bote virtuale e cila shpesh ofron edhe gjëra jo të dëshirueshme. Këto shifra janë të frikshme.
Te ne operojnë shumë ‘medie’ në versionin online, të njohura si portale, edhe pse nuk dihet numri i saktë i tyre, ndërkohë që vazhdojnë të hapen të reja. Ky numër i madh i ueb faqeve që shpërndajnë informacione çdo ditë, 24/7 pothuajse, e ka bërë të pa kontrollueshëm tregun e mediave online. Përdorimi i madh i internetit dhe rrjeteve sociale ka bërë që në Kosovë të shihet si mundësi për përfitime financiare nga disa grupe të caktuara të interesit.
Për të hapur një portal mjafton ta regjistrosh atë si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pa pagesë, dhe je i lirë të operosh. Shtetit i mjafton të deklarosh të hyrat dhe të paguash taksat, për pjesën e përmbajtjes, dhënies dhe shpërndarjes së informatave, nuk interesohet fare.
Një organ i cili sado pak ka kontribuar që të filtrohen disa medie online është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por që ky mekanizëm është vetëm një organizatë jo-qeveritare e cila bën regjistrimin e mediave online, me ç‘rast ato mediume që janë pjesë e saj duhet të respektojnë disa rregulla që ka përcaktuar kjo organizatë.
Nevoja për edukim medial
Duke qenë se mediat janë biznese, ato ndjekin interesa të caktuara gjatë raportimit, kjo do të thotë që selektimi i informacioneve që bëhet nga to përcakton çdo ditë se çfarë është interesi publik. Mbulimi i temave sensacionale të cilat tërheqin vëmendjen e publikut, për këto media do të thotë më shumë klikime dhe fitime financiare. Jo rrallë herë, te ne shfrytëzohen ngjarjet me interes të shtuar të publikut dhe publikohen informata të pa verifikuara duke synuar vetëm klikimet. Kjo arrihet përmes faqeve elektronike të cilat përpunojnë mesazhe dhe i shpërndajnë përmes rrjeteve sociale dhe mundësive që ofron Google.
Në mënyrë që të parandalohet ndikimi i qëllimshëm i mediave, njerëzit duhet të kenë edukim se si t’iu qasen mediave, të dinë për efektet negative dhe pozitive që i ka media dhe të mos i marrin mesazhet si të mirëqena. Për këtë arsye, siç kërkojmë të kemi media profesionale gjatë raportimit, ne duhet të kërkojmë edhe lexues, konsumues të përmbajtjeve mediale të cilët arrijnë të kuptojnë, analizojnë dhe kritikojnë produktin mediatik.
Duke u gjendur përballë një realiteti ku, në njërën anë janë mediat e reja të cilat operojnë në internet pa ndonjë kontroll, dhe në anën tjetër, qasja e secilit nga ne në mënyrë të lehtë në informatat që shpërndajnë ato, e bën të vështirë menaxhimin e kësaj situate. Rrjedhimisht, përgatitja e publikut për të lexuar dhe analizuar e posaçërisht kritikuar mesazhet që pranon çdo ditë, është të edukohet mbi përdorimin e medias.
Edukimi për media nënkupton që konsumuesi i medias të shtrojë disa pyetje para se ta pranojë të gjithë informacionin që lexon apo dëgjon. Kush e krijoi këtë informatë dhe pse po e publikon, pse na tërhoqi vëmendjen ky informacion dhe cilat janë burimet brenda tij, si e kuptoj unë këtë informatë dhe si e kuptojnë të tjerët, a është lënë diçka pa u përfshirë në këtë informacion. Pra, është një proces përmes të cilit njerëzit duhet të jenë në gjendje jo vetëm të marrin informacionet, por edhe të analizojnë ato informata.
Përfundimisht, duke e kuptuar rrezikun që na vjen çdo ditë nga informacione që nuk verifikohen dhe përdoren për qëllime të caktuara, është e domosdoshme që edukimi për media të ketë vëmendjen e institucioneve gjegjëse, siç është Ministria e Arsimit. Edukimi për media duhet të jetë lëndë zgjedhore në shkollimin e mesëm të lartë në tërë Kosovën. I gjithë ekspozimi pranë masmedias i shoqërisë, në veçanti i të rinjve, të cilat janë të pa informuar mbi mundësitë manipuluese, rrezikohen të bien pre e propagandave të ndryshme. Ngritja e vetëdijes ndaj produkteve mediale dhe ngritja e mendimit kritik ndaj tyre, është vitale në kohërat kur botës virtuale nuk i dihet fundi.
_________________
Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Sbunker dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Parandalimi i ekstremizmit përmes Programit për Mendimin Kritik” që implementohet nga Sbunker, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.