Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Efektet ekonomike të tarifës kundër Serbisë kanë qenë negative

Efektet ekonomike të tarifës kundër Serbisë kanë qenë negative

Në fund të vitit të kaluar qeveria miratoi vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që fillimisht t’u vendoset masa prej 10 për e pastaj prej 100% qind dy shteteve, Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të sanksionojë Serbinë ekonomikisht si kundërpërgjigje për agresivitetin e saj ndaj Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht ka deklaruar se kjo masë është shtysë për prodhimtarinë vendore. Por përkundër pretendimeve të tij, tarifa nuk është duke i kontribuuar ekonomisë kosovare. Faktet e demantojnë Kryeministrin. Kjo taksë nuk është hartuar mirë dhe vendi nuk ka pasur ndonjë përfitim.

Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor. Çmimet e prodhimeve, konsumit dhe pijeve kanë pësuar rritje të shpejtë. Shumë biznese i kanë rritur çmimet duke shfrytëzuar taksën. Për të zëvendësuar produktet serbe importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet.

Brenda pesë muajve pas vendosjes së tarifës 100% importet nga Serbia shënuan një rënie prej 88%, kurse importet nga BiH u ulën për 83%. Importi nw Kosovë ka vazhduar të rritet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas.

Disa nga përfituesit më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe janw shtetet si Sllovenia (125%), Izraeli (659%), Hungaria (57%), Turqia (34%) dhe Maqedonia e Veriut (41%) që rritën shumë eksportin në Kosovë.

As eksporti i Kosovës nuk ka shënuar ngritje. Për më keq, deficiti tregtar i Kosovës është rritur. Edhe pse disa biznese vendore kanë fituar nga tarifa, faktet dëshmojnë “se rritja e industrisë përpunuese, si në vëllim të punës, ashtu edhe në gjenerim të vendeve të reja të punës nuk është përshpejtuar gjatë periudhës nga kur masa mbrojtëse është në fuqi”. Raporti i GAP tregon se prodhuesit vendorë nuk kanë arritur t’i kapitalizojnë shanset e tarifës siç ishte hamendësuar.

Në anën tjetër, çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë qenë rreth 5.3% më të larta në periudhën sa ka qenë taksa në fuqi (nëntor-mars 2019) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në mungesë të produkteve zëvendësuese për disa prodhime kosovare, prodhuesit vendorë i kanë rritur çmimet me hyrjen në fuqi të taksës prej 100%. GAP vlerëson se arsye tjera që kanë mundur të ndikojnë në rritjen e çmimeve është rritja e kostos për lëndën e parë dhe rritja e kostos së produkteve të importuara.

Të dhënat e Doganës tregojnë se pas vendosjes së taksës importi i produkteve ku Serbia kishte pjesëmarrje të lartë, në masë të madhe është zëvendësuar me vendet e tjera. Sasia dhe shuma e importit të drithërave praktikisht janë të njëjta. Rënia e importit nga Serbia për 87% është zëvendësuar me import nga shtetet e rajonit.

Siç shkruan GAP, përfituesit më të mëdhenj në këtë rubrikë kanë qenë Bullgaria dhe Kroacia ku importi nga këto vende është rritur për më shumë se 2,000%. GAP po ashtu ngrit dyshime se produktet të cilat nuk kanë marka siç janë drithërat, janë duke u regjistruar dhe importuar përmes vendeve të tjera të rajonit si Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Sipas analizës së GAP, nga kjo më së shumti preken konsumatorët vendorë për shkak se produkti i njëjtë vazhdon të importohet, por me çmim më të lartë për shkak të shpenzimeve të transportit.

Importi i kafshëve të gjalla është një shembull ku Kosova kishte varësi të lartë (69%) ndaj Serbisë. Mirëpo edhe pas vendosjes së taksës, pesha e llojeve të ndryshme të kafshëve të importuara nuk është zvogëluar. Madje është rritur. Serbia është zëvendësuar nga vendet si Republika Çeke dhe Rumania. Një tjetër produkt konkurrent është materiali ndërtimor. Gjatë muajit janar-mars 2018 janë importuar 83.6 milionë kg neto hekur dhe çelik ndërsa në muajt e njëjtë të vitit 2019 janë importuar rreth 88 milionë kg.

Vitin e kaluar Kosova shënoi ngritjen më të madhe të çmimeve në krahasim me shtetet përreth. Mos të harrojmë se për ushqim dhe pije një familje kosovare shpenzon rreth 40% të buxhetit të shtëpisë.

Ngritja e çmimeve të tyre veçanërisht më së keqi i prekë familjet në asistencë sociale që gati gjithë buxhetin familjar e shpenzojnë në konsum. Kjo e ka forcuar varfërinë në këtë kategori të njerëzve.

Siç konstaton GAP, që kur është vendosur masa e parë mbrojtëse tarifore prej 10% për produktet nga Serbia, indeksi i ushqimit ka prekur vlerën më të lartë në dy vitet e fundit. Në mesatare, çmimet e ushqimeve kanë qenë rreth 5.3% më të larta në periudhën sa ka qenë taksa në fuqi krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Se çmimet janë ngritur më shumë këtë vit e konfirmon edhe Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës “Vlerësimi i zhvillimit makroekonomik” ku shihet se çmimet e ushqimeve, pijeve joalkoolike, pijeve alkoolike dhe duhani janë rritur nga 3-6% vetën në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Indeksi i çmimit të konsumit ka prekur normën e lartë të rritjes prej 3.2 %.

Edhe ky raport konfirmon se “në rritjen e çmimeve të konsumit ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të importit dhe atij të prodhimit gjatë kësaj periudhe, e cila është ndikuar edhe nga vendosja e taksës 100 për qind për produkte me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Sipas të dhënave të BQK-së, ngritjen më të lartë të çmimeve kanë shënuar produktet minerale dhe metaleve bazë, që janë kategoritë kryesore të indeksit të çmimeve të importit në vlerë prej 20.7 për qind, përkatësisht 2 për qind.

Siç shihet, në të kundërtën e asaj që proklamon Kryeministri në dorëheqje. Tarifa kundër Serbisë nuk e ka ndihmuar ekonominë e Kosovës. Ajo nuk ka qenë mirë e hartuar e as nuk po arrin synimet e dëshiruara. Kjo tregon se Kosovës taksa nuk po i bën vetëm dëm politik, por edhe ekonomik dhe një strategji serioze mirë e planifikuar është e domosdoshme.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.