Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të jenë të parat pas miratimit të ligjit të ri zgjedhor. Disa nga ndryshimet më të mëdha që solli ky ligj është rritja e numrit të votave për kandidatët për deputetë të subjekteve politike nga 5 në 10; ndryshimi i formës së numërimit të votave për deputetë; heqja e heshtjes zgjedhore (24 orë para mbajtjes së zgjedhjeve) dhe votimi në përfaqësitë diplomatike dhe me postë në filiale jashtë Kosovës.
Disa nga këto ndryshime do të përmirësojnë procesin zgjedhor. Për shembull, votimi fizik në përfaqësi diplomatike ofron një metodë më praktike për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
Gjithashtu, votimi me postë në filialet e caktuara jashtë vendit jep mundësinë që vota me postë të mbërrijë me kohë, si dhe të ketë më pak shpenzime për dërgimin e postës, për dallim me procesin e vjetër kur zarfi duhej të dërgohej në Kosovë.
Tutje, largimi i heshtjes zgjedhore është një vendim praktik, sepse nuk ka pasur ndonjë rol konstruktiv në zgjedhje dhe në të kaluarën nuk është respektuar plotësisht, duke u krijuar problemeve institucioneve relevante në trajtimin e rasteve.
Megjithatë, vendimi për rritjen e numrit të votave për deputetë nga 5 në 10, mund të ketë pasoja negative, sepse i favorizon 10 kandidatët e parë në listat zgjedhore dhe centralizon votën në qendrat e mëdha, duke dëmtuar garën e barabartë dhe frymën e listave të hapura.
Avantazhi i padrejtë i 10 deputetëve të parë
Sistemi zgjedhor i Kosovës ka lista të hapura, gjë që i mundëson votuesit të zgjedhë vetë kandidatët për deputetë të një subjekti politik. Kryesitë e subjekteve politike mund të vendosin renditjen e deputetëve në listë zgjedhore, por votuesit vendosin se kë e votojnë.
Sidoqoftë, jo çdo qytetar e përcjell politikën në mënyrë aktive dhe jo domosdoshmërisht i njeh shumicën e deputetëve. Kur shtojmë këtu faktin se subjektet politike kanë të drejtën të propozojnë 110 kandidatë për deputetë në listat e tyre zgjedhore, kjo e bën edhe më të komplikuar përcaktimin në kandidatë.
Në proceset e kaluara zgjedhore, shumë qytetarë kanë qenë të prirë të votojnë 5-shen e parë të partisë. Në tre palë zgjedhjet e kaluara në Kosovë, 5 kandidatët e parë të çdo liste kanë siguruar pothuajse gjithmonë ulëse në Kuvend. Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2017, 2019 dhe 2021, LDK-ja, LVV-ja dhe PDK-ja gjithmonë siguruan 5 kandidatët e parë në Kuvend. Përjashtimin e vetëm e bën PDK-ja më 2019, kur në numrin 5 kishte Valon Muratin nga Lëvizja për Bashkim (parti e cila kishte bërë koalicion me PDK-në më 2019).
Pra, historikisht, 5-shja e parë ka qenë gjithmonë favorizuar. Edhe në rastet kur disa prej kandidatëve nuk ishin të njohur për publikun, pozicioni i tyre i lartë në listë u ka garantuar mjaftueshëm vota për marrjen e mandatit. Ngaqë, shumë votues kanë votuar 5 kandidatët e parë, edhe nëse nuk i kanë njohur.
Qytetarët nuk janë të obliguar t’i votojnë 10 deputetë, pra mund të votojnë edhe më pak kandidatë. Megjithatë, historia mund të përsëritet dhe, rëndom, siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, 10 kandidatët e parë mund të preferencohen kësaj radhe.
Në këtë kontekst, rritja e numrit për votim të kandidatëve nga 5 në 10 e thellon hendekun e padrejtësisë, duke i dhënë një avantazh të padrejtë 10-shes së parë të secilit subjekt politik.
Centralizimi i votave në qendrat e mëdha
Rritja e numrit të deputetëve nga 5 në 10, centralizon votën duke favorizuar qendrat e mëdha urbane, siç janë: Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Mitrovica, Gjilani, Peja dhe Gjakova. Në këtë drejtim, Kuvendi rrezikon të bëhet më pak përfaqësues dhe të ketë më pak deputetë nga qytetet e vogla.
Specifikisht, ky ndryshim i rregullit do të ndikojë më së shumti për deputetët të cilët përkrahjen më të madhe e kanë nga lokaliteti i tyre. Qytetet e vogla në Kosovë kanë popullsi dukshëm më të vogël dhe numri i votuesve është drastikisht më i ulët. Nëse deputetët e komunave të vogla nuk janë të renditur në dhjetëshen e parë, shanset e tyre për t’u zgjedhur deputetë janë të vogla.
Për shembull, një votues i LVV-së nga Dardana do të jetë i prirë të votojë edhe kandidatët nga Gjilani, ndërsa një votues nga Gjilani mund t’i zgjedhë 10 deputetë në listë nga Gjilani dhe do të ketë më pak arsye për të votuar kandidatë nga Dardana. Në këtë mënyrë, qendrat e vogla humbin votat dhe përfaqësimin e tyre.
Normalisht që kandidatët nga qendra të mëdha mund të kenë vota më shumë dhe janë më të përfaqësuar në listën zgjedhore. Çështja ku duhet të jemi kritikë është fakti se ky ndryshim i favorizon edhe më shumë këta kandidatë, duke e bërë garën edhe më të pabarabartë.
Pra, rritja e numrit nga 5 në 10, në radhë të parë, vendos në avantazh 10 deputetët e parë ndaj pjesës tjetër, e në rastin tjetër ka tendencë ta centralizojë votën, ku qendrat e mëdha marrin vota nga qendrat e vogla, e jo anasjelltas.
Efekti real i kësaj reforme mbetet të shihet pas numërimit të votave, nëse 10 deputetët e secilës parti politike kanë përfunduar në Kuvend, gjë që nuk ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.