Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ena pa ujë

Ena pa ujë

Muajin e kaluar mbeta në një bregdet të Jonit mitologjik, të mbushur me insekte gjigande. Ndonëse dukeshin si njerëz dhe zukatja e tyre i ngjante një gjuhe që e kisha dëgjuar më parë, kishin apetit të pashtershëm për lekun e pistë.

Ky rezultat i eksperimenteve me materie radioaktive gjatë Enverizmit më futi në grackë, dhe nuk pata tjetër rrugëdalje veçse ta thërrisja përbindëshin e detit, të madh sa një soliter, për t’i hequr këta ngjethës hotelierik nga faqja e dheut.

Kështu filloi një luftë mes Ketosit dhe insekteve gjigande. Me bishtin e tij të madh dhe të mbuluar me midhje, ai me lehtësi e mposhti, mbase përkohësisht, këtë distopi arrogante.

Pas ca ditësh luftë, dhe plazhi, u nisa për në qytetin e bukur të Prizrenit. Sesi e ka merituar ky qytet këtë mbiemër, ngase përveç ca mbeturinave bizantine dhe një klaustrofobi urbane të një plani otoman, vërdallë shatërvanit, nuk dallon edhe aq nga qyteti i bukur i Ferizajit. Por, megjithatë, Dokufesti mbetet perla e tij.

Këtë vit gjeta analogjinë moderne të korrupsionit, por jo nga aspekti metastatik. Dita e kinemasë nordike dhe gjendja e toaletit të kinemasë, ishin diskrepanca kumbuese e mungesës së këtij aspekti. Siç ishte edhe refuzimi i kthimit të parave për biletat e dështimit të shfaqjes së filmit, për arsye teknike, apo të arkës fiskale, e cila në vete, si aparatus nga plastika dhe elektronika, nuk i shfaq estetikat e programit. Shtypjen ekonomike, muret ligjore, imigrimet ilegale, minierat jonjerëzore, ndotjet me karbon, dashuritë e tradhtuara dhe larvat gjigande në zgarë, të cilat ishin më të shijshme se qyftet e Sylës – lopën e të cilave nuk e kam njohur kurrë!

Përtej kësaj një qytet krejt i mobilizuar spartakisht, për t’ia kaluar me lezet dhe tarabukë Velipojës bashkë me Ulqin. Festivali në njëfarë mënyre po i shfaqte shembujt e kompleksitetit sociopolitik në distancë. Në vend se të thoshim, Ferronikli, ne thoshim filan miniera në Kinë. Në vend se Hashim Thaçi, Alan Garcia në Peru. Dhe kështu, infrastrukturës sonë po i shërbehej, me shtalba dhe pambuk sheqeri, ekzotika e padrejtësisë, nëpërmjet modusit të vet mendjemadh: politikës si kulturë.

Më vonë, në Marash, përfundova i droguar nën dorën leshatuke të një fshatari nga filmi Dogville, të cilit petku i SHPK-së i kishte rënë në trup nga vetë dora zemërmirë e Nicole Kidman.

Duke lënë pas Dokufestin, me duar të varura, erdha në Prishtinë. Ky qytet, që është gjithçka përveç i bukur; e gjeta të mobilizuar bukur mirë për një perlë tjetër: Joe Biden. (Jo Obama!)

Bashkëndjesia me natyrën e insekteve gjigande që kisha lënë në jug ca javë më parë ishte e paevitueshme. Fillova të ndjehem egoist që ia kisha prishur gjumin përbindëshit. Nuk po kuptoja pse neve po na bëhej e pamundur që të aplikojmë me referendum për një aneksim sa më të shpejtë me SHBA-të. Që të merrnim pasaporta amerikane dhe të votonim këtë vjeshtë për Donaldin, ose edhe Hilarinë.

Dialogu do të përfundonte. Brukseli do t’i orientonte teknokracitë dhe aferat e errëta dikah tjetër. Nuk do të kishte republikë të bananeve dhe nënshtrim krenar ndaj Perandorisë së Trazirave, por qytetarë të Tokës së Lirë.

Është paksa absurde dhe qesharake të jem kosovar, apo shqiptar, dhe ta dëgjoj Biden-in duke rekomanduar politikë, aq më tepër të përshkruar nga ajka e korrupsionit. Me Kerrin që ma uron ndotjen e ajrit, apo me ndonjë ambasador të tyre.

Me qenë shqiptar, kosovar, etj., por jo amerikan, në Kosovë të pasluftës, është nënçmim i lirë i gjithë historisë dhe i dinjitetit. Një varrezë masive e invertuar.

Sikur të isha amerikan, demarkacioni do të ishte në Çakorr. Vetëm përmendja e sintagmës “komuna serbe”, do të ishte pasuar me amputim gjuhe. Mbase vendi e kishte humbur sterilitetin monoetnik. Edhe fusnotën.

Serbët, maqedonët, malazezët dhe insektet bashkëkombase nga jugu, ishin munduar ta kalojnë kufirin ilegalisht, për një jetë më të mirë në Amerikë. Vetëvendosje!, ose do të vetëpërjashtohej, ose do ta ndërronte statutin, që të mos përfundonte në listën e organizatave terroriste, bashkë me anarkistët dhe mjedisorët. PDK, LDK, AAK, NISMA, AKR, të gjitha nëpër procese gjyqësore dhe burgje, mbase edhe votues të denjë republikanë.

Arbana Xharra e papunë. Marihuana legale. Shefqet Krasniqi xhiton për tolerancë.

Korrupsioni nuk është ryshfet dhe mitmarrje. Është status quo. Si fenomen strukturor i bën bashkë të mirët dhe të këqinjtë, derisa në fund, nuk mund t’i dallosh. Sepse nuk janë (a) “hipokritët” që e përshëndesin (b) Biden-in, përderisa janë kundër demarkacionit. Por nuk janë as (c) evidentuesit e shquar të kësaj hipokrizie. Është bashkësia e tyre (a, b, c)!

Ky korrupsion nuk ka të bëjë me (mos)nënshtrim ndaj ligjit, sepse ai është vet ligji. Ligji i vendit dhe i kuvendit. Këto politika ekonomike, fiskale dhe rritja e pabarazisë është konkretizimi i tij. Rrogat e vogla dhe ushqimi i shtrenjtë. Mungesa e kujdesit shëndetësor dhe shteti kriminal. Joproduktiviteti nacional karshi bankave dhe biznesmenëve të paprekshëm. Dhuna ndaj atyre që duan të jenë ndryshe. Mosekzistenca e njeriut individual, që mendon për vete, karshi mbisundimit të anekseve fisnore të pakarakter. Mungesa e shtetit që kthen taksën në mirëqenie dhe ulje të pabarazisë ekonomike. Problemet mentale tek fëmijët nga ajri i stërndotur.

Korrupsioni pra, është themeli i shtetit tonë. Ekonomia jonë. Dhe kjo ekonomi është duke u mbështetur 24 orë nga hipokrizia perëndimore nën pretekstin e premtimit të një utopie euroatlantike. Besimi në këtë utopi është besim ekstremist. Se si ndryshe e kshim diseminuar Ben Blushin, kur çohet jerëm dhe na flet për enën dhe ujin?

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.