Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

EU, mon amour!

Ilustrimi: Big Eye

Që të mos humbasim kohë. Le ta parafrazojmë atë që e ka thënë poeti, përkthyesi, prozatori, nobelisti dhe diplomati polako-amerikan Czeslaw Milosz, i konsideruar si njëri ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të kaluar, kur flet Historia, nuk ka më vend për mëshirë. Marrë nga libri i tij prozaiko-eseistik Mendje e Robëruar. Akademia suedeze e cila viteve të fundit u kritikua për disa nga vendimet e saj, e cilësoi Miloszin si njëri ndër autorët që më së miri e shprehë gjendjen e ekspozuar të njeriut në një botë konfliktesh të rënda. Pra, e gjithë historia e kombeve është barbare. E gjithë historia botërore është dhe vazhdon të jetë një fabrikë e gjakut, e persekutimit dhe e dinjitetit të përdhosur njerëzor. Ngase çdo konflikt i kudondodhur sot është para se gjithash konflikt i yni. Meqë humanizmi pretendon se ka arritur pikën e tij finale. Apo një pikë të kënaqshme. Apo më shumë se kaq, një pikë objektive të lakmueshme. Meqë ne duhet të jemi moralisht të drejtë dhe empatikë. Por, në esencë, ajo që ndjej në vizitat e mia në mjediset europiane është diçka që më vjen keq ta them. Është diçka për të cilën nuk kam luftuar si fëmijë. Apo diçka që nuk arsyeton idealin tim, për një botë të lirë e demokratike. Europa vuan nga e kaluara e saj barbare, vuan nga pellgjet e thara të gjakut, nga muzetë e mbushur me gjenocid, nga “koncepti” i holokaustit, nga gjurmët e pashlyeshme makabre të diktatorëve të saj. Europa është e pashërueshme. Ajo vuan nga kontrolli i saj preciz dhe konstant, ndaj mirëqenies së saj. Nuk them assesi që Europa nuk ka ripërtërirë esencën e qenies njerëzore, nuk e ka iluminuar shpirtin njerëzor. Fatkeqësisht. E gjithë kjo i takon letërsisë. Ndërsa në të vërtetë bota nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë produkt letrar. Gjithnjë brutalisht botë politike, sunduar nga politikanë dhe banditë. Në këtë pikë Europa nuk është fare një ëndërr apo një utopi. Më në fund, duket sheshit. Më në fund, duhet ta pranojmë dhe ta themi të vërtetën para fytyrës së të gjithëve. Në pikëpamjen time, çdo ditë e më shumë forcohet një europë nacionaliste, paragjykuese, raciste, ksenofobike, me banorë të saj të inatosur. Që ruajnë me fanatizëm lumturinë e tyre dhe përdhosin njerëzit e popujve të vegjël, të pafuqishëm dhe të pa të ardhme. I shohin me dyshim ata që pëshpërisin me shpresë emrin e saj. Pra duket se gjithmonë në historinë e njerëzimit ka munguar mirëkuptimi për popujt e vegjël. Mbase kjo në një pikë është e gjithë bërthama e konflikteve të vazhdueshme. Harrojmë se nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël. Ka njerëz dhe kjo botë është e të gjithëve. Kombet janë degë primitive të stërgjatura ndër shekuj. Zaptime tokash dhe forcë muskujsh. Nuk ka logjikë dhe as nuk është e shëndoshë që të gjykohet lindja e një njeriu në botë, ardhja e të cilit në një gjeografi të caktuar, do ta përcaktojë të gjithë fatin tij. Hajde të themi nëse kemi guxim.

Fati i një njeriu është fati ynë. Jo. Nuk kemi më as guxim dhe as nder. As lavdi dhe dinjitet. Kemi inat, përbuzje, ndjenjë sipërore ndaj tjetrit.

*

Unë i përkas një vendi të vogël që ka vuajtur nga konflikte të vazhdueshme, jam fëmijë i luftës, përfaqësoj lirinë e mendimit dhe lexoj me ëndje shkrimtarët më të mirë europianë. Por në komunikimet e mia me europianët gjithmonë më duhet të shtjelloj identitetin tim, burimin e luftës apo më duhet të përgjigjem në pyetjet e tyre që i shtrojnë me superioritet dhe me kompetencë të tepruar. Është koha që të flasim me më shumë mirëkuptim dhe me më shumë zemërgjerësi. Për popujt e shtypur që braktisen në mjerimin e tyre. Nuk ka asnjë kuptim që një qenie njerëzore të jetë normale, mbyllur brenda një dhome. Një qenie njerëzore traumatike të ndëshkohet, që të plotësojë kushte për të lëvizur lirshëm. T’i shohim njerëzit, si kombe.

Kosovarët, pavarësisht kritikave të shumta që kam ndaj tyre lidhur me procesin e ndërtimit të shtetit, janë manipuluar dhe manipulohen paskajshmërisht nga shtete europiane, këto forca shekullore civilizuese që lundrojnë në të gjitha detërat e botës, rojtarë të qetësisë së tyre. Këto nëndetëse që kontrollojnë evoluicionin demokratik. Kosovarët e rëndomtë janë persekutuar dhe persukutohen në formën më brutale nga ambasadat. Për më shumë se kaq, nuk ka mundësi të presësh gjëra pozitive, nga krijesa mjerane nën mëshirën e gjykuesve të mëdhenj. Njerëz hedhur në kafazin e madh gjithnjë duke pritur notën mbi performancën e sjelljes së tyre. Kjo është totalisht e gërditshme dhe performanca europiane meriton notë të dobët. Nuk ka përqafime për ata që ju mungon përqafimi. Nuk ka mirëkuptim nga ata që nuk mirëkuptohen. Nuk ka asgjë njerëzore, në çastin që dikush fut metoda përmirësuese në veprim. Vetëm e vetëm pse ka rrethanat në favor të tij. Ne njohim më mirë se askush tjetër testin, durimin dhe dëshirën e cila tashmë gati është shuar. Një fitore e vonshme, i ngjan një katastrofe të madhe shpirtërore. Një rrënimi me pasoja fatale.

*

Për fund ta themi: kombet gjithnjë do të hahen mes vete. Dhe gjithnjë do të luftojnë në mes vete, shih çfarë ndodhë sot me Ukrainën. Ngase nuk ka pasur letërsi të njëmendtë brenda popujve. Mirëqenia e të gjithëve është një iluzion i shëmtuar. Epërsia, përbuzja karakterizon të fuqishmit. Epoka e shteteve post-perandorake është e ashpër. Dhe popujt e vegjël do ta paguajnë çmimin e madh të lënies anash. Unë përgjithnjë do të luftoj për dinjitetin tim prej buburreci në mesin e një skizofrenie nacionaliste të gjithëmbarshme, duke ëndërruar për diçka tjetër që mbase poashtu do të më dëshpërojë, meqë dëshpërimi është më në fund, e vetmja vlerë e imja humane. E vetmja vlerë fisnikëruese mes një Ballkani të terrorizuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.