Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Faktorizimi në shpinë të dështimit

Në seancën e fundit konstituive e dëgjuam prapë të përmenden „vendimet e mëdha dhe të vështira“. Kur eksponentë të koalicionit PAN po na përkujtojnë neve, partive tjera politike dhe partnerëve ndërkombëtarë se vendi duhet të marrë këto vendime në të ardhmen – kjo më shumë tingëllon si një shantazh diskret, se si një brengosje e tyre për të rezultatet e atyre vendimeve për të ardhmen e Kosovës.

Koalicioni PAN po e faktorizon veten para nesh dhe para partnerëve ndërkombëtarë me paraqitjen e tyre si koalicioni i vetëm, i cili do të mund t’i kalonte ato marrëveshje. Por fakt është se qytetarët nuk i besojnë më atyre marrëveshjeve. Tanimë është krijuar perceptimi në shoqëri se ato janë të dëmshme. Edhe nëse ky perceptim është i gabuar, vullneti i një pjese të shoqërisë nuk guxon të injorohet.

Si vendime të vështira dhe të dhimbshme kuptohen sidomos ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto marrëveshje u bënë nga qeveria e kaluar PDK-LDK, e cila e gjeti veten të kundërshtuar nga një opozitë e bashkuar mes VV, AAK dhe Nisma. Ato marrëveshje mbeten akoma për t’u trajtuar në kuvend – e shkas për ngrirjen e tyre ishte, siç e dimë – kundërshtimi opozitar, i mbështetur fuqishëm edhe nga shoqëria civile por edhe nga vetë qytetarët.

Në ndërkohë, përmes një diskursi të ndërtuar nga partia në pushtet dhe të pranuar nga mediet si dhe nga persona lehtë të ndikueshëm të shoqërisë, është cementuar bindja dhe nënshtrimi ndaj asaj që quhet faktori ndërkombëtar, pra trysnia nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i pranuar dhe kaluar ato marrëveshje në formën e tyre ekzistuese. Kjo me arsyetimin se kështu u kërkuaka nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe, ah sa ngushëlluese! – në këmbim të ratifikimit të demarkacionit ne do të marrim vizat, e në këmbim për asociacionin do të vazhdohet dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në këtë lëmsh lojërash politike dhe intrigash rrinë të fshehura tinëzisht dy paradokse, të cilat edhe e koklavisin qartësimin e një qëndrimi adekuat në raport me situatën. Paradoksi i parë ka të bëjë me faktorizimin e PDK-së si partner i vetëm për kalimin e marrëveshjeve. Paradoksi i dytë është teatri i LAA dhe VV se gjoja duan pushtetin, e në anën tjetër duan që këto marrëveshje të kalohen nga PAN-i.

Në bazë të deklarateve të eksponentëve të PAN-it vërehet tendenca për faktorizimin e tyre si koalicioni i vetëm që do të kishte sukses për kalimin e vendimeve të vështira. Nëse një qeveri e përbërë edhe nga PDK-ja, nuk arriti t’i jetësojë ato marrëveshje atëherë kur ishin aktuale, pse mendojnë se do ta bëjnë sot? Kalkulimi i tyre mund të përfshijë disa aspekte. Së pari, në opozitë atëherë e kishin edhe AAK-në dhe Nismën, dy parti të udhëhequra nga komandantë të luftës. Natyrisht, një kundërshtim i një formacioni të tillë gjithmonë duhet trajtuar si me një risk më të shtuar shkaku i supozimit mbi gatishmërinë e aktvizimit të potencialit të dhunës nga strukturat e atyre formacioneve. Është një taktikë e njohur e fuqive të mëdha që në vende jostabile të përkrahen më shumë politikat e partive me potencial më të dhune, pikërisht nga frika se situata në vend mund të dali nga kontrolli.

Pra, PDK supozon se kundërshtimi opozitar ndaj marrëveshjeve tani do të ishte më i vogël dhe partnerët ndërkombëtaër e mbështesin këtë. AAK dhe Nisma, përkundër deklaratave gjatë fushatës zgjedhore se nuk do t’i kalonin ato marrëveshjeve pa u rishikuar, sipas të gjitha gjasave do t’ia nënshtronin idealet e tyre patriotike lakmisë së ëmbël për pushtet. Ndërsa ajo çfarë po bën PAN është të aludojë në potencialin e dhunës së tyre, në një kohë kur rënia e ndikimit të tyre po shihet qartazi në bazë të humbjeve të elektoratit gjatë tre palë zgjedhjeve të fundit. Numri i qytetarëve në përkrahje të këtyrë partive ka rënë në mënyrë drastike, sikurse ka rënë edhe gatishmëria për dhunë për përgjithësi. Kështu që sa i përket dhunës që do të shkaktohej, nëse qeveria nuk do të krijohej nga PAN-i, ajo është thjesht një projektim iluzor i tyre.

Paradoks është edhe qëndrimi i LAA-së dhe VV-së. Përkundër deklaratave të tyre se duan të formojnë qeverinë, ato po sillen si fëmijë të llastuar. Dhe kjo ka të bëjë edhe me marrëveshjet e lartpërmendura. Asnjëra nga to si duket nuk dëshirojnë të bien në pozitën kur do të duhej të ballafaqohen me partnerët ndërkombëtarë dhe me kundërshtim të qytetarëve në lidhje me ato marrëveshje. Dhe duan t’ia lënë përgjegjësinë PAN-it.

Kjo është së pari një sjellje qyqare dhe së dyti aspak e ndershme karshi qytetarëve. Për të bërë ndryshime duhet guxim dhe sakrificë. Zotat kërkojnë flijim, thuhet. Përkthyer në gjuhën tonë i bie se për të arritur diçka, shpeshherë duhet të humbësh pak diku tjetër. Ndërsa kundërshtimi i qytetarëve mund edhe të jetë më i vogël, në rast se ato marrëveshje do të kaloheshin nga një qeveri, pjesë e së cilës nuk është PDK. Qytetarët jo vetëm që ishin kundër marrëveshjeve, por nuk i besonin sidomos PDK-së. Qytetarët do të ishin shumë më të qetë, nëse ato marrëveshje, sido që të jetë epilogu i tyre, të kaloheshin nga një qeveri e pakonsumuar, e përbërë nga njerëz, të cilët i kanë kundërshtuar ato marrëveshje. Dhe numri i atyre qytetarëve është i konsiderueshëm, nëse llogaritet e gjithë VV, një pjesë e simpatizantëve të LDK-së (të cilët nuk ia dhanë votën LDK-së shkaku i koalicionit me PDK) dhe një pjesë e simpatizantëve të AAK-së dhe Nismës.

Për t’u habitur është edhe sesi VV-ja nuk e faktorizon veten pikërisht me këtë çështje. Ishte pikërisht VV e cila organizonte protestat kundër këtyre marrëveshjeve. Është e pakuptueshme heshtja e tyre në lidhje me këto vendime tani. E humbën guximin apo nuk dinë ta përdorin një çështje të rëndësishme për marketing politik?

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.