Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gazetaria e garave me kuaj

Në popull qarkullon kaherë një tregim mbi një përgjigjje madhështore që ka dhënë dikur një hoxhë diku në Kosovë. I zënë ngushtë prej xhematit me pyetjen se çfarë ka përtej xhenetit (parajsës), por mbase edhe i befasuar nga absurditeti i kësaj pyetjeje, hoxha, për të mos i lënë të pranishmit pa përgjigjje, ua kishte kthyer shkurtë: stërnishtë (arë e korrur). Bashkë me nëntekstin tek absurditeti i pyetjes, përgjigjja e hoxhës është edhe një refleks që eviton hyrjen në diksutime të rrezikshme epistemologjike që rrezikojnë atë që pyetja vërteton se është arritur (besimin e xhematit që parajsa veç ekzistoka). Ky tregim është i vlefshëm për të nisur këtë opinion mbi mbulimin medial të zgjedhjeve në Kosovë, ku ky refleksi i hoxhës na vjen në formën e gazetarisë së garave me kuaj, siç i thonë aq bukur amerikanët gazetarisë që mbulon garën elektorale sikur të ishte garë kuajsh, duke turbulluar pjesë të rëndësishme të përmbajtjes së saj. Kjo nuk është një përpjekje për të moralizuar mbi atë se si mediat po na servojnë gjithë të këqijat e botës; që ne s’po kemi kah ia mbajmë përtej asaj që na ofohet në media; që ne do të ishim njerëz më të mirë e më të ditur sikur mediat të na ofronin dije e mësim etj. Kjo është një përpjekje për t’i njohur më mirë kufinjtë e mënyrës se si ne i shohim zgjedhjet dhe se si një lloj i caktuar raportimi gazetaresk po i ndikon, për të mos thënë po i determinon, këta kufinj.

Së pari duhet filluar me admirimin e gjetjes së goditur të metaforës së garave me kuaj nga ana e amerikanëve, për një mënyrë të caktuar të mbulimit gazetaresk të zgjedhjeve. Theksi i meteforës godet mënyrën e raportimit për nga dinamika e parashikimeve, stisja e një gare të fortë me shumë befasi, krahasimi vetëm i rezultateve, e jo i cilësive të veçanta të kuajve etj. Nëse për një moment dikush do të pyeste “po përse gjithë kjo poterë për diçka që më një datë të caktuar do të jetë e qartë sikur loti?“ me siguri se do të gjindej ndonjë fjalë madhështore si ajo e hoxhës më lart, për ta mbytur në vend atë pyetje heretike. Kjo metaforë poashtu i bën drejtësi këtij lloji të gazetarisë duke e zhvendosur atë disi nga kategoria e informimit dhe skepticizmit në atë të zbavitjes dhe cinizmit.

Politologu amerikan, Bernard Cohen, thotë se “mediat mund të mos kenë sukses shumicën e kohës për t’u imponuar njerëzve çfarë të mendojnë, por janë marramendësisht të suksesshme për t’u imponuar atyre për çka të mendojnë. Kjo duket e saktë në rastin e mbulimit medial të garave zgjedhore në Kosovë, por edhe të politikës në përgjithësi,  ku simpatizantët e partive kundërshtare kanë reagime krejtë të ndryshme për ndaj të njëjtit infrormacion ose fakt. Pra, edhe në Kosovë, vështirë mund të themi se mediat kosovare kanë arritur t‘i bindin njerëzit se për kë të votojnë, por lehtë mund të thuhet se ato kanë arritur të krijojnë një bindje në publik, sipas të cilës jeta politike s’është tjetër veç një vërtitje nga një garë në tjetrën, sikur garat me kuaj, në mes të të cilave nuk ka asgjë pos parashikimeve për garën e radhës.

Ndikimi i këtij formati të diskutimit publik mbi politikën dhe demokracinë, ndikon jo vetëm në diskursin e përditëshëm të politikanëve, por edhe se kush bëhet politikan, kë e kandidon partia në garën zgjedhore, kujt i jep partia ose koalicioni fitues pozita qeverisëse etj. Kështu kemi parë në shumë gara zgjedhore që intelektualë të shkëlqyer nuk i kanë marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë, e në anën tjetër kemi parë mujsharë të shumtë që janë zgjedhur me një lehtësi të frikshme për Kuvendin e Kosovës. Në këtë pikë nuk mund të kritikohen më shumë votuesit sesa formati dhe atmosfera garës, sepse në një garë kuajsh nuk mund të vësh bast për delfinët.  Është fascinuese shprehia e emisioneve të përnatëshme politike në Kosovë për ta marrë të mirëqenë injorancën e audiencës dhe këmbënguljen e saj për diskutim të thjeshtë e të cekët. Saherë që dikush fillon ta çojë diskutimin në një nivel më të lartë të abstraksionit, mund të vësh kokën që moderatori do t’ia ndërpresë duke e lutur që të flet “sa më thjeshtë për publikun“ (gati sa nuk u thonë “garë e kuajve është kjo, zonjë/zotëri, nuk je në Akademinë e Platonit këtu“!).

Megjithëkëtë ne, si qytetarë, nuk mund të luajmë vetëm viktimën e këtij fenomeni të gazetarisë. Edhe ne, po deshëm, i kemi dizgjinët e disa gjërave në dorë, që mund të luajnë rol kundërshues ndaj kësaj ngushtësie konceptuale mbi demokracinë. Qytetarët do të duhej të mos përgjigjeshin në sondazhet që bëhen për zgjedhjet. Ato sondazhe po i japin aureolën e rreme shkencore analizave të gazetarisë së garës së kuajve. Sondazhet po janë shtylla e vetme që po e mban në këmbë skenën groteske të reduktimit të përfaqësuesve të ardhshëm politikë të qytetarëve në kuaj garash, që nuk shquhen nga cilësi tjera pos atyre që determinojnë fitoren/humbjen e garës. Për kontribut ndaj shkencës e hulumtimit shkencor, ne duhet të përgjigjemi vetëm në pyetësorët që shkencëtarët seriozë bëjnë pas zgjedhjeve. Kështu do t’ia bënim një shërbim shkencës në vetvete, por edhe partive politike dhe vetë cilësisë së përfaqësimit tonë politik. Por, në fund të fundit, argumenti më i fortë i mediave në cilindo rast është liria e shikuesit për të ndërruar kanalin. Pra, siç thotë shprehja e famshme latine, “nëse bota dëshiron të jetë e mashtruar, atëherë le të mashtrohet“.

 

 

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.