Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Europian ka propozuar Direktivë për Ofrimin e Mbrojtjes Minimale për Sinjalizuesit. Nëse jetësohet, ky ligj do të bëhej i pari që mbron sinjalizuesit në nivel të Bashkimit Europian dhe mund të përdoret si model edhe në vende tjera si Kosova.
Para se të largohej nga kompania e auditimit PwC nga kishte dhënë dorëheqje, Antoine Deltour po shtypte materiale të trajnimeve nga serveri që mund t’i duheshin në të ardhmen. Ai rastësisht hasi në qindra marrëveshje të lidhura në mes të autoriteteve publike të Luksemburgut dhe kompanive ndërkombëtare që dëshmonin shmangie nga tatimet. Ishte dhjetor 2011.
Deltour vendosi të sinjalizonte. Marrëveshjet ia dha Edouard Perrin, gazetar francez, i cili i publikoi ato në verën e vitit 2012 në Francë. Rrjedhja e marrëveshjeve, e njohur si #LuxLeaks, mori karakter ndërkombëtar dhe çoi në nisjen e ndjekjeve penale kur Konzorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues organizoi publikimin e tyre në shumicën e mediave prestigjioze ndërkombëtare në nëntor 2014. Sinjalizimi ‘detyroi’ Parlamentin Europian të nisë hetime parlamentare dhe Komisionin të propozonte masa për rritjen e transparencës në çështjet që kanë të bëjnë me tatime.
Në vend se Deltour t’i thurreshin lëvdata, në dhjetor 2014 Prokuroria e Luksemburgut e akuzoi atë për zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe më 26 qershor 2016 gjykata e dënoi më një vit burg me kusht dhe 1,500 euro gjobë. Rasti është ankimuar nga Deltour.
Personat si Deltour që në kontekst të punës dhe duke shfrytëzuar të drejtën e lirisë së shprehjes bëjnë publike informacione që dëshmojnë parregullsi, janë sinjalizues dhe kanë të drejtë të vazhdojnë të punojnë dhe të mos kenë pasoja (më shumë rreth sinjalizimit). Ata janë të mbrojtur ligjërisht, si me legjislacion vendor, në shumicën e vendeve të Europës, ashtu edhe me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në praktikë, edhe në vende të zhvilluara si Luksemburgu, ata ende ndiqen me sukses penalisht. Një ndër arsyet është edhe mungesa e legjislacionit në nivel të Bashkimit Europian (BE) për sinjalizimin. Pra, aktualisht BE-ja nuk ka bazë ligjore që të detyrojë shtetet anëtare të marrin masa për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Për të adresuar këtë mangësi, më 3 maj 2016, Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Europian propozoi Direktivën për Ofrimin e Mbrojtjes Minimale për Sinjalizuesit. Aprovimi i saj do të detyronte shtetet anëtare të BE-së të garantonin siguri ligjore për sinjalizues. Potencalisht, direktiva do të inspironte edhe shtetet joanëtare – për shembull shtetet e Ballkanit që të ofronin mbrojtje minimale për sinjalizuesit.
Për t’u vënë në jetë kjo propozim-direktivë, Komisioni Europian (KE) do të duhet ta procedojë tutje. Më 25 tetor KE-ja publikoi dhjetë prioritetet e saj gjatë vitit të ardhshëm dhe mbrojtja e sinjalizuesve është njëra ndër to.
Propozim-direktiva, ndër të tjera, definon sinjalizimin dhe sinjalizuesit, procedurën e raportimit të dyshimeve dhe hetimit të tyre dhe ndalon hakmarrjen ndaj sinjalizuesve dhe ndjekjen penale apo civile të tyre. Ajo ofron një listë të gjatë të parregullsive që mund të raportohen dhe përfshin dyshimet për vepra penale, keqpërdorimin e fondeve apo resurseve publike dhe neglizhencën nga autoritetet publike.
Në veçanti, propozim-direktiva ofron sistemin prej tre shkallësh të raportimit të informatave për parregullsi sipas të cilit sinjalizuesit kanë të drejtë të raportojnë informacionin brenda institucionit të tyre, tek një autoritet competent, ose tek organizatat joqeveritare dhe mediat.
Në rastin e Antoine Deltour, përkundër vuajtjes personale nga sinjalizimi, ai do të mund të gjejë kënaqësi pasi ka shtyrë këtë ndryshim në nivel të kontinentit.
Në kontekstin e Kosovës ky zhvillim është me rëndësi sepse ligji aktual për mbrojtjen e sinjalizuesve nuk ofron mbrojtje adekuate dhe duhet të ndryshohet. E kur kjo të ndodhë, nisma ligjore e të Gjelbërve është modeli më i avancuar për shfrytëzim. Pra, t’i jepet sinjal i gjelbër sinjalizimit!