Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gjinia dhe feminizmi në planifikimin urban

Ilustrimi: Big Eye

Sektori i planifikimit dhe i ndërtimit karakterizohet nga kultura e burrave, që gjatë gjithë historisë së njerëzimit e ka ndikuar fuqishëm planifikimin e qyteteve. Kjo kulturë ka krijuar struktura të ngurta që si pasojë kanë përforcimin e stereotipeve, në vend të shpërbërjes së tyre dhe hapjes së perspektivave tjera gjithpërfshirëse.

Në çfarë mënyre janë të shprehura këto struktura në qytet?

Për një kohë të gjatë, ka qenë një perceptim i gabuar paragjykues se bartësit e gjinisë së caktuar do të shprehen në forma të ndryshme në arkitekturë. Kjo do të thotë se gratë arkitekte do të projektojnë forma gjeometrike të rrumbullakëta dhe forma të buta – e  burrat do të projektojnë kryesisht forma katrore. Mirëpo, historia dhe përvoja na tregon se ky perceptim, natyrisht, nuk qëndron. Krejtësisht varet se kush ka qenë projektues, çfarë dhe për kë ka projektuar.

Ngjyrimet gjinore janë të shprehura në gjithë sferën publike. Statujat, janë një shembull. Shihet qartë se në hapësirat publike, në përgjithësi gratë janë paraqitur në figura nudo dhe pa emra, me fëmijë si nëna të devotshme që është prezentuar si vlerë universale. Nga ana tjetër burrat paraqiten si figura historike, figura muskuloze të vendosura në piedestal dhe me armë. Gjithashtu, tashmë është evidente se pjesa dërrmuese e rrugëve, e shesheve dhe e hapësirave të tjera publike janë të emërtuara me emra burrash. Të njëjtën kulturë e vërejmë edhe në shfrytëzimin e fondeve publike – siç është rasti me fushat e futbollit që përdoren kryesisht nga burrat.

Metoda për thyerjen e strukturave

Shembuj model nga vendet me traditë demokratike

Shteti i Suedisë njihet si vend lider sa i përket respektimit të vlerave demokratike e në veçanti në respektimin e të drejtave të grave. Në kuadër të qeverisë suedeze është edhe Ministria e Barazisë Gjinore, e cila merret ekskluzivisht për forcimin e pozitës së gruas në shoqni. Suedia gjithashtu ka Strategjinë Nacionale për Barazinë Gjinore. Si derivat i kësaj strategjie edhe Ligji i Planifikimit dhe i Ndërtimit (2011) përcakton qartë detyrat e institucioneve sesi gratë dhe burrat kanë fuqinë e njëjtë në procesin e planifikimit dhe të ndërtimit. Kjo bëhet kryesisht nepërmjet pjesëmarrjes direkte të gruas në procesin e planifikimit. Shumica e komunave në Suedi krijojnë grupe punuese të përbëra vetëm nga gratë, që ato më lirshëm të japin idetë e tyre rreth planifikimit në zonat ku banojnë. Pastaj ato ide inkorporohen me idetë e mbledhura nga gjithë procesi i dialogut me qytetarë.

Në Finlandë, për të sensibilizuar problemin e dhunës ndaj gruas në shoqëri, qevera ka lansuar një projekt që quhet ”Transparencë”. Objektet ku strehohen gratë që janë viktimë e dhunës, ndërtohen në qendër të qyteteve dhe nuk fshihen në periferi, ku nuk mund të shihen nga qytetarët. Këto strehimore janë të hapura për vizita të qytetarëve me orar të caktuara, ndërsa dhunuesit (burrat) mbahen nën kontroll të rreptë nga institucionet përgjegjëse. Si rezultat i kësaj, gratë e viktimizuara në këto qendra strehimore nuk stigmatizohen, objektet në fjalë krijojnë një ambient të sigurtë dhe ndihmojnë që viktimat të riintegrohen prapë në shoqëri. Ky koncept ndihmon në vetëdijësimin e shoqnisë se problemi i dhunës ndaj gruas ekziston dhe se transparenca është luftimi më efektiv i kësaj dukurie negative.

Në Kosovë objektet e tilla edhe pse janë të pakta, ato ndërtohen zakonisht në periferi, dhe e kanë për synim fshehjen nga sytë e qytetarëve.

Një shembull i mirë është poashtu Austria. Qyteti i Vjenës në vitin 2000 ka filluar një projekt që quhet Gender mainstreaming (Vienna- a model city for Gender Mainstreaming), i cili është një model i mirë se si duhet integruar aspektet gjinore në planifikimin hapësinor. Objektivi kryesor i projektit është që të përmbushë më mirë nevojat dhe kërkesat e të gjithë qytetarëve të saj, me fokus gratë dhe në të njëjtën kohë të përmirësojë cilësinë e shërbimeve publike.

Pyejte me rëndësi

Gjatë procesit të planifikimit në vendet si Suedia, shtrohen një varg pyetjesh që kanë të bëjnë me gjininë në planifikim.

Ku punojnë gratë dhe burrat?

Çfarë lehtësimesh krijon planifikimi urban në ndarjen e përgjegjësisë dhe punëve në familje dhe a ka mundësi punësimi afër banimit? Nëse po, si?

Cilat janë efektet pozitive dhe ato negative të vendndodhjes së shitoreve, qendrave eksterne të shopingut nga perspektiva gjinore?

A janë lehtë të qasshme objektet e shërbimeve publike, p. sh. shkollat, çerdhet?

Si është shtrirja e objekteve të banimit kolektiv në raport me çmimin qendër-periferi?

Cilat janë kërkesat e grave në dizajnimin e lagjeve ku jetojnë?

A ka hapësira të gjelbëruara dhe rekreative në afërsi të objekteve të banimit, ku mund të kalohet koha?

Gjithmonë duhet pasur parasysh se gratë dhe burrat e përjetojnë ndryshe arkitekturën që i rrethon. Një hap drejt një planifikimi të qëndrueshëm urban do të ishte që në organet projektuese të jetë numër i barabartë i grave dhe i burrave. Poashtu është më rëndësi që burrat të vetëdijësohen dhe të shikojnë proceset nga një perspektivë kritike e normave dhe nga një perspektivë gjinore. Ndryshimi i strukturave duhet të fillojë me hapa të vegjël dhe të sigurt.
_________________

Ky tekst është mbështetur nga United Nation Democracy Fund (UNDF) –  Am I equal in Kosovo society

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.