Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

I trentë apo jo i trentë

Është e Hane. Jem ulë para llaptopit me çajin/kafen e mëngjesit, tu i shfletu rrjetet sociale para se me ia nisë punës. N’mes të fotove të fëmijëve, selfie-ve, qenve dhe eventeve që ia bojmë “interested” del ni lajm që na dridh shpirtin – dikush në qytetin tonë ka bo diçka të pa pranueshme. Është vra dikush, ose është ngacmu dikush seksualisht, apo diçka tjetër që na trondit kur e lexojmë. Së bashku me ngushëllime për viktimën/familjen, shprehje të dëshpërimit për vendin se ku gjendemi, hasim variacione të një fjalie shumë domethënëse: “Ky njeri koka kon i trent’, se te na kurrë ska guxu qekjo mu bo.”

“I/e trentë” e ka kuptimin e një personi i cili është pa arsye dhe i egër, po shpesh herë aplikohet kudo që gjendet një individ i cili vuan nga probleme me shëndet mendor. Për shoqërinë, i trentë është kushdo që nuk i përmbushë kushtet për të funksionuar me një kapacitet që e presim, kushte që shumë shpesh janë plotësisht arbitrare dhe subjektive. I trentë, pra, është personi që na tutë, të cilin nuk e kuptojmë dhe nuk mund ta arsyetojmë, pavarësisht se ajo ose ai mund të jetë shumë funksional në shoqëri. Njëjtë i trentë o’ njeri që del me vra persona të rëndomtë aq sa njeri që mbyllet në shpi gjithë ditën se vuan nga Agorafobia (Frika nga dalja prej shtëpisë, hapësirave të mëdha si dhe të ngushta), sa një person me ngecje në zhvillim mendor.

Në këtë kontekst ndoshta kuptohet pse nuk ka qejf gjithkush që termi “i trentë” me u përdor në mënyrë gjithëpërfshirëse. Shpeshherë persona që e përdorin termin i lidhin vrasësit apo përdhunuesit me njerëz që thjesht kanë një lloj sëmundjeje mendore. Edhe termi “sëmundje mendore” është shumë i ngarkuar me ndjenja të rënda në shoqërinë tonë, pasi që është krijuar një lidhje tejet të fuqishme me konceptin e personit të “trentë”. Në realitet, persona të cilët vuajnë nga sëmundjet mendore shumë më shpesh gjinden në pozitën e viktimës sesa të agresoritAtëherë, pse është zgjeruar ky term kaq shumë sa që të përfshijë njerëz të cilët nuk i përfaqëson?

Kur ndodhin raste tragjike të shkaktuara nga njerëzit, njëra prej mënyrave sesi i racionalizojmë është largimi i tyre retroaktiv prej shoqërisë sonë. Pra, “Dikush si ky s’ka mujt me kon i joni, se t’ish kon s’kish bo diçka qeshtu”; Është një mënyrë e largimit të përgjegjësisë prej neve si faktor për krijimin e një mentalitetit të këtillë, e fshehjes së aspekteve më të këqija të shoqërisë si diçka që nuk kish ndodhë në “rrethe normale” (lexo: rrethin tim). Po nëse na nuk e kem bo, po te na ka dalë, atëherë qysh ka ndodh kjo? “Është e thjeshtë, personi koka abnormalitet (i/e trentë).”

Një racionalizim i tillë është i dëmshëm jo vetëm për grupet e margjinalizuara, por edhe për shoqërinë e gjerë. Arsyeja pse ndodhin raste kaq të rënda thjeshtësohet në pikën ku as nuk lodhemi të kërkojmë përgjigje reale, diçka që shumë ka nevojë pasi që ndryshime mund të merren vetëm kur e identifikojmë shkakun rrënjësor.

Ndoshta ju kujtohet një video që qarkullonte në muajin e kaluar për një burrë që gjatë ditës i sulmon dy vajza, me qëllim të ngacmimit seksual. Shpejt erdhën reagimet: “psikopat”, “i trentë”, “budallë”. Po në të njëjtën kohë ky veprim edhe është arsyetuar prej shumë postimeve të cilat nuk kanë qenë anonime, duke cekë “veshje provokative” e shumë banalitete tjera që nuk meritojnë përsëritje. A janë edhe këta persona “budallej, psikopata, e të trentë”, apo janë thjeshtë pasqyre e pjesës më të ultë të shoqnisë tonë? A është jonormal agresori, a po është rritë në rrethana ku është mësuar se gratë nuk kanë autonomi ndaj trupit të tyre? Është e gërditshme që diçka e tillë haset në Kosovë, e aq më e gërditshme që veç e fshehim nër tepih një mentalitet kaq helmues në vend që të marrim përgjegjësi për ndërrimin e tij.

Përfundimisht, përpos që nuk mbahen vepra për të ndërruar këto rrethana, vazhdimisht shtypen persona të cilët kanë nevojë për ndihmë. Është tejet ironike, pasi që agresorët shpeshherë nuk shihen si të sëmurë para se të publikohet vepra e tyre edhe ajo vetëm në shoqërinë e gjerë, e jo në rrethanat ku gjenden zakonisht. Nëse emërtim i ngjitet njëjtë si agresorëve si personave me sëmundje mendore – atëherë edhe i trajtojmë njëjtë: si bomba të cilat mund të shpërthejnë në çdo minutë. Me verbërinë tonë selektive i dënojmë përnjëherë dy grupet: viktimat e vazhdueshme të krimeve që burojnë prej një mentaliteti të prapambetur dhe viktimat e dyfishtë të sëmundjeve mendore dhe gjykimeve tona..

—–

Klinika UNI – Qendër për këshillim, testim dhe vlerësim psikologjik

Nuk je vet – Këshillim online për të rinjët

CEL – Këshillime falas për komunitetin LGBT

I fight depression – Informata rreth Depresionit

Qendra Psiko-Sociale per Trauma Terapi, Diakonie Kosova – Shërbime falas për trauma terapi

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.