Rusia, Armenia dhe Azerbeixhani kanë nënshkruar një marrëveshje humanitare për të ndalur luftimet në territorin e Nagorno-Karabakh, i cili gjendet në brendësi të territorit azer mirëpo popullohet dhe kontrollohet nga armenë etnikë.
Marrëveshja erdhi si rezultat i përshkallëzimit të luftimeve përgjatë dy muajve të fundit, e cila gati sa nuk përfundoi me luftë totale. Mirëpo, kjo marrëveshje nuk u prit njëjtë nga të dy palët e përfshira në konflikt. Ajo u cilësua si fitore e azerëve dhe humbje e armenëve.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan e cilësoi marrëveshjen si “dhimbje të madhe për të dhe popullin e tij”. Ndërsa qytetarët okupuan ndërtesën e parlamentit armen në shenjë revolte ndaj marrëveshjes së arritur.
Mirëpo indikacionet nga Nagorno-Karabakh tregojnë që azerët veçse kishin avancuar në operacionet e tyre ushtarake. Gjatë konfliktit të fundit, armenët humbën një pjesë të konsiderueshme të territorit përfshirë qytetin strategjik “Shusha” dhe në rast të vazhdimit të luftimeve, armenët rrezikonin ta humbnin edhe qytetin kryesor të “Stepanakert”.
Me gjithë armëpushimin e arritur, situata në Nagorno-Karabakh do të vazhdojë të mbetet e tensionuar dhe rajoni do të përjetojë intensifikim të përfshirjes ruse dhe turke, e cila do të ndikojë direkt në marrëdhëniet Armeni-Azerbeixhan.
Çka përfshihet në marrëveshjen e armëpushimit?
Më 09 nëntor 2020, Presidenti rus Vladimir Putin, Presidenti armen Ilham Alyev dhe Kryeministri armen Nikol Pashinyan u dakorduan që të nënshkruajnë një marrëveshje të armëpushimit humanitar. Gjithashtu, presidenti i vetëdeklaruar i Republikës së Artsakh (Nagorno-Karabakh), Arayik Harutyunyan u pajtua për ndalimin e luftimeve.
Mes të tjerash, në marrëveshje u dakordua se Azerbeixhani do të mbajë nën kontroll pjesët e Nagorno-Karabkah të cilat i okupoi rishtazi gjatë konfliktit. Armenia gjithashtu është pajtuar që të tërheqë trupat dhe popullsinë armene nga disa pjesë të territorit, përfshirë këtu edhe pjesën e territorit të humbur së fundmi.
Palët u pajtuan që të shkëmbenin pengjet e luftës dhe personat e vdekur. Gjithashtu, në marrëveshje është dakorduar se personat e zhvendosur dhe refugjatët do të kthehen në territorin e Nagorno-Karabakh.
Si pjesë e marrëveshjes, rreth 2,000 trupa paqeruajtëse ruse do të vendosen për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të garantuar siguri dhe stabilitet. Gjithashtu, trupat ruse do të përkujdesen për mbrojtjen e korridorit “Lanchin” i cili lidh Nagorno-Karabkah me Armeninë. Tutje, Armenia mori përsipër përgjegjësinë e ofrimit të sigurisë së një korridori mes Azerbeixhanit dhe enklavës “Nakchivan”, pjesë e cila është e shkëputur nga Azerbeixhani dhe kufizohet me Armeninë.
Turqia gjithashtu ka siguruar prezencën e saj në rajon. Pas nënshkrimit të armëpushimit, Rusia dhe Turqia nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për krijimin e një qendre të përbashkët monitorimi në Azerbeixhan. Mirëpo Turqia nuk do të ketë trupa ushtarake në Nagorno-Karabakh dhe do të operojë nga distanca.
Rritja e ndikimit rus dhe turk në Kaukazin Jugor
Marrëveshja e arritur ka siguruar prezencë afatgjate të fuqive rajonale dhe sinjalizon ndikim edhe më të madh të Rusisë, e cila veçse ka një bazë ushtarake në Armeni dhe mban marrëdhënie të shkëlqyera me të dyja shtetet, Armeninë dhe Azerbeixhanin.
Arritja e marrëveshjes së armëpushimit i ka shërbyer më së shumti Rusisë dhe ka krijuar avantazh të skajshëm politik dhe ushtarak. Deri më tani, Azerbeixhani ka qenë i vetmi shtet në rajon pa prezencë ushtarake ruse. Me marrëveshjen e re, Putin ka siguruar prezencë ruse në të gjitha pjesët e Kaukazit.
Tutje, Vladimir Putin ka arritur që ta neglizhojë dhe dëmtojë pozicionin e kryeministrit armen Pashinyan i cili fitoi zgjedhjet si rezultat i “revolucionit paqësor” dhe protestave anti-korrupsion ndaj qeverisë armene. Pashinyan u pa si rrezik potencial nga Kremlini zyrtar i cili me të marrë mandatin e kryeministrit inicioi masa për luftimin e korrupsionit, përmirësimin e demokracisë dhe të lirisë së shtypit.
Gjithashtu, përfshirja turke në operacionet paqeruajtëse sinjalizon ndikim më të madh të Turqisë, edhe pse ato nuk do të kenë ndikim direkt në territorin e Nagorno-Karabakh. Megjithatë, ky fakt mund të konsiderohet sukses relativ për Turqinë. Kujtojmë se Turqia furnizoi me armë të sofistikuara ajrore Azerbeixhanin, gjë që ndikoi në rjedhën e luftimeve në Nagorno-Karabakh në favor të Azerbeixhanit.
Situata në Nagorno-Karabakh është ende larg zgjidhjes. Arritja e armëpushimit këtë muaj mund të duket si sukses në planin afatshkurtër, mirëpo në planin afatgjatë mund të krijojë probleme serioze. Rusia nuk njihet si shtet që përfaqëson vlera liberale dhe demokratike dhe gjithmonë do të konsiderojë interesat ruse para interesave të palëve tjera, gjë që mund ta eliminojë mundësinë për kompromis dhe të minimizojë gjasat për një marrëveshje të përhershme të paqes.
—–
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.