Këshilli i Europës (KiE) është organizata më e vjetër dhe më e rëndësishme europiane për nga aspekti i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. KiE u themelua në vitin 1949, me seli në Strasburg të Francës, të cilën e përbëjnë 46 shtete anëtare.
KiE nuk ka ndonjë lidhje ligjore apo institucionale me Bashkimin Europian (BE), pra janë dy organizata të ndryshme, por është karakteristikë se çdo shtet përpara se të anëtarësohej në BE, ka qenë fillimisht anëtar i KiE-së. Sot, 28 shtete anëtare të BE-së (pra të gjitha shtetet) janë pjesë e KiE-së.
Më 12 maj, Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikacionin për anëtarësim në KiE. Mundësitë për anëtarësim janë rritur si rezultat i përjashtimit të Rusisë nga organizata, si shkak i pushtimit rus në Ukrainë.
Kosovën e njohin më shumë se 2/3 e shteteve anëtare, përkatësisht 34 shtete, andaj mundësitë për anëtarësim duken reale. Megjithatë, nuk është e qartë nëse të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën do ta mbështesin anëtarësimin e saj.
Përvoja e kaluar e Kosovës rreth anëtarësimit në UNESCO dhe INTERPOL ka treguar se jo çdo shtet njohës i pavarësisë ofron mbështetje me vote “pro” në organizata ndërkombëtare. Ndikimi i Serbisë dhe lufta e egër diplomatike që ka zhvilluar ajo kanë bërë që Guinea, Somalia dhe disa shtete të tjera njohëse të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Natyrisht një fushatë e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE pritet të ndodhë përsëri. Franca, një shtet njohës me fuqi të madhe politike, ka hezituar që publikisht të mbështesë aplikimin e Kosovës në KiE, siç edhe përshkruhet nga tweet-i zyrtar i publikuar nga Ambasada Franceze në Kosovë, për dallim nga Gjermania, e cila ka mbështetur pa rezerva aplikimin e Kosovës.
Procedura e aplikimit të shteteve në KiE përbëhet nga disa hapa jo të thjeshtë. Aplikacioni për anëtarësim i dorëzohet Këshillit të Ministrave, organ shumë i rëndësishëm i KiE-së, i cili përbëhet nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare ose të deleguarit e tyre, i cili kërkon nga Asambleja Parlamentare një opinion konsultativ/këshillëdhënës, pra me karakter jo obligativ.
Pastaj, Asambleja Parlamentare, përpara se të japë opinion, dërgon komisione/ekipe ekspertësh të cilët mbikëqyrin legjislacionin e Kosovës se sa është në përputhshmëri me vlerat që burojnë nga KiE-ja dhe sa plotësohen kriteret e përshtatshmërisë. Puna mbikëqyrëse finalizohet përmes një raporti, i cili nëse është pozitiv duhet të aprovohet me 2/3 e Asamblesë Parlamentare si opinion afirmativ karshi Kosovës. Vendimmarrja kyç i takon Këshillit të Ministrave, ku me votimin e 2/3 të shteteve anëtare, pra me 31 vota “pro”, Kosovës mund t’i dërgohet ftesa për anëtarësim.
Edhe pse nuk është pjesë e KiE-së, Kosova ka inkorporuar në Kushtetutën e saj zbatimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (neni 22 i Kushtetutës) dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (neni 53). Përmes këtyre neneve Kosova ka marrë obligime kushtetuese dhe ka obliguar autoritetet gjyqësore që të drejtat e njeriut të interpretohen në përputhje me vendimet gjyqësore të GjEDNJ-së.
Anëtarësimi eventual i Kosovës në KiE, përveç detyrimit kushtetues për zbatimin e detyrimeve në fjalë, do të përbënte edhe detyrim ndërkombëtar me pasoja.
Momentalisht, instanca më e lartë e drejtësisë në Kosovë është Gjykata Kushtetuese, por nëse Kosova anëtarësohet në KiE, atëherë KiE do të mbetet instanca e fundit. Qytetarët e Kosovës do ta kenë mundësinë të ngrenë padi në GjEDNJ të KE-së pasi t’i shtjerrin instancat e brendshme kombëtare.
GjEDNJ është një nga organet kryesore të kësaj organizate, e cila është “rojtar” i zbatimit të KEDNJ-së nga shtetet anëtare të KiE. GjEDNJ i detyron shtetet anëtare që të paguajnë dëmshpërblimet ndaj qytetarëve të vet, nëse konstaton se individëve të caktuar u janë shkelur të drejtat e garantuara nga KEDNJ.
Anëtarësimi i Kosovës në KiE është një hap i madh drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimit të të drejtave dhe lirive themelore, por është edhe fillimi i një sfide të jashtëzakonshme për Kosovën për t’i përmbushur detyrimet ndërkombëtare.