Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kërcënimet hibride ndaj Kosovës

Ilustrimi nga Big Eye.

Në dy vitet e fundit perëndimi ka filluar të përballet me kërcënime të reja të sigurisë të cilat, për shkak të natyrës jo konvencionale, janë duke u cilësuar si kërcënime hibride (të përziera). Kosova është një vend që mund t’i ekspozohet shumë lehtë kërcënimeve hibride për shkak të rrethanave të brendshme, kontekstit rajonal dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Çka janë kërcënimet hibride? Sa është e ekspozuar Kosova ndaj këtyre kërcënimeve, dhe çfarë masash parandaluese e ballafaquese mund të ndërmerren?

Në esencë, rreziqet hibride janë duke u definuar si kombinim i metodave të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, të dhunshme dhe paqësore, të ndërmarra nga akterë shtetëror dhe jo-shtetëror për të arritur qëllime të caktuara dhe evituar shpalljen formale të luftës. Kërcënimet hibride paraqesin formën më të re të konfrontimit mes perëndimit, Rusisë dhe vendeve tjera. Rusia që nga aneksimi i Krimes në vitin 2014, si kundër përgjigje ndaj sanksioneve të SHBA-ve, BE-së dhe aleatëve të tyre ndërkombëtar, ka filluar një seri veprimesh që paraqesin shembuj tipit të kërcënimeve hibride. Për disa skeptik, diskursi i kërcënimeve hibride paraqet gjuhë perëndimore për të nënçmuar luftën e re me Rusinë dhe evituar përdorimin e nenit të pestë të Kartës së NATO-së mbi mbrojtjen kolektive. Kjo për faktin se perëndimi ka ndërmarrë që moti metoda të tilla hibride për ndërrim të regjimeve e zgjerim të ndikimit politik, ekonomik dhe ushtarak përmes fuqisë së butë. Për të tjerët, format aktuale të kërcënimeve ndaj sigurisë shtetërore, shoqërore dhe njerëzore janë zhvillime që nuk kanë ndodhur më herët, prandaj duhet trajtuar si fenomene te reja.

Kërcënimet hibride ruse janë duke ndodhur në forma të ndryshme, si në formë të sulmeve kibernetike, propagandës dhe shembjes së proceseve demokratike. Disa shembuj ilustrojnë këtë. Sulmi kibernetik gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, konkretisht nxjerrja në publik e dokumenteve të brendshme të Konventës se Demokratëve, paraqet shembull tipik të ndërhyrjes së jashtme (me dyshimin që vjen nga Rusia) për të ndikuar në rezultatet zgjedhore. Rusia dyshohet që ngjashëm është duke mbështetur parti të krahut të djathtë në Evropë për të nxitur dezintegrimin e BE-së që do të shpinte në ndarjen e brendshme të BE-së dhe tërheqjen eventuale të sanksioneve ndaj Rusisë si dhe pranimin e aneksimit të Krimesë në shkëmbim të një sigurie të re kolektive në Evropë (që do të ndalte zgjerimin e NATO-s dhe BE-së në lindje). Sulme kibernetike ka pasur edhe në disa vende tjera si në Estoni dhe ka dyshime që përafrimi aktual i Turqisë me Rusinë është rezultat i kërcënimeve kibernetike ndaj këtij vendi të NATO-së që është urë lidhëse me Lindjen e Mesme dhe interesat ruse në rajon. Kërcënime hibride kanë ndodhur edhe në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, ku përveç propagandës mediale është bërë përpjekje për grushtet dhe sulme ushtarake të infiltruara nga Serbia. Lëvizja e çrregullt e refugjatëve drejt Evropës është duke u konsideruar si një formë e re e sulmeve hibride për ta destabilizuar dhe përçarë Bashkimin Evropian. Ka edhe shumë raste tjera.

Kosova më shumë se vendet tjera të rajonit është e ekspozuar nga rreziqet hibride për shkak të krizës dhe polarizimit politik, mungesës së institucioneve sovrane të sigurisë, si gjendjes së brishtë ekonomike, me sundim te ligjit, dhe siguri publike. Në rrafshin rajonal është e rrethuar nga Serbia që paraqet ‘delen e zezë’ për komunitetin euroatlantik në Ballkan për shkak të afërsisë me Rusinë. Në rrafshin ndërkombëtar, mos njohja e plotë e pavarësisë dhe mbetja jashtë shumë organizatave ndërkombëtare të sigurisë paraqesin parakushte që mund të cenojnë sigurinë e Kosovës. Por, cilat mund të jenë kërcënimet hibride ndaj Kosovës, pse do të ndodhnin ato dhe çfarë kundër-veprimesh duhet ndërmarrë?

Kosova që tani është nën thundër të diplomacisë ruse e cila përmes OKB-së, organizatave tjera rajonale ka radikalizuar diskursin politik kundër Kosovës, duke e quajtur vend të dështuar, dhe duke shfrytëzuar drejtësinë tranzicionale për te deligjitimuar ndërhyrjen e NATO-s dhe luftën çlirimtare në Kosovë. Për më shumë, Rusia është duke përdorur aparatin medial rus për të përhapur propagandë kundër Kosovës, duke shfrytëzuar polarizimin aktual politik në Kosovë dhe për të demonstruar se Kosova është rast i dështuar i ndërhyrjes e shtetndërtimit perëndimor. Kjo propagandë ruse paraqet kërcënim hibrid për shtetësinë e Kosovës. Si mund të përballohet ky lloj i kërcënimit hibrid? Një mundësi është zhvillimi i një strategjie të komunikimit strategjik duke dedikuar burime njerëzore dhe financiare në ndërmarrjen e një kundër-fushate ne qarqet diplomatike dhe mediale. Ndoshta themelimi i një medium rajonal në gjuhën angleze i bazuar në Kosovë do të ofronte mundësi për të promovuar lajme për Kosovën si kundër-përgjigje ndaj narracioneve ruse. Mirëpo, situata aktuale me portalet mediale në Kosovë, me shpifje dhe shantazhe, paraqesin një terren adekuat për infiltrime të huaja propagandistike kundër Kosovës. Kulturë aktuale e komunikimit publik në Kosovë është e infektuar dhe shpesh faktet dhe shpifjet nuk mund të dallohen dhe verifikohen. Kjo paraqet terren shumë të volitshëm për sulme të huaja hibride.

Për një kohë të gjatë strukturat paralele serbe në Kosovë, veçanërisht ato të sigurisë, kanë paraqitur kërcënime hibride serioze për vendin. Përderisa shumica prej këtyre strukturave janë shpërbërë, ka dyshime që ato ende janë duke vepruar nga premisat private. Infiltrimi serb në Kosovë në forma të hapura dhe fshehta paraqet rrezik për sovranitetin e vendit, për stabilitetin e institucioneve shtetërore, paqes ndër-etnike dhe sociale, si dhe konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë. Prandaj, bojkotimet institucionale të shtetit të Kosovës në nivelin qendror, lokal, dhe parlamentar, e shoqëror janë shenja të kërcënimeve hibride ndaj rendit kushtetues të Kosovës që në çdo rast mund të ketë pasoja për paqen, zhvillimin dhe integrimin ndërkombëtar të vendit. Në këtë drejtim, duhet pasur kujdes me aranzhimet politike dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Një tjetër kërcënim hibrid është ndërhyrja e vazhdueshme ndërkombëtare për të ndikuar në imazhin publik të qeverisë dhe ndikuar mbi orientimin politik të qeverisë aktuale dhe atyre në të ardhmen. Edhe pse aktualisht ndërhyrja ndërkombëtare në vend është duke u shfaqur në formën e asistencës ndaj proceseve reformuese dhe integruese të vendit, ekziston hapësira për manipulim të këtij konstelacioni të varshmërisë për të avancuar interesa në dëm të Kosovës dhe rendit shtetëror të saj. Një çështje tjetër e ndërlidhur këtu është financimi jo transparent i partive politike, korrupsioni kronik, shantazhet për krime lufte, dhe procesi i privatizimit që mund të paraqesin parakushte të favorshme për infiltrime të jashtme në dëm të interesit shtetëror dhe publik të Kosovës. Si kundër përgjigje ndaj kësaj kërkohet të përmirësohet sundimi i ligjit, të krijohet një kulturë e përgjegjësisë qytetare, si dhe të rritet transparenca e financimit të partive politike në vend. Po ashtu, duhet reduktuar varshmëria politike dhe ekonomike nga jashtë. Jo në drejtim të izolimit, por të fuqizimit dhe pavarësimit të mëtutjeshëm të vendit.

Fenomeni i luftëtarëve të huaj dhe radikalizimi fetar të nxitura nga grupet e huaja religjioze dhe konfliktet në Lindje të Mesme paraqet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës. Nga të gjitha rreziqet tjera, autoritetet shtetërore në Kosovë së bashku me shoqërinë civile kanë ndërmarr masa adekuate për të adresuar këtë kërcënim hibrid. Mirëpo, veprimet aktuale nuk janë të mjaftueshme dhe kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë mund të ndërroj trajtën dhe shfaqet në forma të ndryshme në Kosovë dhe rajon. Prandaj, është thelbësore që të ketë kujdes me prezencën e organizatave të huaja fetare, me ndihmën që vijën nga vendet e lindjes, si dhe me orientimin kulturor, arsimor dhe shoqëror. Masa shtesë duhet ndërmarr për të bërë Kosovën eksportues të sigurisë dhe jo pasigurisë.

Kosova është po ashtu e ekspozuar nga sulmet kibernetike të cilat mund të vënë në pah sekretetet e politikanëve, siç ka ndodhur me rastin e Maqedonisë, mund të dëmtoj infrastrukturën kritike të institucioneve publike dhe atyre financiare, si dhe mund të dëmtoj mbarëvajtjen e përgjithshme të shtetit. Kur përmendi nxerrjen në publik të fshehtësive të politikanëve kam ndërmend shantazhet që do të mund të ndodhin kundër interesit shtetëror dhe publik të Kosovës, nxitjen e konflikteve politike, dhe ndërrim të regjimit politik jo të diktuar nga vullneti demokratik qytetar dhe rregullat kushtetuese, por nga interesat e jashtme. Ballafaqimi me këtë lloj kërcënimi është shumë i vështirë dhe mund të shpik drejt pasojave të parashikueshme. Prandaj, përmirësimi i qeverisjes, i besimit në institucione dhe pajtimi politik ndërmjet partive politike paraqesin masa të nevojshme për t’i ikur ndërhyrjeve të jashtme në përmbysjen e rendit demokratik.

Këto janë vetëm disa demonstrime sipërfaqësore të kërcënimeve hibride që Kosova mund të përjetoj në të ardhmen e afërt, por vendi mund të ekspozohet na shumë kërcënime tjera për shkak të situatës ekonomike, sociale dhe politike në vend. Si masë parandaluese, Kosova duhet të përpiloj një strategji kundër kërcënimeve hibride, forcojë bashkëpunimin ndër-institucional brenda vendit dhe rris bashkëpunimin me vendet partnere. Kërcënimet hibride mund të paraqesin shans të ri për të përafruar Kosovën tutje me komunitetin euroatlantik, rris solidaritetin dhe transformoj marrëdhëniet aktuale politike. Bashkimi Evropian këtë vit ka ndërmarr hapa strategjik për tu ballafaquar me kërcënime hibride duke rritur bashkëpunimin mes shteteve anëtare, duke parandaluar sulme ndaj infrastrukturës kritike, si dhe rritur përballueshmërinë ndaj sulmeve të jashtme. Kosova mund të ndjek shembullin e BE-së dhe në kuadër të zbatimit të MSA-së dhe dialogut politik me BE-në të fus në agjendë të bashkëpunimit bilateral çështjen e kërcënimeve hibride.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.