Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Komunikim që na bashkon

Komunikim që na bashkon

Edhepse ne ishim në një mjedis bashkë me të tjerët dikur, ishim të vetmuar. Këtë vetmi e kemi përjetuar deri në palcë. Shumica e mbajmë mend atë si na gërryente përbrenda si lumë i rrëmbyeshëm që gërryen shtratin e tij. Shpërfillja, si gjendje dhe aq më tepër si realitet në raport me tjetrin, krijon një ndjenjë mërie, xhelozie. Mirëpo, kur në këtë mes futet edhe destruktiviteti politik, atëherë kjo ndjenjë kalon lehtësisht në urrejtje, sepse tanimë është politika ajo që menaxhon me ndjenjat tona.

Në situata të tilla, politika nuk çan kokën se çka është njeriu, ndjenjat njerëzore, e njerëzishmja. Madje në këto raste politika pothuajse gjithherë manipulon me ato ndjenja. Lirisht mund të thuhet sepse kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën), se t’i lësh ndjenjat njerëzore në duart e politikës, atëherë kjo domethënë t’i vetëdorëzohesh manipulimit. Mbase kjo është edhe një nga ato marrëdhëniet që ka kontribuuar që ne, shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës, të jemi kaq shumë të ndarë.

Ndajmë vendin e njëjtë, hapësirën, ajrin e njëjtë, por mendimet për njëri-tjetrin i kemi krejtësisht të ndryshme dhe kjo, jo pse ne ishim ose u bëmë të ndryshëm, por qe politika ajo që na mbolli këtë ndjenjë të keqe. Fundja pse do të ishim kaq të armiqësuar mes vete po mos të na udhëhiqte vesi i keq i politikës. Sigurisht se në normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe kërkimi i të vërtetës nuk duhet parë si një tendencë që kërkon alibi për t’iu revanshuar njëri-tjetrit, por si një akt vetëpërgjegjësie, si një rrugë që na fut në një spirale të komunikimit të sinqertë për/rreth njëri-tjetrit. Ç’është e vërteta komunikimi në mes nesh përveç që është nevojë, do të duhej të ishte një gjest i përditësuar në avansimin e marrëdhënies sonë. Prandaj, një deficit i tillë komunikimi vetëm sa e rritë hapësirën për keqkuptime në mes vete. Për ta vendosur një marrdhënie normale komunikuese të dyja komunitetet (dhe jo vetëm) duhet që së pari ta qartësojmë raportin me veten. Një qartësim i tillë, i sinqertë me vetën, i hap rrugë komunikimit normal edhe me tjetrin.

Njeriu nuk zgjedh nacionalitetin, seksin a orientimin, madje njeriu nuk zgjedh as që të lindë fare. Dhe pikërisht ne duhet të nisemi së pari nga ky fakt dhe të shërbejë si një përligjje në të gjithë marrëdhënien tonë të mëpastajme. Mirëpo, nëse ne e menjanojmë këtë element duke ua lënë në ndërgjegje politikanëve, e që soji i politikanit ballkanik është mediokër dhe narcizoid, e që kjo pastaj i bën të jenë edhe të papërgjegjshëm, ashtu siç janë edhe tani, atëherë marrëdhëniet tona do të jenë përherë e më larg.

Me udhëheqës që kanë vizion provincializmi, inatet dhe nënkambcat politike, nuk mundemi të vendosim komunikim të sinqertë përbashkues në mes vete. Si nga ana shqiptare, ashtu edhe nga ana serbe, politikanët (pothuajse shumica prej tyre) nuk kanë vullnet dhe kurajo që dy komunitetet (shqiptarë dhe serbë) të (ri)ndërtojmë marrëdhënien tonë, sepse në të dyja rastet qëllimi i këtyre politikanëve është që të na mbajnë sa më larg njëri-tjetrit, që vetë ata të jenë sa më afër pushtetit. Armiqësimi ynë është mundësi për politikanët populistë, të cilët ndihen të sikletosur nëse ne kemi raporte të mira. E mira e këtyre politikanëve nuk është edhe e mira jonë, kur e keqja jonë mund të jetë e mira e tyre.

Historia që kemi ndërtuar qoftë për vete, qoftë për tjetrin, është historia që më së paku na duhet në ndërtimin e një raporti normal me bazë të sinqertë, por ama një gjë duhet ta kemi të qartë se kjo është historia e jonë, është historia e dëshirës, zemërimit dhe urrejtjes sonë dhe këtë deshëm apo s’e deshëm duhet pranuar. Pra, ne e shpërfillnim dhe ende e shpërfillim njëri-tjetrin për shkak edhe të historirave që vetë i sajuam. Për këtë orientimi duhet të jetë jashtë politikës dhe pa ngarkesat e së kaluarës, madje-madje, është e nevojshme që këto dy sfera të ndikohen nga jashtë. Kështu që, për të mos rënë në grackën e historisë dhe të manipulimit nga politika ne duhet që ta trasojmë një rrugë ku komunikimi do të vijë nga forumet e ndryshme si shoqëria civile, mediat, sfera kulturore dhe secili nga ne të kontribuojë në mundësinë për krijimin e një komunikimi normal. Sa më shumë që komunikojmë aq më tepër do t’i thyejmë stereotipet që ia kemi vendosur njëri-tjetrit. Pra, ajo që na dallon në këtë univers është gjuha, kështu që,  na duhet të përpiqemi vetë për ta rikuperuar marrëdhënien tonë.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.